Kalojnë në sitë të gjithë pronat në bregdet. Si do të verifikohen dosjet, legalizimet dhe vendimet e gjykatave

321
Vendimi, kontroll pronave në bregdet
Qeveria ngre një task-forcë për të evidentuar pasuritë e paluajtshme shtetërore deri në 1,5 km nga vija e detit
Qeveria ka vendosur të bëjë një kontroll të imtë të pasurive të paluajtshme në zonat bregdetare, duke ngritur një task-forcë, në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Ky grup special do të bëjë evidentimin e pronave të paluajtshme shtetërore gjatë bregdetit shqiptar, krijimin e një regjistri me bazën e të dhënave të këtyre pasurive, si dhe për dhënien e rekomandimeve përkatëse Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për kryerjen e investimeve në turizmin bregdetar, në këto pasuri të paluajtshme. “Task-Forca evidenton dhe regjistron në një regjistër të veçantë pasuritë e paluajtshme shtetërore, që ndodhen 1,5 kilometra nga vija bregdetare e Republikës së Shqipërisë dhe që mund të përdoren për investime në turizmin bregdetar, me të gjitha të dhënat e tyre. Task-Forca trajton të gjitha pasuritë e paluajtshme shtetërore (objekt, truall, tokë bujqësore, pyll, livadh, kullotë etj.) në pronësi apo përgjegjësi administrimi të institucioneve qendrore ose të njësive të vetëqeverisjes vendore, të cilat shtrihen deri në 1,5 kilometra në thellësi të territorit tokësor të Republikës së Shqipërisë, nga vija bregdetare”, theksohet në vendim. Task-Forca konsultohet dhe u kërkon mendim paraprak organeve të qeverisjes qendrore e vendore, të cilat kanë në përgjegjësi administrimi apo në pronësi pronat e paluajtshme shtetërore të evidentuara për t’u përdorur për investime në turizmin bregdetar. Për këtë qëllim, Task-Forca u kërkon organeve të qeverisjes qendrore e vendore të japin informacion në lidhje me pasuritë e paluajtshme të propozuara, përdorimin aktual ose të planifikuar të tyre, si dhe të shprehin mendimin e tyre vlerësues në lidhje me përfshirjen e këtyre pasurive në investim për turizëm bregdetar. Në çdo rast, organet e qeverisjes qendrore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, që administrojnë pasuritë e paluajtshme shtetërore të propozuara për t’u përfshirë në turizëm bregdetar, i përcjellin Task-Forcës, brenda 15 ditëve nga data e marrjes së kërkesës, dosjen e plotë, në të cilën përfshihet i gjithë dokumentacioni i pasurive të paluajtshme, i vërtetuar nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. “Task-Forca përfshin në regjistër edhe pasuritë e paluajtshme, të cilat, sipas dokumentacionit, janë pasuri shtetërore, por që janë në konflikte gjyqësore apo në konflikte administrative me palë të treta, në lidhje me titullin e pronësisë. Nëse Task-Forca vëren parregullsi në dokumentacion apo shkelje ligjore dhe shkelje të procedurave lidhur me pasuritë e paluajtshme, ajo informon ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, i cili ia dërgon çështjen institucioneve përkatëse për marrjen e masave të duhura”, thuhet në vendim. Task-Forca u kërkon informacion organeve shtetërore përkatëse, përfshirë, por pa u kufizuar në Agjencinë e Trajtimit të Pronës, Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe prefekturat. Këto institucione detyrohen të japin informacion të qartë për pasurinë e paluajtshme brenda 15 ditëve nga data e marrjes së kërkesës. Task-Forca do të funksionojë dhe do të realizojë detyrat e përcaktuara në këtë vendim deri në datën 31 korrik 2019. Gjithashtu, Task-Forca duhet t’u paraqesë ministrave të Turizmit dhe Mjedisit dhe të Financave dhe Ekonomisë raportin e plotë të punës së kryer, regjistrin e pronave të paluajtshme shtetërore, si dhe rekomandimet përkatëse për kryerjen e investimeve në turizmin bregdetar në këto pasuri të paluajtshme. “Task-Forca bashkëpunon me të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë ministritë e linjës dhe institucionet e tyre të varësisë, si dhe me agjenci, ente, persona juridikë, publikë, organe të qeverisjes qendrore apo njësi të vetëqeverisjes vendore, për realizimin e detyrave”, thuhet në vendim.
Task-Forca kryen këto detyra:
a) Evidenton pasuritë e paluajtshme shtetërore që ndodhen 1,5 kilometra nga vija bregdetare e Republikës së Shqipërisë;
b) Krijon dhe administron regjistrin me bazën e të dhënave të pasurive të paluajtshme shtetërore përgjatë bregdetit shqiptar, së bashku me dosjen e plotë të dokumentacionit shoqërues të këtyre pasurive;
c) Bashkëpunon me investitorët e interesuar, me ministritë e linjës apo institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore;
ç) Trajton dhe analizon vlerësimet e organeve të qeverisjes qendrore e vendore, të cilat administrojnë pasuri të paluajtshme shtetërore, me qëllim investimin në turizmin bregdetar;
d) Shqyrton dokumentacionin e dosjeve të pasurive të paluajtshme dhe kryen verifikimet e nevojshme;
dh) Administron dosjet me dokumentacionin shoqërues të çdo pasurie të paluajtshme shtetërore, e cila mund të përdoret për turizëm bregdetar, dhe, në rast se konstaton mangësi dokumentacioni për një pasuri të caktuar, merr masa për t’i plotësuar këto mangësi.
Task-Forca shqyrton dokumentacionin e dosjes së pasurive të paluajtshme dhe verifikon nëse këto pasuri janë objekt i:
a) procedurave administrative të njohjes, kthimit ose kompensimit të pronës apo objekt i pretendimeve të pronësisë nga palë të treta;
b) një procesi gjyqësor për titullin e pronësisë;
c) procedurave administrative të legalizimit;
ç) procedurave të marrjes së tokës në pronësi/në përdorim.