“Kalendari Historik…” – një enciklopedi e vërtetë

993
Thanas L. GJIKA

(Sprovë për jetën e veprën e Astrit Lulushit, pjesa II)
Vepra madhore “Kalendari Historik…” e Astrit Lulushit është shkruar duke iu drejtuar njëherësh si lexuesve dhe dëgjuesve, sepse ajo mund të lexohet prej nesh, por edhe mund të dëgjohet në emisionet radiofonike në hapjen e ditarit çdo mëngjes. Jeta e njeriut është e vështirë dhe shumë e ngarkuar, por ushqimi i mendjes është gjëja më e rëndësishme, dhe ushqimin për të e gjejmë në libra, sidomos në libra të llojit enciklopedik. Kur e pyeta autorin, si të lindi ideja për të hartuar një libër me kaq shumë të dhëna? Ai më sqaroi: “Një ditë duke lexuar, u ndesha me shprehjen: “Mos u anko se nuk ke kohë, sepse të njëjtën kohë 24 orëshe ka pasur edhe Ajnshtajni”. Sikur u përmenda, dhe thashë me vete, se këto fjalë u drejtohen të gjithëve, natyrisht dhe mua. Hodha sytë mbi librat e shumtë që kisha rreth meje dhe mendova, prej tyre mund të nxirret diçka e koncentruar dhe t’u jepet e gatshme kujtdo që lexon apo fillon të lexojë. Dhe vendosa; çdo ditë, mbas pune, në shtëpi punova nga 2-3 orë dhe brenda vitit e ndërtova këtë kalendar, që shqiptarëve u mungonte. Dhe doli për bukuri, falë edhe shtëpisë botuese TIRANA TIMES dhe kujdesit të mikut tim Jorgji Qirjako.” Çdo njeri, thotë populli, nuk ngopet me dituri, para dhe lavdi. Sa më shumë të dish, aq më shumë kërkon të mësosh; sa më shumë para të kesh, aq më shumë kërkon t’i shtosh; sa më shumë të të lëvdojnë e nderojnë, aq më shumë ndere dhe lavdi kërkon. Dhe pikërisht për të shtuar dijet e njeriut janë krijuar dhe kalendarët historikë me të cilët fillojnë emisionet e shumë radiostacioneve në gjuhë të ndryshme. Edhe radiot e televizionet shqiptare duhet të fillojnë me të dhënat e “Kalendarit Historik…” që ka përgatitur Astrit Lulushi në 1202 faqe, për 365 ditët e vitit. Të ngazëllen mprehtësia logjike e autorit dhe vullneti e pasioni prej kërkuesi e enciklopedist. Këtu gjendet esenca e ngjarjeve më të rëndësishme që kanë ndodhur çdo ditë të vitit në mbarë globin dhe në mbarë botën shqiptare. Aty mëson thelbin e ngjarjeve më kryesore që kanë luajtur rol në historinë e njerëzimit dhe të popullit tonë. Jepen bëmat dhe jetëshkrimet e njerëzve të shquar (meshkuj e femra), shkencëtarë, politikanë, shkrimtarë, poetë, muzikantë, piktorë, skulptorë, fotografë, kineastë, aktorë, ushtarakë etj, që nga koha antike deri në ditët tona. Shumë prej këtyre zërave janë të pajisur me fotografi ose riprodhime pikturash, herë herë dhe me sentenca njerëzish të mëdhenj. Për ta bërë sa më të lehtë kapjen e ideve të shkrimeve të veta, ky autor në “Kalendarin Historik…” dhe në të gjitha përmbledhjet, si dhe në librin me sonete të Shekspirit, ka futur shpesh herë riprodhim pikturash nga veprat e artit botëror, falë përzgjedhjes së kujdesshme nga mjeshtri i punimeve grafike Roland Lelaj në Kanada. Ne nuk do të ndalemi në këtë aspekt me vlerë të këtyre veprave, duke ua lënë studiuesve të artit të pikturës të japin mendimet e tyre. Botimi i një vepre të tillë ka qenë shumë i nevojshëm, sepse leximi i materialeve të saj ndihmon shumë më tepër sesa dëgjimi i tyre në radio e televizion, mbasi leximi ndihmon përmes përqendrimit dhe rileximit për të pasuruar më thellë njohuritë dhe botëkuptimin tonë, gjëra që ndikojnë në përsosjen tonë si qenie njerëzore të moralshme. Thënë shkurt “Kalendari Historik…” i Astrit Lulushit, është një vepër shumë e vlefshme enciklopedike e cila duhet të hapet e lexohet çdo mëngjes para fillimit të punës prej të gjithë shqiptarëve, sepse aty gjenden të dhëna me vlerë që nuk gjenden në kalendarë të tjerë dhe as në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” vëll. 1-3, botim i Akademisë së Shkencave të viteve 2008 – 2009, hartuar prej një ekipi të madh bashkëpunëtorësh shkencorë dhe redaktuar prej shumë studiuesish me tituj shkencorë.

Demokrati i vërtetë e dënon, nuk e justifikon diktaturën komuniste
Në Shqipërinë diktatoriale u nxit dhe u ndihmua nga shteti lindja dhe zhvillimi i një kulture servile që justifikonte, mbronte dhe propagandonte politikën dhe bëmat e partisë shtet. Kurse kultura demokratike, ajo që përpiqej të ecte në rrugën e traditës së hapur prej rilindësve dhe intelektualëve demokratë të mëvonshëm, u nënvleftësua, madje jo rrallë u dënua si kulturë borgjeze e me ndikime të huaja. Mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste në Shqipëri po konkurrojnë dy mendësi. Njëra justifikon dhe mbron shumicën e veprave të letërsisë, artit e shkencës që u krijuan gjatë kohës së diktaturës dhe tjetra kritikon shumicën e këtyre veprave të letërsisë dhe artit të realizmit socialist dhe të shkencës servile që mbronte pushtetin diktatorial. Mendësia që justifikon e mbron veprat e kohës së diktaturës përfaqësohet prej atyre krijuesve dhe studiuesve që i krijuan veprat e tyre gjatë kohës së diktaturës për ta mbrojtur e lëvduar atë. Ata e bëjnë këtë krim të ri, sepse nuk duan të pranojnë që kanë gabuar, që kanë kryer krim ndaj popullit me veprat e tyre servile ku shtrembëruan të vërtetën. Kurse mendësia që mban qëndrim kritik ndaj shumicës së veprave të kohës së diktaturës, përfaqësohet prej intelektualëve demokratë (shkrimtarë, artistë, studiues) që vijnë nga radhët e ish-të përndjekurve të ndërgjegjes, të arratisurve dhe prej atyre që në kushtet e reja përpiqen të evoluojnë drejt lirisë e demokracisë. Në këto 28 vjetët e fundit, mendësia e dytë po merr përmasa gjithnjë e më të gjera dhe po i shton radhët me kuadro të rinj që po formohen në Evropën Perëndimore, në Amerikë, por edhe brenda vendit. Kurse mendësia që justifikon e mbron shumicën e veprave të krijuara gjatë diktaturës komuniste nuk po i shton dot radhët e veta. Ajo po i humbet gjithnjë e më shumë njerëzit e vet, me gjithë përkrahjen që u japin qarqet partiake dhe qeveritare socialiste, pasardhës të PPSH-së. Me veprat e veta, Astrit Lulushi dëshmon hapur se është një ndër intelektualët më aktivë të mendësisë demokratike që kritikon, krahas diktaturës komuniste edhe shumicën e veprave që u krijuan gjatë sundimit të saj si vepra të realizmit socialist. Në librin e parë me shkrime analitike, artikuj, ese etj me titull “Pak Ndryshe” (TIRANA TIMES, 2010, 492 f.) që po ndalemi këtu, Lulushi e quan shembjen e kupolës komuniste më 1991-1992, “thjesht dështim i një sistemi ekonomik që me kokëfortësi qëndroi deri në falimentim të plotë politik e moral”. Mirëpo sipas ligjeve ekonomike shton ai: “Një person a ndërmarrje që falimenton, nuk ka të drejtë të zotërojë pronë e pasuri pa paguar më parë borxhet, shpenzimet a humbjet si rezultat i shpërdorimeve që çuan në dështim” (f. 255-256). Kjo gjë nuk ndodhi në Shqipëri, ku ish-komunistët e ish-sigurimsat besnikë të kupolës së vjetër, brenda një nate ndërruan emrin në socialistë dhe duke vjedhur e trashëguar pasurinë e popullit u gdhinë pasanikë të rinj pa detyrime, kurse të përndjekurve politikë dhe të shpronësuarve nuk iu dha dëmshpërblimi a kompensimi që meritonin. Lulushi depërton dhe në histori dhe jep shpesh herë shpjegimin e tij të ndryshëm. I tillë është rasti i sakrificës që bënë disa atdhetarë (midis të cilëve ai nënkupton Mustafa Merlika Krujën, Xhevat Korçën, Qazim Koculin, Rexhep Mitrovicën, Lef Nosin, Patër Anton Harapin etj). Këta burra të pjekur në rrethanat e pushtimit fashist e nazist pranuan të merrnin pjesë në krijimin e qeverive shqiptare bashkëpunëtore me pushtuesin. Këta njerëz të njohur për atdhetarinë e tyre që nga Rilindja, Shpallja e Pavarësisë, Lufta e Vlorës etj, sqaron Lulushi, duke e vlerësuar pushtimin si të përkohshëm, sakrifikuan gjithçka nga vetja me synimin që të ruanin atë që do të mbetej për gjithmonë: Atdheun dhe popullin. Kurse komunistët, të cilët atdhetarët e mësipërm i quanin “të papjekur e çiliminj” duke flijuar gjithçka në shërbim të një ideali të huazuar, u treguan të paaftë e të pa përgjegjshëm kur morën në duar fatet e atdheut e të popullit duke shkaktuar dhimbje e viktima të panevojshme e duke shkelur e shkatërruar çdo vlerë të traditës, përfshi Besën (f. 55). Aftësia e këtij autori për të karakterizuar shkurt epoka të ndryshme historike të popullit tonë të bën për vete. Kështu duke shkruar për gjysmën e dytë të shekullit XX, të quajturën “epoka e diktaturës së proletariatit”, ai sqaron se ajo filloi me gjendjen e mjeruar të trojeve shqiptare, pavarësisht se në cilin shtet bënin pjesë. Me mijëra ishin vrarë, burgosur, internuar nga shqiptarë të rinj në moshë e ide, të cilët po tregoheshin po aq të pamëshirshëm sa ishin treguar pushtuesit e huaj më parë. Jeta njerëzore po shpërdorohej. Luga e florinjtë që u premtua gjatë Luftës së 2-të Botërore u zëvendësua me metal pa vlerë. Ideali i ri, komunizmi, kishte marrë pamje të rëndë dhe për t’u dukur jo i frikshëm, filloi të propagandonte të ardhmen, së cilës po i besonin të rinjtë. Kështu, të rinjtë jetonin në të ardhmen, ashtu si të moshuarit në të kaluarën; por njerëzit, shumica detyroheshin të jetonin në të tashmen dhe e tashmja ishte ferr. Mijëra besimtarë ideologjikë dhanë jetën për këtë utopi, mijëra të tjerë jetuan me shpresë se prej saj do të rridhte dritë. Sa shumë bij të revolucionit u dënuan si dhëndurë të “reaksionit”. Shumë vepra shkrimtarësh, poetësh, kompozitorësh u grisën e u bënë karton. “Dhe kur ideologjisë i erdhi fundi, përfundon autori, të parët dolën ata që asgjë nuk kishin mësuar (pësuar) dhe asgjë nuk kishin harruar. Çfarë tragji-komedie, kjo dramë, me të qeshura e lot të hidhur” (f. 66). Një shpjegim origjinal i jep ky analist edhe fenomenit “komunizëm”, për të cilin ai jep mendimin se është i njëjtë me dogmën fetare, por, meqenëse marksizmi nuk e njeh Zotin, u quajt ideologji dhe jo fe (f.141). Eksperimenti komunizëm shpuri në ideologjizimin e shtetit, një fatkeqësi e njëjtë me rastin kur shteti fetarizohet. Shtetet e lira perëndimore shkuan përpara, sepse ato ishin të ndara si nga ideologjia dhe nga feja. Për zhurmën që po bëhet në Shqipëri për rishikimin dhe rishkrimin e historisë, ky analist jep mendimin e tij thjesht e qartë: “historia duhet shikuar e treguar ashtu si ka ndodhur”. Me guximin e tij prej qytetari të lirë, ai pohon se komunistët nuk kishin si qëllim të mirën e atdheut, por marrjen dhe mbajtjen e pushtetit me çdo kusht, prandaj krimet e tyre ishin aq mizore ndaj njerëzve dhe ndaj historisë (f. 147). Më tej ai vijon arsyetimin si historian dhe tregon, se pas ardhjes në pushtet komunistët e rishikuan historinë dhe e rishkruan duke i modifikuar ngjarjet në atë mënyrë që vetëm ata të dilnin si shpëtimtarë të gjendjes dhe fateve të atdheut. Për çdo dështim të politikës së tyre ata fajësonin armiqtë e vjetër (borgjezë, nacionalistë e intelektualë perëndimorë) dhe kur këta u mbaruan, sepse i kishin burgosur, internuar ose ishin arratisur; u desh që të krijoheshin armiq të rinj të cilët përzgjidheshin nga radhët e vetë PPSH-së. “Në kërkim të gjetjes me doemos të një armiku për dështimet, e mbyll Lulushi, komunistët u bënë armiq të vetvetes” (f. 149). Në përpjekje për të zbërthyer karakterin e Mbretit Zog I, Faik Konicës e Fan Nolit dhe të diktatorit Enver Hoxha, Lulushi pasi sqaron se vetëm njerëzit me virtyte janë ata që kanë miq, shton: “Mbreti Zog, disa herë objekt atentatesh, mbante rreth vetes një numër oborrtarësh. Enver Hoxha kishte bashkëfajtorë. Noli e Konica me shkrime e veprime treguan se, edhe pse ndonjëherë nuk pajtoheshin, ishin njerëz me ndjenja e virtyte, prandaj mbetën miq deri në fund” (f. 276). Në veprën “Pak ndryshe” shpaloset dhe pasioni i autorit pas kritikës letrare. Ai shpesh ndalet e vlerëson vepra të letërsisë sonë e të huaj, si romanin “Qyteti i ministrave” të Faruk Myrtaj, romanin “Trans” të Dashnor Kokonozit, romanin në anglisht “Balkan Caesar” të gazetarit shqiptaro-amrikan Peter Lukas pjesëtar i Luftës së 2-të Botërore, vëllimin poetik “Mungesa e hirtë” të Pjetër Jakut, librin me kujtime të At Zef Pllumbit “Rrno për me tregue” në botimin anglisht “Live to Tell”, ku Zef Pllumbin ai e cilëson i pari me fjalët “babai i historisë së përndjekjes komuniste” (f. 81). Nuk mbetet pa u vlerësuar prej këtij kritiku edhe tregimi psikologjik “Thurje e pakryer” i Fatmir Terziut, kritik e shkrimtar që ka vite që po bën emër në Londër në fushën e letrave shqipe. Edhe pse kanë kaluar shumë vjet pas shkërmoqjes së diktaturës komuniste në Shqipëri ka mjaft shqiptarë që fryhen me veprat e tyre dhe të artistëve të tjerë të realizmit socialist të cilët, me gjithë përçudnimet luftojnë të mbajnë piedestalin e njeriut të shquar. Shkrimtari Robert Martiko për t’i vënë në lojë të tillë pseudo-artistë e pseudo-intelektualë të pamoralshëm, krijoi romanin “Një çmim për shkrimtarin e vdekjes” të cilin Lulushi e vlerëson lart si roman-satirë, orwellian, dantesk, volterian(f. 277). Çudia dhe turpi vijojnë në Shqipëri edhe sot pasi kanë kaluar disa vjet nga botimi i këtij romani dhe nga vlerësimi i tij prej Lulushit. Atje ish-artistë, ish-shkrimtarë, ish-kineastë e ish-studiues të kohës së diktaturës në vend që të kërkojnë të falur për veprat që krijuan gjatë kohës së diktaturës, vijojnë t’i mburrin e lëvdojnë për të mos lëshuar piedestalin ku i vendosi dikur partia shtet. Të tillë krijuesve, ky analist ua bën të qartë burimin e turpshëm të frymëzimit të tyre tek libri “Zhgënjime sporadike” (2012), ku sqaron se nën diktaturë krijuesit krijonin nga frika se mos dështonin, se mos mbeteshin prapa kolegëve, se mos quheshin të paaftë dhe mund të humbnin shpërblimet (f. 136-137). I ndërgjegjshëm se sado të vonohet gjyqi kundër krimeve të komunizmit si regjim dhe si art e letërsi që helmoi popullin, një ditë ka për të ardhur, prandaj Lulushi shpreh bindjen e vet që në librin e parë: “sa më e rëndë diktatura, aq më shumë kohë duhet për t’u shkëputur prej saj fizikisht, shpirtërisht e mendërisht dhe se një ditë sado e largët, me kthimin në realitet do të kërkohet edhe gjykimi i së kaluarës” (f. 480). Ky mendim i tij i botuar më 2010 përkon me mendimet që Prof. Sami Repishti shprehur më 10 prill 2015 për gjyqin që iu bë nazistit 93-vjeçar Oskar Gruening i cili kishte punuar si llogaritar në kampin e Aushvicit (Auschwitz) më 1944. Ky nazist plak u dënua si pjesëmarrës i vrasjes, sepse gjatë jetës së tij nga viti 1944 deri në ditën e gjyqit, kur e tregoi faktin e shfarosjes së 300.000 hebrenjve në kampin ku punonte si llogaritar, nuk shprehu pendesë dhe dënim të krimit, por e justifikoi me fjalët, se ashtu ishte jeta në kampet e Nazizmit. Pra u dënua për mos dëshminë e terrorit që pa me sytë e tij, edhe pse nuk kishte marrë pjesë vetë në shfarosjen e viktimave. Këtë ai e bëri nga turpi, nga pesha e fajit nga frika e dënimit, thotë Repishti. Dhe ne marrim me mend se si do të gjykohen prej gjykatësve dhe prej vetë nipërve të tyre të ndërgjegjësuar kriminelët komunistë dhe gjithë ata që shkaktuan masakrimin e popullit tonë nën diktaturën komuniste, jo vetëm nëpër hetuesi, gjyqe, burgje e kampe internimi, por dhe në veprat letrare e artistike… Lulushi ka ndjekur dhe botimin e veprave shkencore, monografive etj. Midis tyre ka ndalur në vlerësimin e studimit monografik të Tomë Mrijaj “Marie Shllaku, bijë e Shkodrës, martire e Kosovës” (2004), ku ndriçohen jeta dhe bëmat e njërës prej heroinave të luftës kundër komunizmit dhe të luftës për lirinë e Kosovës. Propaganda komuniste i dënoi shumë heronj të tillë duke i mbuluar, duke i lënë në harresë, gjë që çoi në humbjen e shumë heronjve. Tani që komunizmi u shkërmoq dhe Kosova u çlirua të tillë heronj me vlera të dyfishta duhen nxjerrë në dritë. Dhe këtë punë ka kryer me sukses z. Mrijaj me studimin e tij. Një monografi tjetër tek e cila ndalet studiuesi është dhe “Fotografia një grusht diell” e Qerim Vrionit, ku përshkruhen disa fotografi shumë të realizuara, të cilat komunikojnë ide për kohën kur janë fiksuar, si një histori e shkruar me anë të dritës. Më tej Lulushi vlerëson dhe studimin anglisht “Montale and Dante” të Prof. Arshi Pipës, ku ky studiues shqiptar i doli në mbrojtje me sukses poetit italian Montale ndaj sulmeve që iu bënë si imitues i Dantes. Mendje enciklopedike, kritiku Lulushi nuk le jashtë vëmendjes as antologjinë voluminoze prej 750 faqesh të shokut të tij të rinisë, Fotaq Andrea. Ky pas një pune shumëvjeçare solli në shqip librin “Pena të arta franceze për shqiptarët 1332-2007”, ku janë mbledhur me kujdes pjesë nga korifenjtë e letrave, artit e të kulturës evropiane që kanë shkruar gjatë 700 vjetëve për shqiptarët si njerëz, si luftëtarë, si artistë etj. Në fund autori i shkrimit kërkon që Andrea ta kishte pajisur veprën me një tregues emëror për ta bërë më të lehtë orientimin e lexuesit. Pasi e kemi lexuar dhe ne këtë antologji duam të vëmë në dukje faktin e hidhur se nga shkrimet e vizitorëve të huaj dhe të shkrimtarëve të shquar francezë, bie në sy se karakteri i shqiptarit gjatë pesë shekujve të sundimit osman nuk u prish aq shumë sa u prish gjatë 50 vjetëve të sundimit të regjimit komunist. Kjo ndodhi sepse sunduesit osmanë e shfrytëzuan territorin tonë vetëm si minierë për rekrutim luftëtarësh dhe u kënaqën duke ia ndërruar besimin fetar 70 % të popullit, kurse regjimi komunist e sundoi çnjerëzisht popullin shqiptar duke ia shkelur traditat, besimin fetar, nderin e moralin që ai pati krijuar gjatë mijëvjeçarëve. Si studiues i letërsisë, Lulushi është i interesuar të vlerësojë në librin e tij të parë edhe veprën letrare të shkrimtarit tonë të shquar, Isamil Kadaresë, për të cilin në artikullin “Dilemat e krijimit” thekson: “Për Kadarenë, shqiptarët bashkohen në një mendim për nivelin e lartë artistik të veprave të tij.” Pastaj duke bërë pyetjen se kush përfitoi më shumë prej artit të Kadaresë: i shtypuri, tirani, apo vetë autori, artikullshkruesi sqaron: “Që të tre përfituan, ku, si në një kaleidoskop, që duke u rrotulluar, secili mund të shohë anën që do; të vuajturit dritën, tiranët vetëshkëlqimin dhe autori udhën për të jetuar” dhe duke e konsideruar këtë problem një “nyjë gordiane”, që nuk mund të zgjidhet saktë sot për sot, përfundon duke dhënë një si prerje me shpatë: “nga arti i Kadaresë është kultura që përfitoi” (f.72). Vlerësimet pozitive që shkrimtari dhe kritiku amerikan Xhon Apdajk (John Apdike) i bëri botimit anglisht të veprës “Kronikë në gur” të Kadaresë, e entuziazmuan Lulushin dhe ai u dha vend në shkrimin “Kronika dhe spirale”. Figurat e artit botëror me origjinë shqiptare si fotografi Gjon Mili dhe aktori Xhon Belushi, zënë vend të rëndësishëm në përmbledhjen e parë të Lulushit. Ai jep hollësira nga jeta e tyre dhe vlerësimet që u kanë bërë personalitete të kritikës e letërsisë botërore. Gazetar i formuar, Lulushi sqaron se gazetat partiake në Shqipërinë paskomuniste bashkë me luftën e ashpër politike për marrjen e pushtetit me çdo kusht, tregojnë se monizmi nuk i përket historisë, por është prezent. Janë dukuri paradoksale botimi i gazetës “Zëri i Popullit”, ish-organ i PPSH-së dhe tani si organ i PS-së edhe botimi i gazetës së Partisë Demokratike me emrin “Rilindja Demokratike”, kur dihet se në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë jeta demokratike që të pretendohet se tani kemi një rilindje të saj (f. 100).
Vijon….
Sigal