Kalaja e Beratit ka pasur rregulla, hyrjet dhe daljet ishin me orar

1238

Kalaja, “bërthama”, ku lindën lagjet dhe qyteti. Aty gjenden 8 kisha, 200 shtëpi dhe shumica e banorëve janë të krishterë

Është ndërtuar në një shkëmb të egër. Ka perimetër 2600 hapa të mëdha me distancë 100 hapa njëra nga tjetra. Ndërsa porta e brendshme është e ndërtuar prej gurësh të mëdhenj, sa trungu i një elefanti. Në këtë kala është ndërtuar xhamia e Bajazitit që mbante 6 topa luftarake, kishte edhe një shtëpi për komandantin e garnizonit turk. Kalaja ka 200 shtëpi të mbuluara me tjegulla. Shumica e banorëve janë të krishterë. Shtëpitë janë me oborre e selvi. Ka 8 kisha, por njëra është më e madhe dhe më e bukur. Rrugët janë të shtruara me kalldrëm. Ana jugore e kështjellës qëndron si në humnerë dhe është e vendosur në një shkëmb të pjerrët që bie thikë mbi luginën e Osumit. Në faqet shkëmbore ka disa guva e shpella. Tabja mbyll pjesën jugore të Kalasë. Monopati është përshkruar si një vepër, ku vlerësohen ndërtuesit. Është për t’u theksuar se lagja “Kala” është e mbyllur brenda mureve rrethuese që formojnë një trekëndësh të pa rregullt. Brinja jugore e këtij trekëndëshi qëndron pjesërisht mbi shkëmbin e thepisur dhe zbret thikë. Brinjët e tjera qëndrojnë faqeve të kodrës me pjerrësi 40- 50 gradë. Kodra, ku është ndërtuar Kalaja është në lartësinë 187 metra. Brinja më e gjatë rrethuese e murit është 600 metra. I gjithë perimetri rrethues i mureve të kështjellës është vendosur në 24 pika kyçe, në përshtatje me terrenin. Kullat janë në forma të ndryshme. Gjatë viteve disa janë prishur nga luftimet, e ndërsa rindërtimi tyre është bërë me hope, i ngadalshëm. Tek hyrja kryesore gjendet oborri i fortifikuar, ndërsa brenda mureve rrethues është kështjella e dytë, akropoli, ku ka qenë selia e sundimtarëve të kalas dhe të qytetit. Një fakt interesant është edhe rregullat që ishin të vendosura në Kala. Kështu para vitit 1912 në Kala ishte vënë orar i hyrjes për në orët e vona të natës. Ishin dy porta druri që i hapnin dhe i mbyllnin. Ato siguroheshin me lloza. Mbyllja bëhej çdo mbrëmje në një orë të caktuar. Pas mbylljes së portës, porta nuk lejohej të hapej veç rasteve të veçanta që merrej lejë.

Krijimi si lagje

Banorët e parë të qytetit Antipatrea kanë qenë në Kala, pra është Kalaja ajo që ka qenë bërthama, ku lindën lagjet e tjera si dhe vetë qyteti i Beratit. Kjo tregon se Kalaja ka qenë e banueshme qindra vjet me parë dhe është e vetmja Kala e banuar në Ballkan. Gjatë Perandorisë Romake me perandor Justilianin, kështjella mori emrin Antipatrea. Këtë mendim historikë e kanë shqiptarët dhe të huajt që janë marrë me punën studimore të këtij qyteti. Gjatë sundimit të dinastisë së Komnenëve dhe të Muzakajve lagja e “Kalas” pati zhvillim të madh sidomos në tregtimin e materialëve të artizanatit. Kalaja ka qenë objekt i sulmeve të anxhuanëve, të turqve (nga Hajredin Pasha e Sulltan Bajaziti). Mbrojtja e kalasë nga Theodhor Komneni, rrethimi i Kalas nga Skënderbeu e tjera luftime. Me pushtimin e kalas nga turqit u bënë disa meremetime të mureve të prishura nga lufta. U ndërtuan në Kala dy xhami në shërbim të selisë turke e të ushtarëve të garnizonit turk. Në kohën e pashallëqeve, në Kala janë kryer një sërë punimesh, tregojnë dorëshkrimet në muze. Sipas historianëve bëhet e ditur se Kalaja është rrethuar disa herë edhe nga kryengritësit Tafil Buzi, Alush Frataraku, Rrapo Hekali me qellim kryesor dëbimin sunduesit. Lufta e Parë Botërore e shkatërroi më shumë lagjen “Kala”, sidomos nga thesaret që ajo kishte në kishat, të cilat u grabitën. Kishat u kthyen në depo armatimi.

Sistemi i galerive të mbrojtura 

Ky sistem shërbente për sjelljen e ujit të lumit Osum në Kala (në kohën e luftës). Kjo është një nga veprat inxhinierike që paraqet interes të veçantë. Këto galeri të mbrojtura në formë tuneli me kulla shtrihen nëpër shkëmbin jugor të kalas. Këto dy ndërtime shërbenin për furnizimin e kalas me ujë. Për këtë shkruan edhe Çelebiu. Sistemi galerive është i maskuar. Nis nga brendësia e kështjellës jugore e zbret tek rrapishtat buzë lumit Osum pranë Urës së Goricës. Rruga është shkallë – shkallë me gurë të prerë e gjatë 1600 hapa. Kjo bënte që banorët kur të ishin të rrethuar merrnin ujë pa u diktuar. Ka qenë kaq e studiuar nga ndërtuesit, sa disa shkallë vazhdojnë edhe nën ujë, pra një fantazi me vlera të ndërtuesve tanë. Galeria është e gjerë 1.5 m, e mbuluar me qemer e gurë në përputhje të plot me terrenin shkëmborë.

Saranxha

Kanë shërbyer për furnizimin me ujë banorët e Kalas. Nëpërmjet kanaleve, ullukëve me ujin e shirave mbushej saraxhaja nga vrimat e sipërme e saj (kjo ekziston edhe sot). Kapaciteti i Saranxhës ishte 70- 80 metër kub ujë, sasi e cila nuk mund të plotësonte nevojat e banorëve të Kalasë. Saranxha është e ngritur nga niveli tokës dhe ka formën e shkronjës L. Mendohet se saranxhat kanë ekzistuar në shekujt para erës së re.

Objektet e Kultit 

Kalaja është lagja që ka më shumë objekte kulti në vendin tonë. Kryesisht objekte kultit janë të fesë krishtere. Vetëm dy janë të fesë myslimane. Turqit gjatë periudhës që pushtuan ndërtuan dy xhami. Xhamin e kuqe dhe xhamin e Bardhë në një pozicion, ku lartësia e Kalas është më e dukshme nga vendi përreth. Objektet e kultit të çdo besimi fetar pasqyrojnë vlerat të shumta për punën ndërtimore, arkitekturën, pikturën. Këto janë thesare që kanë mundur të punojnë paraardhësit tanë. E gjithë kjo trashëgim formon një pasuri të madhe të kulturës sonë popullore. Kalaja e Beratit është strehim i kishave bizantine. Aty ka patur rreth 32, shumë nga këto janë rrënuar.