Kadri MUKA/ Nenet në projekligjin qeveritar që rindëshkojnë ushtarakët

652
(Vijon nga numri i kaluar)
Mbështetja e propozimit për miratimin e projektligjit në nenin 155 të Kushtetutës, është sa i pabazë as edhe i papranueshëm. Në këtë nen mbështet ajo kategori propozimesh ligjore që kanë të përbëjnë me ato çështje që ai vetë përcakton. Sipas tij, lehtësimi ose përjashtimi prej taksave, tatimeve dhe detyrimeve financiare kombëtare e vendore i kategorive të caktuara të paguesve dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj dhe në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese. Në fakt qëllimi i vërtetë i projektligjit nuk ka pse të jetë ai që pasqyron. Në rastin konkret, kur debia dhe detyrimi që u është veshur ushtarakëve rrjedh nga një proces i parregullt ligjor, si rezultat i mosrespektimit të parimeve të shtetit të së drejtës, vendimeve të Kushtetueses dhe dispozitave të ligjit organik, statusit të ushtarakut nga ligji i zakonshëm, nuk kemi të bëjmë me me ato që rrok neni 155 i Kushtetutës. Në thelb edhe pse bënë fjalë për faljen e detyrimeve të ish ushtarakëve”, në fakt shteti i fal vetes detyrimet që u ka ushtarakëve dhe përfituesve të tjerë të ligjit. Këta të fundit janë shpallur të tillë thjesht e vetëm për shkak të një akti dhe veprimi të paligjshëm të organeve shtetërore. Këto organe që nga Këshilli i Ministrave (KM) që më aktin normativ nr.5/2010, të miratuar pas vendimit nr.33/2010 të Gjykatës Kushtetuese, në vend se të reflektonte këtë vendim, pra të shfuqizonte pikën 2 të nenit 14 të ligjit nr.10142/2009 dhe nenin 27 si dhe të përputhte pikën 2 të nenit 29 me interpetimin pajtues që ky vendim i bënte rillogaritjes që parashikonte kjo dispozitë, bënë të kundërtën. 

Nëpërmjet aktit normativ edhe pse ky vendim i Kushtetueses, sanksionoi se as për interesat e rëndësishme publike masa maksimale e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk mund të zvogëlohet, e zvogëloi atë në 1.5% për vit shërbimi të pagës mesatare neto referuese. Edhe pse ai (VGJK/33) nuk lejon asnjë lloj rillogaritje nga e cila cënohet e drejta e fituar me ligjet e mëparëshme, detyroi rillogaritjen duke e zvogëluar atë nga 50 % të pagës referuese për 12-15 vjet vjetërsi shërbimi duke i shtuar 2% për çdo vit tjetër në 1.5 % për vit shërbimi të pagës mesatare neto referuese. Për shkak të këtyre por edhe të cënimit të masës së pensionit të parakohshëm caktuar me nenin 35 të ligjit organik statusit të ushtarakut, padrejtësisht ushtarakët dhe përfituesit e tjerë u shpallën debitorë dhe u ngarkuan me detyrimin e pagimit të shumës që rrodhi nga diferenca midis të drejtës së fituar me zvogëlimin e bërë më akt të paligjshëm të institucioneve të shtetit. Aktit antikushtetues e antiligjor të KM, Kuvendi i shtoi atë të miratimit të aktit normativ me miratimin e ligjit nr.10367/2010, ligj i cili e shndërroj atë akt në ligj. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi është një e drejtë themelore e parashikuar nga neni 52 pika 2 e Kushtetutës së RSH dhe nga Konventat Ndërkombëtare. Ai, sipas nenit 15 të Kushtetutës nuk mund të dhunohet, tjetërsohet, trasformohet. Masa e tij, sipas vendimit nr. 33/2010 të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të mos zvogëlohet as për interest e rëndësishme publike. Ai është një e drejtë e përcaktuar nga statusi i ushtarakut, neni 35, i cili është në zbatim të nenit 49, 52 dhe 167 i Kushtetutës, për të cilin Kushtetuesja në vendimin nr.9/2007, shprehet saktësisht se: “E drejta për pension (qoftë edhe për pension të parakohshëm) është e drejtë subjektive. Këto të fundit – marrëdhëniet juridike të krijuara – mbrohen nga parimi kushtetues i shtetit të së drejtës, në të cilin përfshihen edhe e drejta e fituar dhe siguria juridike. 
Çlirimi i projektligjit nga neni 155 
Ai është një e drejtë e sigurimeve shoqërore e parashikuar nga neni 52 e Kushtetutës, që neni 2 i ligjit të sigurimeve shoqërore mbron me të ardhura personat e punësuar në lidhje me papunësinë. Për këtë arësye, vendimi nr.9/2007 i Kushtetueses shprehet: “Prandaj, futja e një rregullimi të ri për pensionet duhet të bëhet duke u kujdesur që kjo të respektojë, ndër të tjera, edhe këto të fundit”. Po kështu, është edhe një e drejtë që sipas pikës 1 të nenit 28 e ligjit nr.10142/2009 i ndryshuar, nuk parashkruhet. Të gjithë këta faktorë bëjnë që propozimi i projektligjit të çlirohet nga referimi në nenin 155 të Kushtetutës, adresimin e tij jo në faljen e detyrimeve të ushtarakëve e përfituesve të ligjit nr.10142/2009, i ndryshuar, se detyrimet i ka shteti ndaj tyre, sa prej procesit të parregullt ligjor, aq edhe të thelbit të së drejtës dhe përfitimeve nga e drejta e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Çlirimi i projektligjit nga neni 155 e detyron edhe fakti se ushtarakët dhe gjithë përfituesit e ligjit nr.10142/2009, i ndryshuar janë shpallur debitor pa qënë të tillë si rrjedhojë aktit dhe veprimit të parregullt të institucioneve të shtetit të realizuar pas vendimit nr.33/2010 të Kushtetueses të aktit normative, nr.5/2010 të Këshillit të Ministrave dhe ligjit nr.10367/2010 që miratoi atë. Akti normativ nr.5/2010 i KM pas shfuqizimit të pikës 2 të nenit 14 dhe konsiderimit kushtetues të pikës 1 të këtij neni nga vendimi nr.33/2010 i Kushtetueses, nuk kishte kompetencë të zvogëlonte masën 50% të pagës referuese për 12 vjet femra dhe 15 vjet vjetërsi mashkulli duke i shtuar asaj 2% për çdo vit tjetër shërbimi, ta zvogëlonte dh eta bënte 1.5% të pagës mesatare neto referuese. Kjo sepse neni 132 pika 1 e Kushtetutës sanksionon se: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare”. 

Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi 50% të pagës referuese për 12 vjet femra dhe 15 vjet vjetërsi mashkulli duke i shtuar asaj 2% për çdo vit tjetër shërbimi, nga statusi i ushtarakut i 23 marsit 2004 është garantuar deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie dhe jo deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr.10142/2009 i ndryshuar. Neni 14 i ligjit nr.10142/2009 i ndryshuar me pikën 1 të nenit 3 të aktit normative nr.5/2010 i KM, miratuar nga ligji nr.10367/2010, është në zbatim të nenit 35 të statusit të ushtarakut dhe si i tillë, nuk ka atributin e ndryshimit dhe zvogëlimit të masës së nenit 35 të statusit të ushtarakut. Këtë e ndalojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Vendimi nr. 29, datë 09.11.2005; nr.3, datë 20.02.2006 thotë: “…aktet juridike më të ulta duhet të jenë në pajtim me aktet juridike më të larta, si në kuptimin formal, ashtu edhe atë material”. Ndërsa vendimi, nr. 6 datë ¬¬17.02.2012 thotë: “ligjet e zakonshme duhet të nxirren jo vetëm në bazë dhe për zbatim të Kushtetutës, por duhet treguar kujdes i veçantë që ato të mos prekin rregullimet që përfshihen natyrshëm në sferën ekskluzive të ligjeve organike”. Këto vendime veç sa më sipër shtojnë: “Kuvendi nuk mund të miratojë një ligj të ri ose shtesa në një ligj të mëparshëm, të cilat kërkojnë “shumicë të cilësuar”, me “shumicë të thjeshtë”. Në një realitet të tillë Kushtetuta nuk krijon asnjë boshllëk. Përkundrazi, në nenin 44 sanksionon: “Kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore”. Kjo detyron referimin jo në nenin 155, por në këtë nen ku edhe i takon realisht çështjes, çka do të thotë reabilitim dhe zhdëmtim të dëmit të sjell nga data e shkaktimit të tyre. Përfshirja nga vet ligji nr.10142/2009 i ndryshuar, neni 28 i së drejtës së përfitim të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në të drejtë që nuk parashkruhet, nuk ndalon por detyron shtrirjen e efekteve koregjuese nëpërmjet reabilitimit dhe dëmshpërblimit, pikërisht nga data kur masa e këtij pensioni është zvogëluar dhe padrejtësisht përfituesit e këtij ligji ku përfshihen edhe ushtarakët janë shpallur debitor, pa qënë të tillë dhe janë detyruar të paguajnë shumën debitore përkatëse padrejtësisht. Këtyre u vjen në ndihmë vendimi nr.9/2007 i Kushtetueses, i cili shprehet: “Teoria e së drejtës pranon se fuqia prapavepruese zbatohet si përjashtim si për shembull në ligjet penale favorizuese, në ligjet që ndërhyjnë për të rregulluar me ligj situata të paligjshme të krijuara më parë, në ligjet që interpretojnë anët e errëta ose të paqarta të një ligji të mëparshëm e në ndonjë rast tjetër ku paraqitet domosdoshmëria për të shmangur pasoja të rënda, negative ose të pandreqshme”.
Antikushtetuestshmëria shprehet edhe në përmbajtjen e neneve të tij 
Ndarja e ushtarakëve dhe përfituesve të tjerë në katëgorinë e atyre që kanë pagur plotësisht “detyrimin”; ata që kanë ende “detyrime për të paguar”; ata që me vendime gjyqësore u është njohur e drejta e përfitimit nga data 01.07.2009 mbi bazën e së drejtës së fituar me ligjin e mëparshëm; ata që do tub ëhet rillogaritja brenda 3 muajëve nga hyrja në fuëi e këtij ligji dhe në ata që rillogaritja do tu bëhet pas kësaj date. Projekti duke parashikuar vetëm mospagimin e shumave të papaguara, duke detyruar pagimin për rillogaritjet 3 muaj nga data e hyrjes në fuqi të tij si dhe moskthyer shumat e paguara para kësaj date dhe atyre për shkak të vendimeve gjyqësore për shkak të njohej së masës së përfitimit pas datës 01.07.2009, përligj pabarazinë dhe diskriminimin misid këtyre grupeme përfituesish, të cilat i ndalon Kushtetuta në nenin 18 dhe për të cilën Gjykata Kushtetuese në vendimin nr.9, datë 26.02.2007 është shprehur: “Respektimi i parimit të barazisë kërkon ndërmjet të tjerave mosdiskriminimin e grupeve në kushte të njëjta të shtetasve pa arsye të përligjura.”. Veç kësaj ky vendim thotë: “Në nenin 5 të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të cilit i referohet ligji në shqyrtim, pasi pranohet karakteri i veçantë i detyrës dhe i shërbimit ushtarak, pranohet se si ushtarakët efektivë, ashtu edhe ata në rezervë/lirim ose në pension gëzojnë në mënyrë të njëllojtë statusin si ushtarak dhe, parimisht, nuk lihet vend për krijimin e ndonjë ndarjeje midis këtyre kategorive.”.


Projektligji në kundërshtim nga sa më sipër i ndan përfituesit në pesë katëgorinë edhe pse ushtarakët i përkasin të së njëjtës kategorie që statusi i ushtarakut u njeh të njëjtën pozitë juridike, të njëjtën pozitë ekonomiko-financiare, të njëjtën pozitë shoqërore, që gëzojnë të njëjtat të drejta dhe i nënshtrohen të njëjtave kufizime përsa i përket lirive e të drejtave për shkak të veçorisë së shërbimit. Po kështu ata bëjnë dhe firmosin të njëjtin betim. Betohen se nuk do kursejnë as jetën për mbrojtjen e interesave të atdheut e popullit. T’i ndash në ata që kanë pagur plotësisht “detyrimin” dhe që nuk u mbahet asgjë nga e ashtuquajtura detyrim, debi apo borxh; në ata që kanë ende “detyrime për të paguar” por që nuk do të paguajnë atë që ka mbetur pa u paguar; në ata që me vendime gjyqësore u është njohur e drejta e përfitimit nga data 01.07.2009 mbi bazën e së drejtës së fituar me ligjin e mëparshëm të cilët nga kjo datë do paguajnë diferencën midis masës së përfituar me ligj dhe masës që rezulton nga rillogaritja në masën 1.5% e pagës mestarare neto referuese për vit shërbimi; në ata të cilëve do t’u bëhet rillogaritja brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji nuk do paguajnë diferencat, dhe në ata që rillogaritja do tub ëhet pas kësaj date, nuk bëhet e nuk mund të bëhet fjalë për të barabartë brenda të barabartëve. Ajo është shprehje pabarazinë midis tyre edhe pse ata ligjërisht janë të barabartë. Nga kjo pabarazi diskriminohen ushtarakët që kanë paguar tërësisht “detyrimin”; ushtarakët që gjykatat u kanw njohur të drejtën e trajtimit edhe nga data 01.07.2009 me të drejtën e fituar sipas ligjit të mëparshëm dhe ushtarakët që rillogaritja do u bëhet mbas 3 muajve të hyrjes në fuqi të këtij ligji. Projektligji nuk e mbyll me kaq aventurizmin. Çuditërisht ai guxon të rrëzojë vendimet e formës së prerë të gjykatës dhe të zvogëlojë masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të këtyre përfituesve nga data 01.07.2009, pavarësisht se vendimi gjyqësor u ka garantuar të drejtën e fituar deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie. 
Kuvendi të mos kthejë në ligj një projektligj dhe të mos detyrojë kërkesën për shfuqizimin antikushtetues të të tij
Një shtet dhe një qeveri serioze e tij e ka për detyrë dhe detyrim përputhjen plotësisht të projektligjit dhe ligjit me Kushtetutën, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjit zakonshëm me ligjin organik. Duke qenë se projektligji aktual nuk i plotëson këto kushte dhe ende nuk është miratuar e bërë ligj, nuk është vonë tërheqja e tij dhe kryerja në të e ndryshimeve: Emërtimi aktual të zë zëvendësohet me emërtimin: “Për reabilitimin dhe zhdëmtimin në përputhje me nenin 44 të Kushtetutës, vendimin nr.33/2010 dhe nr.2/2013 pika 21 dhe 26 të Gjykatës Kushtetuese, të përfituesve të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në RSH, i ndryshuar”. Baza ligjore mbi të cilin mbështetet propozimi i projektit të jetë neni 4, 15, 44, 52 pika 2, 78, 83 pika 1, 132 pika 1 të Kushtetrutës, vendimi nr.9, datë 16.02.2007; nr.33, datë 24.06.2010 dhe nr.2, datë 18.02.2013 pika 21 dhe 26 të Gjykatës Kushtetuese. 
Përmbajtja aktuale e projektit të zëvendësohet me përmbajtjen
1. Reabilitohen të gjithë përfituesit e ligjit dhe zhdëmtohen nr.10142, datë 15.05.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA, Policisë së Shtetit, Burgjeve, etj, Gardës së Republikës, SHISH dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në RSH, i ndryshuar”.
2. Ndryshimin e pika 1 të nenit 14 sipas kësaj përmbajtje: Pensioni i parakohshëm për për personat, që plotësojnë kushtet e përfitimit sipas pikës nenit 13 të ligji nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar jepet në masën 50 për qind të pagës mujore bruto dhe për çdo vit tjetër shërbimi shtohet me 2% të pagës bruto të muajit të fundit të shërbimit, deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie, me datë fillimi 01.07.2009.
3. Zhdëmtimin në përputhje me pikën 1 të këtij ligji të gjithë përfituesit e ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në RSH, i ndryshuar”, nga data 01.07.2009 për shumën e paguar dhe atë të llogaritur si debi mbi bazën e rillogaritjes sipas nenit 29 pika 2 e këtij ligji duke përfshirë edhe ata që me vendim të formës së prerë të gjykatës u është njohur e drejta e fituar deri në datë 30.06.2009 dhe u është mohuar pas kësaj date, si dhe përfituesëve të pashyrjes në fuqi të këtij ligji. 
Sigal