Kadri Karriqi, banor: Legalizohet shtëpia në mes të pyllit, e punonjëses së Shërbimit Pyjor

148

Problemi/Ndërtimet  pa leje shkatërrojnë kurorën e gjelbër në Përrenjas

Zbritja e banorëve  të fshatrave të largët të Librazhdit ka bërë që të shkatërrohet kurora e gjelbër, e mbjellë me pisha, të Bashkisë së Përrenjasit. Prej vitesh vazhdon të shkatërrohet mushkëria e Përrenjasit, ky masiv pyjor me pisha që i jep përveçse frymë, edhe bukuri qytetit të vogël të minatorëve, duke bërë ndërtime, ku mbi 100 prej tyre janë pa leje. Megjithëse janë vendosur disa gjoba për këto ndërtime, përsëri vazhdojnë ndërtimet, madje disa nga  banorët thonë se janë gjobitur ata që janë të varfër e pa përkrahje. Disa kanë shtëpitë e legalizuara, disa janë dënuar, madje vetë punonjësit që punojnë në sektorin pyjor të Librazhdit, kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në këtë masiv pyjor të bukur dhe për të tjerët kanë vendosur gjoba, madje një banor, Kadri Karriqi thotë se   punonjësja e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor që paguhet për mbrojtjen e kësaj sipërfaqeje, ka ndërtuar vetë shtëpinë aty. Ndërkohë që ka gjobitur një fshatar, sepse nuk e ka paguar, madje ka bërë dhe dy muaj burg dhe ka paguar 9 milion lekë gjobë. Z. Karriqi thotë se Lutfi Bogdani nga Rrajcë Skenderbeu, i Komunës Rrajcë, zbriti si të gjithë banorët në Përrenjas, por u gjobit se nuk pagoi para, madje bëri edhe burg. Kërkon që të verifikohen edhe lejet e dhëna dhe pagesat, kërkon që të verifikohet çdo banor. Ndërkohë që në bashki i thonë që është në varësinë e Shërbimit Pyjor Librazhd, ndërsa Shërbimi Pyjor thotë që është në territorin e Bashkisë Përrenjas. Megjithëse janë vendosur disa gjoba nga DSHP Librazhd, përsëri vazhdon të ndërtohet dhe ata që ndërtojnë me ose pa leje nuk përfillin shtetin. Madje për punonjësen e Shërbimit Pyjor thuhet se e ka të legalizuar shtëpinë e saj, që e ka ndërtuar në mes të masivit pyjor, duke prishur sipërfaqe të konsiderueshme mjedisore. Sipas Shefit të Policisë Pyjore, Viktor Allko, “janë  gjobitur  të gjithë ata që kanë ndërtuar pa leje dhe  janë dërguar në Gjykatë për të paguar dëmin e shkaktuar ndaj shtetit”. Janë  mbi 10 hektar tokë pyjore të shkatërruara, të zëna nga banorët e  zbritur nga zona e Mokrës dhe fshatrat e Komunës së Rrajcës, Stravanit e Qukësit.