Kadri Disha:“Partia jonë, shpresa e vetme për minatorët e Bulqizës”

983
Sigal

INTERVISTA/ Flet Kadri Disha, kandidat për deputet i Partisë Social Punëtore të Shqipërisë në Qarkun e Dibrës

Problemet e minatorëve të Bulqizës me ndjekjen e këtyre politikave diskriminuese asnjëherë nuk kanë për të sosur. Madje, as kërkesa për miratimin e statusit të minatorit nuk ka për t’u realizuar, sepse në lojë janë plot gjëra të tjera. Por minatorët të lodhur nga premtimet e mbushura me fjalë të bukura kërkojnë ndryshimin dhe këtë ndryshim atyre mund t’jua japin vetëm partia Social Punëtore e Shqipërisë, një parti, e cila nuk i ka lënë kurrë në baltë, por ka dal hapur në mbrojtje të interesave të tyre. Por se çfarë do të bëj më shumë kjo forcë politike i tregon në një intervistë për “Telegraf”, Kadri Disha, kandidat për deputet në Qarkun e Dibrës.

Z.Kadri, ju jeni kandidat për deputet i një partie që ka mbi një dekadë që është themeluar dhe që ka mbrojtur fuqishëm interesat e punëtoreve. A mendoni se kjo është një pikë e fortë drejt fitores?

Partia Social Punëtore e Shqipërisë që me krijimin e saj në vitin 1992 e deri më sot ka mbrojtur interesat e punëtorëve, fshatarëve, intelektualëve të ndershëm dhe pa kapitale private apo shtetërore, thënë në tërësi; Shtresën e varfër. Gjatë ndërrimit të sistemeve nga një sistem me ekonomi të centralizuar, ku udhëhiqte Partia -Shtet, për punëtorët, fshatarët e intelektualët jo kapitalistë filloi gënjeshtra e madhe manipuluese shtypëse dhe shfrytëzuese që vazhdon edhe sot dhe besoj se, mbrojtja e interesave që është bërë nga partia lidhur me minatorët dhe të tjerë do të sjell diçka për ne.

Sipas jush kush kanë qenë faktorët që kanë ndryshuar aktivitetin e minierave në tërësi?

Në vitet e komunizmit vetëm në minierë punonin rreth 60 000 mijë minatorë, pa përfshirë këtu sektorë të tjerë që vepronin në shërbim të kërkimit e burimit të mineralit të kromit. Miniera e kromit, ku përfshihej ndërmarrja e Ndërtimit të Minierës Bulqizë kishte të punësuar afro 2 500 punëtorë. Kjo ndërmarrje kishte për detyrë hapjen e punimeve kapitale që do të thotë se përgatiste dhe hapte galeri kryesore dishenter, punime të pjerrëta, puse nëntokësore deri në distancën e caktuar të trupit të kromit sipas të dhënave gjeologjike ose të shpimit me sonda që shërbenin për zbulimin e mineralit të kromit, ku vetëm Ndërmarrja Gjeologjike kishte rreth 1500 punëtorë vetëm në Bulqizë. Ku deri në vitin 2001 miniera kishte rezerva të hapura të bëra gati për shfrytëzim deri në nivelin e 14-të të pusit Nr.2, ku me mijëra tonë krom u morën dhe u grabitën nga të gjitha firmat që kryejnë aktivitetin në minierat e Bulqizës. Duke shfrytëzuar rezervat e gatishmërisë, ku punëtori i nëntokës mezi kalon muajin, për të përballuar çmimet e ekonomisë së tregut, ku akoma paguhet si në ekonominë e centralizuar me një libër normash të kohës së ish-kryeministrit të regjimit komunist Adil Çarçani, ku punëtorët në shtetin e tyre shtypen dhe shfrytëzohen nga Qeveria shqiptare e drejtuar nga Kryeministri, z.Sali Berisha për të pasuruar të huajt si në kohën e tranzicionit turk, në një rend skllavo-pronar.

Edhe pse ndër vite janë organizuar shumë greva, akoma nuk është miratuar statusi i minatorit, partia juaj çfarë do të bëjë në këtë drejtim edhe pse dihet që ka pasur angazhimin maksimal?

Në vitin 2009 u zhvillua “Greva e Lirisë” e minatorëve për kushtet e punës, pagat etj.. Ku u fitua një rritje e vogël e pagës dhe sikur lëvizën pak investimet në minierë po prapë nga mos funksionimi i ligjit kryesisht miratimi i statusit të minatorit u la me qëllim që të shkatërrohej pasuria kombëtare e të gjithë shqiptarëve. U groposën një herë e përgjithmonë qindra tonë krom, duke shkurtuar jetën e veprimtarisë në sektorin minerar që minatorëve ju desh për ta ndërtuar rreth 30 vjet punë. Në vitin 2011 u zhvillua greva më e gjatë në Bulqizë që zgjati tre muaj rresht. Greva përfundoi me rrahjen e minatorëve të kalbur nga puna e rëndë e nëntokësore. Dhe gjatë asaj kohe Bulqiza për tre muaj u vu në “shtetrrethim”. Por ne do të bëjmë të pamundurën që ditët e këqija të marrin fund për minatorët dhe mbi të gjitha të realizohet kërkesa e tyre, për miratimin e statusit të minatorit.

Mashtrimet e pushtetarëve

Në vitin 1992 kur në Shqipëri ndodhi rotacioni politik, ku pushtetin e mori Partia Demokratike, minatorëve , intelektualëve, personat inxhiniero-teknik, u premtua paga e punëtorëve europian. Të joshur nga fjalët e bukura të pushtetarëve demokratë, punëtorët u mashtruan nga viti në vit duke ardhur deri më sot në vitin 2013. Na është premtuar statusi i minatorit që për ne minatorët është po aq e rëndësishme sa edhe statusi i përfaqësimit në Bashkimin Europian, ku pretendohet të shkojmë. Si shqiptarë për këto premtime që folëm më lart në vitin 1994 u zhvillua greva e parë me kryetar sindikate Hider Buci, në nën nivelin e 5-të të pusit Nr.2, ku nuk munguan represionet, burgosjet e sindikalistëve, rrahjet dhe torturat në shtetin e demokracisë.