Kadri Asllani, Dëshmori i Peshtanit

997
Sigal

Bashkim Sulçe

Quhej Kadri Mustafa Asllani. Ka lindur në fshatin Peshtan të Beratit, më 1928. Dy prindërit e tij, Mustafaj e Rrahimeja, rridhnin nga familje të varfra fshatare. Tradicionalisht familja e fisi i tyre është marrë me bujqësi dhe blegtori. Në fshatin e lindjes, ku kaloi fëmijërinë, nuk kishte shkollë që të mund të arsimohej, megjithatë mori një edukatë të shëndetshme nga prindërit që ishin njerëz punëtorë e të respektuar në fshat. Kadriu kishte 3 vëllezër dhe një motër. Kadriu ishte më i vogli i vëllezërve. Atij iu caktua nga familja ruajtja e bagëtive, deleve e dhive, në një kohë që Shabani, Novruzi e Hyseni merreshin me bujqësi, kurse motra me punët e shtëpisë. Ishin në një gjendje ekonomike të mjerueshme. Ngrohja në familje bëhej me dru dhe gatimi po kështu, kurse për ndriçim shërbenin kandili dhe ndonjë fener me vajguri. Pushtimin fashist të vendit, si tërë fshati, e pritën me indinjatë. Më 1943, djali i Mustafait, Hyseni, u inkuadrua partizan në Brigadën e VII Sulmuese. Largimi i vëllait, mungesa e tij në shtëpi, ndikoi dukshëm tek Kadriu për të shprehur urrejtjen ndaj pushtuesve fashistë. Në fshatin Peshtan Balli Kombëtar kishte influencë të madhe, pasi Abaz Ermenji kishte bazën këtu. Nga fundi i majit 1944 në Peshtan kaloi Brigada V Sulmuese, me komandant Shefqet Peçin. Ata bënë një pushim për t’u çlodhur në fshat. Djemtë u bënë kureshtarë dhe u mblodhën vetiu pranë partizanëve. Tre të rinj nga fshati u rreshtuan me partizanët. Kadriu, që ishte duke ruajtur bagëtitë, me ta marrë vesh ardhjen e Brigadës, i dorëzoi kërrabën shokut të vet, i la amanet bagëtitë dhe pa njoftuar prindërit, u bashkua me partizanët e kësaj brigade. Ishte vetëm 16 vjeç. Lajmin e ikjes së tij partizan, Rrahimeja e mori vesh, kur shoku i tij, bari, i cili solli në shtëpi bagëtitë, kërrabën dhe lajmin e nisjes partizan të Kadriut. “Pushka top!” kishte uruar babai. Ndërsa e ëma qante për djalin e vogël, e dëshironte ta kishte puthur së paku. Kadriu u bashkua me shokët, por ishte i brishtë e i pakalitur me vështirësitë. Nisen për marshim. Në fshatin Tunjë, mbi Kuçovë, u bë një pushim i shkurtër. Dy djemtë e Peshtanit i ndanë, njëri në Batalionin e 4-t dhe Kadriu në Batalionin e 5-të. Filloi marshimi sërish nëpër: Mollas, Dumre, e më pas në Peqin, ku mezi kaluan lumin Shkumbin dhe u vendosën në Qafë Kërrabë, ku qëndruan gati 2 javë. Pushka ishte më e gjatë se Kadriu dhe shokët e batalionit e donin dhe e ndihmonin shumë. Erdhi urdhri dhe u nisën drejt Tiranës dhe pushimin tjetër e bënë në Shkallën e Tujanit. Për gjithë natën dolën në fshatin Kurdari të Burrelit. Si gjithë djemtë e popullit, të pangrënë e të zhveshur s’pyetën për ngricë e dëborë, por marshuan maleve për lirinë e Atdheut me këngë në gojë…

Pas një përleshjeje me forcat balliste dolën fitimtarë partizanët dhe marshuan drejt Peshkopisë ku edhe këtu u bë një betejë e madhe dhe morëm rrugën anës lumit Drin i Zi, në Lurë dhe pranë fshatit Bicaj. Dhe këtu u bënë luftime të ashpra dhe u dha urdhër që 2-3 batalione të marshonin drejt Gjakovës. Kështu u bë. Morën rrugën anës malit të Zhurit, pastaj anës lumit Drini i Bardhë. U dha urdhri për çlirimin e Gjakovës dhe pas saj, iu afruan qytetit të Prizrenit. Në Prizren u bë një luftë e ashpër. Mbas çlirimit të Prizrenit, Brigada qëndroi mjaft në Prizeren. Nga këtu Kadriu i bëri një letër familjes për ta nisur në Peshtan, por që nuk mbërriti kurrë. Kardiu ishte një djalë i imët, me flokë e sytë gështenjë, i gatshëm e i palodhur të ndihmonte shokët për të transportuar municionet. Kadriu së bashku me batalionin marshuan drejt Mitrovicës. Më 04.05.1945 në përleshje me forcat gjermane ra heroikisht partizani Kadri Mustafa Asllani. Ai u bë i pavdekshëm me rënien e tij heroike për çështjen e mëmëdheut. Lajmin e kobshëm familjes ia sjellin xha Mustafait autoritetet e fshatit, i cili lëshoi lot burri dhe tha se djali e kishte nderuar. E ëma kishte disa muaj që kishte vdekur. Kadri Mustafa Asllani është shpallur dëshmor i Atdheut më 16.12.1972. Eshtrat kanë ardhur, në dhjetor të 1975-s, Kadri Asllani është i varrosur në varrezat e dëshmorëve në Tiranë. Çdo 5 Maj në shtëpinë e xha Kadriut shkojnë të organizuar nga Komiteti i Veteranëve për të përkujtuar rënien e djalit në Luftë për çlirimin e Atdheut. Për Kadri Asllanin janë shkruar poezi e janë ngritur këngë. Sipas dokumentacionit që disponon Muzeu Historik Berat, vërtetohet se Kadri Mustafa Asllani ka marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, nga maji 1944 deri në vitin 1945. Ka qenë i inkuadruar në Batalionin e Pestë të Brigadës V S e ka marrë pjesë në të gjitha luftimet e kësaj Brigade si brenda ashtu dhe jashtë kufijve. Më 4.5.1945 ka rënë dëshmor në Mitrovicë të Kosovës. Shpallur dëshmor i vendit me Vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit Berat nr 110 dt 16.12.1972. Këto të dhëna ndodhen në dosjen nr 10.