Kabinat e Divjakës, një histori korrupsioni

1814
Rei Morina 

Bashkia – Do e zhbëjmë kontratën, kabinat janë pronë e jona
Nëse shkon sot në plazhin e Divjakës do të përballesh me një grumbull ndërtesash betoni të lëna pothuajse në mëshirë të fatit.Të pa mirëmbajtura, me suva të rënuara dhe me një pamje të trishtë, ato duket sikur janë atje të ndërtuara rreth 50 apo 70 vite më parë. Janë 338 të tilla. Bëhet fjalë për gabinat e plazhit të Divjakës, fati i të cilave u vendos në 2010 kur përmes një kontrate të dyshimtë koncesionare ato kaluan në pronësi te qiramarrësve, të cilët pretendonin dhe premtonin mirëmbajtjen dhe rritjen e standarteve në shërbim të pushuesve vendas e të huaj. Një vendim me Nr.499 datë 19.07.2006 i Këshillit të Ministrave i quan këto kabina si pronë eksluzivisht të Bashkisë Divjakë, çka do të thotë se ishte atribut i Këshillit të Bashkisë Divjakë për tjetërsimin ose jo të tyre në zbatim të ligjit 8652 dt.31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Por në 2010, pa dijeninë e Bashkisë, Drejtoria Administrimit dhe e Shitjes së Pronave Publike i kalon kabinat, përmes një kontrate koncesionare në favor të individëve duke ua dhënë me qera. Por çfarë ka ndodhur? Për afro një vit me radhë Qendra “Open Doors” përmes projektit “Konçeskan” ka arritur të zbulojë një sërë shkeljesh ligjore në lidhje me këtë kontratë qiradhënieje. Nga hulumtimi i dokumentacionit rezulton, se shumë nga kabinat janë marrë me qera nga njerëz që nuk janë nga Divjaka, por nga Durrësi, Lushnja,Tirana e rrethe të tjera, ndërkohë që banorëve të Divjakës u janë ofruar t’i marrin me qera me një çmim më të lartë se sa banorëve të rretheve të tjera. Sipas një anketimi që ekspertët e qendrës “Open Doors” kanë bërë me banorët e Divjakës, ata kanë vënë theksin tek natyra informale e informimit mbi kontratën, duke preferuar përcjelljen gojë më gojë të saj dhe jo me instrumenta transparente si lajmërimet, njoftimet, afishimet në faqet e internetit të Bashkisë apo në media. Edhe sot pas shumë vitesh qiradhënie të kabinave të plazhit, komuniteti i Divjakës është i tëri në një terr informativ. Ndërkohë Kontrolli i lartë i Shtetit u vu menjëherë në lëvizje pas kërkesës së “Open Doors” të datës 18.10.2017 lidhur me “Dhënien me qera të kabinave të plazhit, arkëtimin e vlerës së qerasë dhe privatizimin e disa prej tyre” dhe ushtroi një auditim tematik. Rezultati i auditimit u bë pjesë e raportit përfundimtar të auditimit dhe në përfundim u rekomandoi kryetarit të Bashkisë Divjakë zbatimin e masave me karakter organizativ si dhe karakter shpërblimi dëmi. Nga ana e saj Bashkia Divjakë vijon të shprehet sistematikisht, se në cilësinë e pronarit të objekteve dhe trojeve të tyre nuk është dakord për privatizimin e tyre nga subjektet e interesuara. Por ajo që ka mbyllur të gjitha shtigjet vijon të jetë VKB Nr.13 datë 11.02.2008 e lëshuar nga Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, Drejtoria e Privatizimit, vendim që edhe më parë ka qenë objekt shqyrtimi e auditimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2013, ku në raportin përfundimtar të auditimit KLSH është shprehur se… “këto pasuri janë dhënë me qera nga Bashkia Divjakë gjatë 2010, kështu që këto vendime në lidhje me këto pasuri konsiderohen të ezauruara, pasi miratojnë vetëm njërin nga veprimet, tjetërsimin ose dhënien me qera. Nga dokumentacioni që ka mundur të administrojë Bashkia Divjakë, lidhur me privatizimin e objekteve dhe trojeve, konstatohet se në asnjë procedurë nuk ka marrë pjesë përfaqësuesi i pronarit, edhe pse sipas shkresës së METE, për ngritjen e komisionit të vlerësimit është caktuar si përfaqësues i këtij institucioni Kryetari i Bashkisë. Në këtë mënyrë është anashkaluar përfaqësuesi i Pronarit të tyre, pra Bashkisë, veprim ky në kundërshtim me të gjitha kriteret ligjore. Projekti “Konceskan” ka arritur në përfundimin se i gjithë procesi i dhënies me qera dhe i privatizimit të kabinave të plazhit shihet si i realizuar në mënyrë të paligjshme nga pushteti i vjetër vendor dhe për këtë situatë konsiderohet si një shkelje flagrante që meriton të gjejë zgjidhje në gjykatën administrative. Ekspertët e Qendrës janë të mendimit se kontrata koncesionare ka pësuar ndryshime nga qeramarrja në privatizimin e tyre, për të cilat opinioni publik rezulton i pa azhornuar. Dhe për këtë përgjegjës bëjnë pushtetin aktual vendor. Dhe shtatë vjet më pas, përtej kësaj afere të errët të një konnesioni që asnjëherë nuk u nxor në dritë të diellit grumbulli i kabinave është atje, herë në formë betoni pa jetë e herë në formë akuze për gjithçka është bërë në terr dhe larg syve të komunitetit divjakas që shikon sot se si këto 338 kabina më shumë se të tilla janë kthyer në treguesin më të qartë të një korrupsioni pa ndëshkues.
Sigal