Ka kryer 136 vjedhje banesash në dy vjet

566
Një hajdut banesash, makinash dhe sendesh të tjera me vlerë ka afro dy vjet që është identifikuar, zbuluar dhe skeduar nga policia e Elbasanit, por kjo e fundit nuk ka as kurajon dhe as guximin ligjor ta arrestojë. Burime tepër të besueshme nga Komisariati i Elbasanit thanë për “Telegraf” se “prej dy vjetësh agjentët vullnetarë, ata që ndodhen aktualisht civilë në lagje dhe zona të ndryshme banimi, kanë raportuar në sektorin e Krimeve për zbulimin dhe identifikimin e plotë të hajdutit të banesave në lagjen “Vullnetari”, “Spajkorre”, dhe lagjet e tjera të qytetit, si dhe autorin e mjaft vjedhjeve të kryera në biznese dhe automjete, por policia nuk ka marrë asnjë masë për ta arrestuar”. Madje sipas të njëjtit burim mësohet se “hajduti shëtit gjithë ditën deri në orët e vona të natës me një automjet tip “Mazda”, nën hundën e policisë dhe agjentëve të sektorit të Krimeve, dhe u krekoset atyre, duke shtuar numrin e veprave të tilla penale”. 

Një prej agjentëve të lagjes “Vullnetari” u shpreh se “ne duam ta ndihmojmë me informacione policinë, kam punuar dikur para 22 vitesh vetë në sektorin e Krimeve, kam zbuluar autorin, dhe i kam dhënë policisë emrin, foton e tij, adresë, dhe gjëra të tjera kompromentuese, dhe ka dy vjet që ajo nuk e arreston, sepse justifikohet me faktin se “duam ta kapim me fakte”. Por i njëjti burim që i referohet agjentit vullnetar tha se “muajin e fundit, kam marrë një telefonatë nga dikush, që më kërcënoi se “në rast se jep më informacione tek policia do ta pësosh keq”. Ishte pikërisht hajduti i 136 rasteve, që po bën namin në banesa, apartamente, dyqane dhe automjete, dhe që duket se ka blerë edhe ndonjë polic tek Krimet, i cili ka dekonspiruar edhe emrin edhe numrin tim të celularit”. Ky mbetet një rast skandaloz. Dekonspirimi i emrave dhe adresave të agjentëve vullnetarë, që shpesh vendosin në rrezik edhe veten dhe familjen e tyre, mbetet një avaz i zakonshëm që po ndodh në komisariatet tona të policisë. Dekonspirimi aksioneve po shoqërohet me blerje dhe shitje informacionesh të ardhura nga persona që duan ta ndihmojnë me gjithë shpirt rendin dhe sigurinë, por që policë të blerë nga elementët kriminalë, po shkatërrojnë gjithçka.

 Rasti më i fundit me hajdutin e banesave dhe dyqaneve në Elbasan, mbetet një sfidë e humbur e uniformave blu, e drejtuesve të tyre apatikë dhe të paaftë, e atyre që vijnë nga rrethet e tjera si militantë dhe nuk njohin as qytetin dhe as detyrën. Elbasani njihet herët si qyteti, ku hajdutët e xhepave kanë qenë me shumicë, në linja urbani, trenash, tregjesh, banesash dhe automjetesh, por vitet e fundit si pasojë e humbjes së vëmendjes nga policia, numri i tyre është 10-fishuar. Personi në fjalë është hajdut me “eksperiencë” dhe e ka nisur aktivitetin e tij qysh në moshën 7 – vjeçare, tek rrinte me grupin e dajës së tij, kur vidhnin xhepat e udhëtarëve ose kur hapnin ndonjë dyqan në lagje. Mungesa e dëshirës së policisë për arrestimin e hajdutit të 136 rasteve në Elbasan, mbetet rasti më tipik i dështimit të punës operative dhe operacionale të uniformave blu dhe më keq akoma, i kompromentimit të tyre, me para vjedhësish. Ky rast ndoshta do të kërkonte ndërhyrjen e organeve hetimore, të cilat e kanë fare të lehtë të zbulojnë jo vetëm shkaktarin që pengon arrestimin e hajdutit që është bërë tmerri i qytetarëve elbasanas, por edhe personin që ka dekonspiruar aksionin dhe agjentin vullnetar.
Sigal