Julinda Dhame: Shqipëria ka shumë për të ofruar për turizmin

671
Sigal

Intervista e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Turizmit Julinda Dhame, për gazetën prestigjioze çeke, “Travel Trade”

Panairi i “Holiday World” në Pragë, u zhvillua nga 19 deri 22 shkurt 2015. Vendi ynë u përfaqësua me një stendë ku krahas AKT-së, pjesë e stendës ishin edhe 4 agjenci private turistike. Gjatë ditëve të panairit pati një interes të konsiderueshëm nga ana e qytetarëve çekë, ashtu sikurse edhe nga përfaqësuesit e bizneseve turistike. Stenda jonë u vizitua nga grupe të tilla si përfaqësues të mediave, konsultantë turistike, agjenci të huaja turistike etj. Lidhur me interesin e vizitorëve çekë, ai ishte kryesisht i drejtuar ndaj turizmit të “diellit dhe detit“ si dhe drejt lehtësirave dhe çmimeve që ofron vendi ynë për turizmin. Stenda e jonë u vizitua gjithashtu edhe nga ambasadori i vendit tonë në Republikën Çeke, Ilirian Kuka. Këtë vit, panairi “Holiday World” në Pragë paraqiti disa risi. Një prej tyre ishte Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT), ku drejtoresha e Përgjithshme znj. Julinda Dhame dha një intervistë për gazetën prestigjioze të udhëtimeve dhe turizmit, (e cila shpërndahet në 10 shtete të ndryshme, përfshirë edhe Çekinë) Travel Trade (TTG) duke folur mbi turizmin e qëndrueshëm, mikpritjen dhe bregdetin e paprekur shqiptar.

 Cila është rëndësia e pjesëmarrjes në këtë panair për publikun çek dhe cilat janë të rejat që ju do të prezantoni në “Holiday World” Pragë?

Tregu turistik çek, së bashku me atë të vendeve të tjera të Europës Qendrore, është i rëndësishëm për Shqipërinë. Në jemi duke marrë pjesë në panairin e turizmit “Holiday World”, Pragë 2015, me qëllim promovimin e produkteve dhe potencialeve turistike të vendit tonë, kundrejt këtij tregu. Ky aktivitet është një rast i volitshëm për tu prezantuar qytetarëve çek në radhë të parë bregdetin ende të paeksploruar dhe mjaft atraktiv të vendit tonë. Krahas tij, Shqipëria ka ende mjaft për të ofruar në lidhje me turizmin, ku ndër të tjera dëshiroj të theksoj kushtet mjaft të mira klimaterike, të cilat bëjnë të mundur një sezonalitet të gjatë lidhur me turizmin e “diellit dhe detit” çmimet e arsyeshme të shërbimeve turistike që ofron vendi, prezencën e strukturave të kampingjeve të cilat kane filluar të shtohen, hotele dhe struktura komode akomoduese dhe mbi të gjitha mikpritjen tradicionale shqiptare. Gjatë viteve të fundit turistët nga Republika Çeke janë prezent në vendin tonë. Sidomos në zonën e Alpeve të Shqipërisë dhe veçanërisht të interesuar për aktivitetet “outdoor”. Lidhur me këtë lloj turizmi, ne tashmë  ofrojmë një shteg prej mbi 60 km të markuar me sinjalistikë të nevojshme turistike për turistët të cilët dëshirojnë të marshojnë në luginën e Valbonës në alpet tona. Qeveria shqiptare është aktualisht duke investuar në sistemin e komunikimit rrugor në këto zona, me qëllim për t’i shndërruar ato në lehtësisht të arritshme edhe për turistët .

Si do të arrini të tërhiqni vëmendjen e vizitorëve çeke gjatë ditëve të panairit?

Agjencia Kombëtare e Turizmit do të shfrytëzojë ditët e këtij panairi për të siguruar informacionin e nevojshëm të gjithë personave të interesuar për vendin tonë. Për këtë qëllim, së bashku me operatorët privatë turistik, të cilët do ti kemi prezente në stendën e Shqipërisë, do të organizojmë takime të ndryshme me vizitorë dhe profesionistë të fushës së turizmit. Vetë fakti që në stendë do të kemi operatorë privatë, parakupton edhe përpjekjet dhe dëshirën tonë për lidhjen e kontratave të biznesit me subjektet çeke.

A është vendi juaj i përfshirë në zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm? Nëse po, në çfarë mënyre?

Përsa i takon kësaj pyetje, ne si institucion kemi nënshkruar një marrëveshje me Institutin për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA). Së bashku, ne jemi duke punuar për të promovuar zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, veçanërisht në zonat që janë shpallur si të mbrojtura. Shqipëria ka 13 Parqe Kombëtare dhe një numër të konsiderueshëm të zonave të mbrojtura, çka kupton një potencial të lartë për zhvillimin e turizmit në natyrë. Theksoj së veçanërisht zona e gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit kanë një rëndësi të posaçme në këtë drejtim .

Në fund të kësaj interviste, ju ftoj “të ndiqni rrugen tuaj” duke ardhur si vizitorë në Shqipëri.