Ju tregoj si lindi Lëvizja Kundër Importimit të Helmeve

665
Sigal

Zirkon Disha

3 Nëntor 2013
Ky është statusi me të cilin ftova miqtë t’i bashkohen kauzës për protestë: JO! Armë Kimike Siriane në Shqipëri.Miq, qytetarë, bashkombas kudo që jeni.
Pranimi i Riciklimit të Armeve Kimike Sirianë në Shqipëri nga Qeveria është vetëvrasje për njerëzit dhe për vendin.
Ftoj të gjithe qytetarët t’i bashkohen kësaj nisme me një protestë para kryeministrisë ditën e Enjte në orën 13:00.
Ftohen të gjithë aktivistë të Shoqerisë Civile, qytetaëe pa dallim bindjesh politike t’i bashkohen kësaj kauze jetësore për njerëzit dhe vendin.
Ftojmë AKIP (Aleanca Kunder Importit të Pleherave), t’i bashkohet kësaj nisme, e cila nuk pranon asnjë kompromis, ku teëdeklarojnë se janë kundër këtij procesi toksik.
Deklarata për shtyp e AKIP nuk përmbush pritshmëritë e publikut ndaj këtij procesi apo marrëveshje.

Zirkon Disha
Nismëtar i kësaj lëvizje, në mbrojtje të jetes dhe së ardhmes së vendit pa asnje kompromis.
Mos harroni, të enjten në oren 13:00, për detaje të protestës do njoftohemi në ditët në vijim.
Faleminderit!

Zoti Disha, si ju lindi ideja që të ishit nismat i AKILH-it?

Lajmi i ardhjes së 1.300 ton helme të armëve kimike të tipit Sarinë nga Siria ishte tronditëse. Duke qenë se, lajmi u botua nga faqja http://voiceofrussia.com/2013_11_01/Ëhy-Albania-agree-to-take-part-in-process-of-Syrian-chemical-ëeps-destruction-3989/

më bëri të dyshoj, se çfarë mund të ishte kjo marrëveshje. Ndërkohë që lajmet ndërkombëtare për këtë çështje vinin nga arena ndërkombëtare dhe këtu kishte heshtje ishte e habitshme. Lajmet ishin thjesht përkthime deklaratash të ekspertëve të huaj që flisnin.  Ndërkohë që, në rrjetin elektronik ky lajm filloi të botohej dhe nga media të tjera të rëndësishme On-line, prisja që të kishte një reagim nga qeveria apo shoqëria civile. Në datën 2 Nëntor AKIP doli në një konferencë për shtyp pranë Akademisë së Arteve me një deklaratë për shtyp, e cila i kërkonte qeverisë të mos i pranonte këto helme. Deklarata për shtyp që ndoqa në televizion m’u duk e vakët dhe vendi i zgjedhur (Akademia e Arteve) krejt i pavend.  Kështu që vendosa të bëj një faqe në Facebook, ku t’i dedikohej kësaj teme. Duke dhënën dhe arsyen dhe e quajta veten Nismëtar i AKILH (Aleanca Kundër Importit të Lëndëve Helmuese) Fillova t’ju dërgoja ftesë të gjithë miqve për tu bashkuar. Ndërkohë që numri i fansave filloi të shtohej në mënyrë progresive, kuptova që ishte një kauzë e ndjeshme e cila do kishte mbështetje. Kështu bëra dhe statusin, ku i ftoja njerëzit për të protestuar.

 Ndërkohe që fillova të hidhja lajmet, të cilat kishin të bënin me këtë tematikë, duke ngritur pikëpyetje hipotetike mbi heshtjen e qeverisë. Numri i njerëzve që u bashkuan dhe aktivizoheshin ishte mbi 2000 njerëz në 48 orë. Ata që u bashkuan, ju kërkova të ishin aleatë, pra Aleanca (AKILH) ishte një aleancë qytetarësh kundër helmeve kimike. Kështu që kërkova kontributin e tyre me lajme, informacione, ide etj.. etj..  Reagimi ishte shumë pozitiv dhe kisha shumë mbështetje, ata që u bashkuan në fillim ishin njerëz, të cilët kishin patur thuajse të njëjtën ndjeshmëri për problemin.

Me kë e bashkëbiseduat fillimisht? Dhe si e organizuat AKILH?

Ata të cilët e mbështetën faqen, ishte Sevin Serjani, Altin Goxhaj, Edlira Çepani, Xheladin Ujkani  dhe disa dhjetëra të tjerë që u bashkuan, bisedat ishin me komente dhe ndonjë mesazh në inbox, me të cilët filluam të ndajmë shqetësimin.  Ndërkohë, Sazan Guri kishte bërë një shkrim, i cili ju bashkëngjit lajmeve që postonim.  Meqenëse reagimi i AKIP-it  nuk përmbushte pritshmëritë e mia, kërkova ndihmë për të organizuar protestën. Kërkova ndihmë për të organizuar protestën me ndonjë slogan dhe me prezencë.  Ishin të gatshëm disa dhjetëra njerëz, ku shumicën nuk i njihja në rastin më të mirë i kisha miq në FCB. Organizimi i protestës kërkonte një avokat dhe për këtë ftova z.Altin Goxhaj, i cili pasi pa kauzën pranoi menjëherë.  Gjithashtu dhe z. Sevin Seriani, i cili do ndihmonte për të koordinuar njerëzit, që do vinin në protestë. Gjithashtu, filluan të bashkoheshin dhe dhjetëra të tjerë, duke ofruar kontributin e tyre me prezencë dhe postera.  Ndërkohë, që paralelisht me faqen ishte hapur një faqe tjetër, e cila ftonte njerëzit t’i bashkoheshin  në këtë kauzë, kjo faqe po përdorte informacionet që unë hidhja tek AKILH-i dhe ajo ishte faqja tashmë e famshme:

1 milionë shqiptarë kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri. 

Përderisa lajmet ishin të njëjta, nuk u shqetësova shumë, por kisha disa pikëpyetje. Ndërkohë, pas emisionit të FAKT nga Çim Peka telefonoj z.Sazan Guri për t’u konsultuar për protestën, pasi dhe ai deklaroi të njëjtin vend dhe të njëjtën orë përgjatë emisionit me 4 Nëntor. U takuam, biseduam duke ndarë mendime dhe opinione mbi temën, gjithashtu, aty konkluduam që do të ishim bashkë në protestën  Ditën e enjte, datë 07 nëntor, ora 13:00, para Kryeministrisë dhe 13:20 para Kuvendit, për t’i thënë ndal armëve kimike nga Siria. Ndërkohë, që mora këtë nismë, fillova të ftohesha nga televizionet për të diskutuar mbi temën, rrezikun dhe duke u përpjekur për të shtjelluar temën se si Shqipëria mbeti i vetmi vend në listën ku do të dërgoheshin këto 1000 ton metrik helme. Më pas filluan të shtoheshin dhe u bënë 1300, ku 300 ton metrik do ishin armë.  Ishte një terr informativ për këtë temë, lajmet vazhdonin të vinin nga jashtë dhe reagimi mungonte nga qeveria.   Një ditë para protestës së enjtes, ku faqja “1 milion” kishte rritur progresivisht numrin vazhdonte të postonte lajmërimet që bëja filloi të më krijonte besimin se ishte mbështetje e sinqertë për kauzën. Takohem me Sazanin në darkë vonë dhe u konsultuam për detajet e protestës, skenarin mjetet dhe ftesat që do bënim njerëzve për mbështetje.

 Si ishte protesta e ditës së parë? 

Protesta e së enjtes 7 nëntor. Isha i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes”, drejtuar nga Gerti Çarçani, të cilin gjej hapësirën për ta falënderuar, duke më dhënë mundësinë për të informuar dhe bërë thirrje për sensibilizim  për protestën. Po kërkoja të ndërtoja imazhin e protestës, kisha 3 ditë që pyesja të gjithë të njohurit për të më gjetur një “kundragaz”, i cili shpresoja të rriste sensibilizimin qytetarë, kur të transmetohej në media. Ishte ora 11:00, kur një nga miqtë e mi më njofton se kishte mundësuar gjetjen e dy kundragazeve. Kisha një ndjesi lehtësimi dhe kjo më dha shpresën se kjo protestë do të mund të bëhej lajm në mediat ndërkombëtare. Kundragazët, një palë doreza të verdha dhe xhupi i zi do ishin mundësia që ky lajm të kalonte kufijtë. Në orën 13:00 shkoj me motor marr Sazanin, i cili kishte bërë disa slogane për protestë dhe kthehemi tek Kryeministria. Ishin mbledhur rreth 30-40 njerëz, koha për t’u prezantuar me disa, nga të cilët kisha komunikuar në FCB ishte e shkurtër. Ishim thuajse të panjohur, por kishte mjaft përfaqësues organizatash, që kishin ardhur. Gjithashtu dhe qindra qytetarë po na bashkoheshin, kishin përgatitur pankartat.  Filluam të mblidhnim njerëzit dhe të ndërtonim një strategji të shpejtë për organizimin. Protesta filloi me sensibilizimin për dëmet, u rreshtuam të gjithë aty dhe filluam të flisnim për dëmet dhe arsyet përse qeveria duhej t’i thoshte “JO!” Folën me dhjetëra, më duhej të organizoja njerëzit për të ndërtuar imazhin që më duhej, kisha shpërndarë kundragazet dhe për më tepër kishim dhe Aliaa Sirianja, e cila tërhiqte vëmendje me flamurin dhe fëmijët. Pasi fola dhe unë si shumë të tjerë ,vura kundragazin dhe qëndroja, duke u kujdesur për organizimin e njerëzve. Ndërkohë, që na bashkoheshin njerëz vazhdimisht. U bëmë rreth 300-500, ku më pas u drejtuam nga kuvendi duke bërë thirrje kundër Importit të Helmeve dhe Armëve kimike.  Në protestë ishin qindra qytetarë të të gjithë brezave, nga fëmijë deri në gjyshër. Dukej qartë që mbështetja ishte e natyrshme dhe e përzemërt. Aty njihem dhe me Albin, djalin që punonte me faqen “1 Milion”, i cili mbante njërin nga kundragazet. U shpërndamë me qetësi, duke ju bërë thirrje se të nesërmen do të ishim sërish tek Kryeministria për të vazhduar protestën. Pas disa orësh kontrolloj mediat on-line dhe shikoj që dy nga fotot me kundragaz ishin botuar në disa nga mediat më të rëndësishme ndërkombëtare. Aty reflektova, po këtu ka diçka vërtetë të errët dhe të rrezikshme. Qëllimi u arrit, lajmi shkoi aty ku duhet, aty ku ky lajm do të nxirrte lajme të tjera. Kjo ishte dita e parë e protestës, ju kërkoj ndjesë nëse ka ndonjë pasaktësi të vogël apo që s’kam përmendur shumë emra pjesëmarrësish, pasi kanë qenë 8 ditët më intensive të jetës time. (Kjo ishte dita e parë, në ditët e tjera do vazhdojmë të plotësojmë ditarin).

Protesta e studentëve, e të rinjve dhe e gjithë qytetarëve, që triumfoi mbi vendimmarrjen politike

Protesta që shënoi epokën e re të kulturës  demokratike

 Protagonistët dhe organizatorët e Protestës së Qytetarëve flasin për “Telegraf”

 Protesta e nxënësve, e studentëve, e të gjithë qytetarëve, të cilët u bashkuan pa dallime politike, kundër demontimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, për herë të parë, detyroi vendimmarrjen  politikëbërjes që të dëgjonte zërin e popullit dhe të vendoste atë që shprehu vullneti i gjithë shqiptarëve. Për herë të parë, populli u ndërgjegjësua për rolin që duhet të ketë  dhe duhet të luajë drejtpërdrejt në vendimmarrjet politike, të cilat kanë rëndësi të madhe për fatet e tyre, pa e lënë plotësisht në dorën e politikëbërjes vendimmarrjen, e pastaj, të bëhet viktimë, e të vuajë pasojat. Kjo protestë shënoi edhe një standard të ri demokratik, tregoi shkallë të lartë të emancipimit dhe kulturës demokratike që ka fituar shoqëria shqiptare. Protesta, gjithashtu, bëri, ndoshta edhe më të përgjegjshme, edhe vetë politikëbërjen, që këtej e tutje, në vendimmarrjen e saj, duhet të peshojë, pikësëpari, interesat e shoqërisë, të gjithë shqiptarëve, përtej çdo interesi e konjukture politike, partiake, apo edhe egoizmi personal, të kujtdo lideri qoftë.

 

Sevin Serjani

Protesta ishte shprehja e qartë e Kauzës së qytetarëve

– Zoti Serjani, ju keni përmendur se kjo protestë ishte  një “Qënia njerëzore” që u lind për tetë ditë… Pse ky përcaktim, çfarë ka ndryshe kjo protestë?

– E quaj “qenie njerëzore, sepse ajo u krijua e mori frymë nga shpirtrat e pastër Shqiptar, të cilët përqendruan energjitë në një kauzë të vetme “JO ARMËVE KIMIKE”. Siç do qenie, duheshin dy faktorë, embrioni e procesi. Embrioni ishin aktivistët që kuptuan rëndësinë e kauzës, dhe rrezikshmërinë kombëtare të saj. Procesi ishte sensibilizim, dhe vendosmëri  dhe ajo “Qenie Njerëzore”, që lindi ishte ndërgjegjësimi i unifikuar të shqiptarëve për të mirën e për keqen, pra filloi e u kthye në Frymë, duke thithur tashmë ajrin pa mbetje kimike dhe ajrin e atdhe dashurisë. Ndryshe nga precedentët e mëparshëm, kahu vektorial i protestës ndryshoi, nga ai nga lart poshtë, në atë poshtë lartë”, pra  nuk kishte lidership për të krijuar organizim, po kishte organizim për të krijuar lidership dhe lidership ishte “NJË!” , ishin shqiptarët. Ishte protesta e parë, e cila ndryshoj kahun e vektorit të dëgjueshmërisë, nga liderët drejt popullit, tek populli drejt liderëve.  Protesta u menaxhua në atë formë, që të drejtë fjale kishte vetëm qytetari. Kjo pikë thelbësore theu tabunë, dhe ndryshoj epokën, duke krijuar epokën e brezit të ri, epokën e Studentëve të Nëntorit, të cilët besuan me mish e me shpirt, për të thënë tashmë dy “JO” e një “PO” , “JO” armëve kimike”, “JO partive kimiko-politike” dhe “PO qytetarisë,unitetit dhe solidaritetit”..

Si u organizuat dhe si është menaxhuar protesta?

Organizimi erdhi si pasojë e qartë e kauzës, pra kuptuam se si dhe çfarë mund të jepnim kontributin tonë. Forca dhe impenjimi ynë maksimal ishte në mos tjetërsimin e kauzës, apo devijimin nga çka ne kërkonim, pasi ka pasur përpjekje të vazhdueshme në çdo mënyrë të mundshme. Ne ishim të qartë që procesi sensibilizues ishte mbajtja e një rituali me progres rritje, që d.m.th caktimi i të njëjtit vend dhe i të njëjtit orar. Dhënia e mundësisë së shprehjes për çdo qytetar ishte risia dhe ishte forma më e drejtpërdrejt e sensibilizimit. Gjithashtu, ajo që i dha trajtë ishte pushteti i pestë, pushteti i rrjeteve sociale. Ideatori Zirkon Disha, e materializoi vizualisht problemin në një kundërgaz. Ndërsa unë tentoja në vazhdimësi të krijoja një gjuhë mediatike,  për të sjellë problemin, jo vetëm në bazë të një analize ekspertësh, por në një formë më të prekshme për qytetarët. Kur protesta u masivizua, ajo që na solli sukses ishte krijimin e sinjaleve që krijuam me bashkëpunëtorët,  që u dalluan nga aftësia e tyre dhe orientimit të tyre të pastër, për t’i qëndruar kauzës. Derisa në mëngjesin e ditës së premte, kjo mori jetë, pra vetëfunksiononte në mënyrë më qytetare e perfekte të mundshme nga Kamaradët e Rezistencës së Natës.

 Ishte protesta e parë, e cila ndryshoi kahun e vektorit të dëgjueshmërisë, nga liderët drejt popullit, tek populli drejt liderëve

Protesta u menaxhua në atë formë, që të drejtë fjale kishte vetëm qytetari. Kjo pikë thelbësore theu tabunë dhe ndryshoj epokën, duke krijuar epokën e brezit të ri, epokën e Studentëve të Nëntorit, të cilët besuan me mish e me shpirt, për të thënë tashmë dy “JO” e një “PO” , “JO” armëve kimike”, “JO partive kimiko-politike” dhe “PO qytetarisë,unitetit dhe solidaritetit”.

 

Av. Altin Goxhaj

 Mbrojtëm Protestën Qytetare nga sponsorizimet  politike

–  Zoti Goxhaj, që kur dhe si u angazhuat në këtë Lëvizje Qytetare?

– Unë kam qenë një ndër personat e parë, që i jam bashkuar nismës së Zirkonit dhe AKILH, që ditën e parë, edhe sepse ma kërkoi vetë Zirkoni, edhe si mbështetje ligjore dhe për eksperiencën e gjatë që kam në shoqërinë civile. Kauza ishte shumë e qartë për mua, që në ditët e para, pasi kisha informacion paraprak se ishte Kryeministri ynë, që kishte shprehur interesin për t’u bërë pjese e shkatërrimit të armëve kimike pa e detyruar kurrkush! Kisha informacion të plotë, që Kryeministri ynë, si diletant në politikën e jashtme, por ambicioz deri në absurd, kërkonte ta fuste Shqipërinë në një qorrsokak, si e si të përfitonte kredo dhe avantazhe personale. Dhe këtë e kam bërë publike që ditët e para të angazhimit tim pranë AKILH, të drejtuar nga Zirkon Disha!

– Kush ishte roli juaj në këtë Lëvizje?

– Zirkoni më kërkoi që në ditët e para që të veja në dispozicion të kauzës faqen time zyrtare në FB, si një faqe me shumë influencë në mendimin kritik në rrjetet sociale dhe, mbi të gjitha, të kujdesesha për një shqetësim shumë të madh që Zirkoni kishte! Si ta mbante të pastër Lëvizjen nga ndërhyrjet provokative dhe devijuese të aktorëve politikë në shoqërinë civile që do të mundoheshin ta pengonin këtë kauzë! Kujtoj se vetë Aleanca Kundër Importit të Lëndëve Helmuese u krijua si pakënaqësi ndaj qëndrimit devijues të AKIP-it,  që në fillimet e veta kur edhe reagimin e parë e bëri me një konferencë shtypi në një lulishte mbrapa Akademisë së Arteve dhe këtë e bënë se e imponuan qytetarët me revoltën e tyre on-line ndaj AKIP-it për heshtje të shëmtuar. Unë kam qenë i detyruar që përgjatë gjithë kohës, që nga e Protesta e Parë e AKILH-it përballë Kryeministrisë dhe deri te ajo e fundit që u finalizua me dorëzimin e Kryeministrit të kujdesesha për mos devijimin e protestës dhe mos ndërhyrjen në ‘të të elementëve provokatorë dhe dëmtues. Isha një lloj shërbimi inteligjent i mbrojtjes së Protestës nga një kategori aktorësh, që unë për hir të eksperiencës dhe kompetencës i njoh mirë si palë me interesa politike, pavarësisht ngjyrave politike. Besoj se kontributi im i ndihmoi shumë organizatorët, për të shmangur shumë andralla dhe pengesa, por kjo kishte koston e vet! Isha unë që duhet të përballesha vazhdimisht me lloj- lloj personash që synonin dëmtimin dhe sabotimin e protestës qytetare dhe kërkonin manipulimin e saj dhe shpërbërjen. Një ndër problemet më të mëdha të Protestës Qytetare ishte mbrojtja e saj nga përpjekjet e sponsorizuara nga shumë faktorë politikë dhe financiarë për t’i larguar qytetarët nga Kryeministria dhe për t’i përçarë dhe larguar në shumë sheshe dhe vendtakime të tjera, si e si për të krijuar kaos dhe larguar vëmendjen nga shkaku dhe çelësi i zgjidhjes së problemit: Kryeministria! Dhe më është dashur të ndihmoj Zirkonin dhe aktivistët e tjerë vazhdimisht edhe fizikisht për të zgjidhur telashe dhe kapërcyer me dhjetëra pengesa të përditshme. Siç e dini, kishte përpjekje të përditshme nga provokatorë dhe vegla politike që synonin t’i largonin qytetarët nga Kryeministria, ndërkohë që, problemi më i madh që solli distancimin e plotë të Protestës Qytetare nga AKIP dhe persona të tjerë ishte protesta përballë Ambasadës Amerikane! Siç është botuar edhe në media ne u ndamë përfundimisht nga veglat e qeverisë një ditë para protestës së AKIP-it para Ambasadës Amerikane! AKILH-i nuk e konsideroi në asnjë çast dhe në asnjë ditë problemin e shqiptarëve te qëndrimi amerikan! Përkundrazi! Problemi lindi dhe zgjidhej në tavolinën e Kryeministrit tonë! Në këtë pikë unë mora role të drejtpërdrejta mediatike dhe publike dhe kjo solli sulm personal të mediave dhe aktorëve të veglave sorosiane të Pushtetit në Shoqërinë Civile, të cilat synonin të ngjallnin ndjenja antiamerikane për të zbehur pakënaqësinë, deri revoltën e qytetarëve ndaj Kryeministrit!

– Ç’mund të na thoni si konkluzion për Protestën Qytetare?

– U ndjeva si në Dhjetor 1990! Kjo ishte Rilindje e vërtetë për qytetarinë shqiptare! Ajo e 23 Qershorit ishte një dokërr!