Jonild Hoxhaj, KLSH: Pandëshkueshmëria në administratë krijon pasoja me shkelje ligjore

583
Sigal

Pandëshkueshmëria
në administratë

 

Sipas një publikimi në Transparency International ka
pesë elementë kyç, të cilat ky koalicion përmend në luftën kundër korrupsionit
dhe ato janë:

1. Dhënia fund e pandëshkueshmërisë;

2. Reformimi i administratës publike dhe një
menaxhim i shëndoshë financiar;

3. Promovimi i transparencës dhe aksesi në
informacion;

4. Fuqizimi i publikut me çdo kusht;

5. Ndalimi i
fshehjes ndërkombëtare të të ardhurave;

Me përjashtim të pikës së fundit, katër elementët e
tjerë janë një pjesë e objektivave dhe vizionit të Institucionit të Kontrollit
të Lartë të Shtetit apo janë pjesë e atyre çka ky institucion kërkon të
promovojë nëpërmjet punës. Jo më kot e vendosur e para, pandëshkueshmeria
renditet si një nga veprimtaritë më degraduese të një sistemi qeverisës. Me një
korrupsion prezent në të gjitha nivelet e administratës sasia dhe cilësia e shërbimeve
esenciale shtetërore i nënshtrohen një besimi gjithnjë e më të ulet nga ana e
publikut. Ajo çka vetë publiku pret nga administrata, nuk është vetëm
përmbushja e detyrave, për sa i përket shërbimeve që administrata ofron, por
gjithashtu realizimi i tyre në mënyrë transparente. Një menaxhim i mirë dhe
efektiv kërkon një ndarje të qartë të detyrave, por mbi të gjitha, të përgjegjësive
direkt dhe mungesa e tyre, e bërë me apo pa qëllim, është pa diskutim fillesa e
pandëshkueshmërisë, e cila i hap rrugë korrupsionit të vazhdueshëm në
administratë. Vetë korrupsioni është një fenomen i cili prek jo vetëm drejtësinë
por edhe edukimin, shëndetin, demokracinë, prosperitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm.

 

A është pandëshkueshmëria një cënim i të
drejtave të njeriut?

 

Sigurisht që po! Sipas Deklaratës së të Drejtave të
Njeriut të shpallur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me datë
10 dhjetor 1948, në nenin 1 citohet se: “Të
gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta”.

Pandëshkueshmëria ndaj korrupsionit është një fenomen, i cili nuk shkon paralel
me shtetin e së drejtës dhe as me parimet e demokracisë. Transformimi dhe
devijimi i fondeve publike nga investimet për komunitetin në xhepat e Titullarëve
është një veprim që dëmton rëndë të gjithë qytetarët, si të pasurit duke u
rritur koston e investimeve ashtu edhe të varfrit duke u vështirësuar kushtet e
jetesës. Për aq kohë sa në njësitë menaxhuese, si në nivel lokal ashtu edhe në
nivel qendror, Titullarët dhe menaxherët kryesorë të niveleve të ndryshme nuk
do t’i nënshtrohen ndëshkueshmërisë direkte, për aq kohë do të jetë publiku ai
që do të paguajë çmimin. Pagesat nën dorë, kostot e tepërta, si rrjedhojë e
rritjeve fiktive në volume dhe në çmime, diskriminimi, pabarazia, mbivendosja e
investimeve dhe të gjitha efektet që vijnë pas tyre, janë padyshim në dëm të mirëqenies
së qytetarëve. Në një situatë të tillë kurrsesi nuk mund të pretendohet se është
vendosur barazia dhe në një barazi të munguar kemi një drejtësi të munguar. Kur
flasim për termin barazi, në këtë rast nuk duhet kuptuar ajo mes një Titullari
dhe një specialisti të nivelit më të ulët të hierarkisë së administratës por,
barazia në mënyrën e të trajtuarit dhe gjykimit të shkeljeve të detyrave
funksionale. Nën vëmendjen e një Titullari objektiv, me një vizion të qartë institucional
dhe me ide por mbi të gjitha me veprime konkrete progresiste, të gjithë punonjësit
e administratës nuk do të kenë zgjidhje tjetër veçse të ndjekin të njëjtën rrugë,
atë të interesave të komunitetit të cilit edhe i shërbejnë.

 

Pandëshkueshmëria e Titullarëve

 

Nëse publiku nëpërmjet medias apo në çfarëdo lloj mënyrë
tjetër vihet në dijeni për shpërdorime detyre, për abuzime me fondet shtetërore,
për raste korrupsioni të përsëritura, për një shkelje të ligjit në vazhdimësi
etj, instinktivisht fokusi shkon tek Titullari i asaj njësie. Kjo do të thotë
se publiku është i vetëdijshëm për faktin, se sa rëndësi ka një Titullar në drejtim
të menaxhimit. Si një mbrojtës i interesave të publikut, KLSH i ka mëshuar së
tepërmi vënies përpara përgjegjësisë të drejtuesve të këtyre njësive si dhe
ndëshkueshmërisë direkt së tyre. Këtë e ka bërë fakt nëpërmjet kallëzimeve
penale, të cilat për një periudhë 5 vjeçare janë rritur me gati 3 herë. Për të
kuptuar rëndësinë që ka një Titullar, midis të tjerave, mjafton të kujtojmë
rastin e promovimit të karrierës së një punonjësi. Promovimi dhe rritja në
karrierë sigurisht vjen nga përmbushja e detyrave në radhë të parë dhe më pas
nga mënyra se sa mirë arrihen këto detyra. Kjo do të thotë se, nëse një punonjës
arrin realizimin e të gjitha detyrave në mënyrë ekonomike, eficiente dhe
efektive, ka treguar objektivitet dhe transparencë të plotë dhe ka punuar në mënyrë
të tillë në vazhdimësi, pritet që ky punonjës të ketë një promovim apo një vlerësim
për punën e vet ose të paktën kjo do të ishte pritshmëria. Por nëse Titullari
nuk ka synim primar përmbushjen e objektivave të institucionit dhe zhvillimin e
mëtejshëm të mënyrave për përmirësimin e punës, sigurisht që nën të njëjtën
moto do të ecin dhe nivelet e mëposhtme të hierarkisë institucionale. Një
promovim dhe një nxitje e rezultateve të kënaqshme sigurisht nuk mjafton për ti
arritur ato. Duhet të jenë vetë ata, Titullarët e njësive që menaxhojnë fondet
publike, të cilët duhet të japin shembullin e vet personal në mënyrë që çdo
punonjës të ndjekë të njëjtat hapa dhe të udhëhiqet nga të njëjtat parime.
Duhet theksuar kur themi “shembullin e
vetë personal”
për arsye se nuk është vështirë të dallohet kur një Titullar
propagandon ndryshe nga ajo që vepron në të vërtetë.

 

Angazhimi i KLSH-së

Në një situatë të tillë ku kemi Titullarë dhe punonjës
të niveleve të ndryshme që shkelin në vazhdimësi ligjin, mendojë se ajo që ka rëndësi
nuk është emri i Titullarit, i cili ka kërkuar diçka në kundërshtim me ligjin
dhe as emri i punonjësit, i cili ka shkelur një urdhër, një udhëzim apo edhe
vetë ligjin. Nëse në sistemin e para 26 viteve kërkohej një emër konkret, sepse
problematika dhe akuza ishin gati, në demokracinë e ditëve të sotme duhet
gjykuar fenomeni. Ky fenomen quhet: pandëshkueshmëri dhe, nëse e krahasojmë me
vetë korrupsionin, mund të jetë edhe më degradues se vetë korrupsioni. Përforcimi
i masave ndëshkuese kundrejt menaxhimit jo efektiv, eficient dhe me kosto të
panevojshme nuk do të sillte gjë tjetër veçse një rritje të përgjegjshmërisë
dhe shmangien e aferave të çfarëdo lloji. Nga sa më sipër, rezulton se Titullarët
kanë një peshë të konsiderueshme dhe një gjyq moral nga ana e publikut duket
nuk mjafton për të rritur përgjegjshmërinë e tyre. Frymës së punës nën
presionin e zgjedhjes midis korrupsion apo lëvizje nga vendi i punës i duhet dhënë
fund duke rritur besimin në institucionet e pavarura. Me një rritje të ndjeshme
në këtë 5 vjeçar të trajtimit të problematikave që vijnë nëpërmjet ankesave direkt
nga vetë publiku, Kontrolli i Lartë i Shtetit është gjithnjë e më në brendësi të
asaj çka edhe për vetë për publikun konsiderohet problem konkret. Mangësi
ngelet ende sistemi i drejtësisë në drejtim të gjykimit të Titullarëve nga ana
e prokurorisë dhe gjykatës, gjë kjo e cila shihet nga audituesit si një sfidë për
thellimin gjithnjë e më tepër drejt fakteve konkrete që bëjnë shkaktar personat
realisht përgjegjës. Nën petkun e një “menaxheri jo të aftë” Titullarët kanë
qenë të fundit që janë penalizuar nga drejtësia dhe kjo duhet luftuar me çdo
kusht pasi minon vetë drejtësinë, transparencën dhe sistemin në tërësi. Janë
pikërisht raportet e auditimit, gjetjet, konkluzionet por mbi të gjitha
rekomandimet në përfundim të punës audituese me të cilat institucioni kërkon t’i
bëjë të ditur publikut fuqinë që ky i fundit ka për të vënë nën përgjegjësi
ekzekutivin, fuqi të cilën e ushtron më së miri nëpërmjet një institucioni të
pavarur siç është KLSH. Nëpërmjet bërjes publike dhe raportimit të gjetjeve institucioni
ka synuar vënien para përgjegjësisë jo vetëm të personave të përfshirë në
problematikat e konstatuara, por edhe të menaxherëve kryesorë të institucioneve,
kjo për vetë faktin se itinerari i korrupsionit rrallë herë fillon me një përfitues
të drejtpërdrejte dhe të përfundojë me një specialist. Duke ruajtur kuadrin e
pavarësisë institucionale dhe gjykimit profesional, KLSH kërkon të njohë
publikun, ekzekutivin dhe të gjitha palët e interesuara se cila ka qenë kostoja
e korrupsionit dhe se pandëshkueshmëria është akoma më e papranueshme nëse
shkon paralel me të. Sot del e domosdoshme të thyhet miti i Titullarit të
plotfuqishëm mbi çdokënd dhe njëkohësisht të pafajshëm për gjithçka ndodh!


Auditues i Lartë në KLSH