Jo ! Nuk ndahem nga shokët, le të kem të njëjtin fat me ta !

831
Pal Mëhilli

E motivuar nga ndjenja humane e patriotike, një veprimtari e këtyre ditëve, në Reps të zonës së Oroshit, mblodhi shumë njerëz. Jo vetëm nga Mirdita, por edhe nga Malësia e madhe, Kosova, Dibra, Lezha, Shkodra, Puka, Tropoja, e deri nga SHBA-ja.

Të pranishëm?
Kryetari i bashkisë së Mirditës, Ndrec Deda, zyrtari i lartë i forcave të armatosura, gjeneral Dedë Prenga, Kryetari i shoqatës kulturore “Mirdita” e bashkuar, Gjon Lleshi, si edhe të ftuar: drejtues e përfaqësues të bashkisë Malësi e Madhe dhe shoqatave të dëshmorëve e të afërm të heroit të popullit, Dedë Gjon Luli, po nga ajo njësi vendore, Kryetari i bashkisë së Lezhës, Fran Frroku, personalitete lokale nga rrethe të tjera, familjarë e të afërm të dëshmorëve të Lajthizës…Çështje e ditës ishte pikërisht ajo, për vënien në piedestalin e duhur të një prej ngjarjeve më të trishtuara, tronditëse e njëkohësisht një nga më qëndrestaret e heroikës dhe epikës së këtyre maleve; përkundrejt agresivitetit dhe barbarisë së jashtëzakonshme të pushtuesve serbë, të një teatri absurd alibish, të rrëqethshme, me gjasë “dhuratë” e kohës së Luftës Ballkanike e pas saj.

SIMBOLIKA “GURI I BESËS”
Në thelbin e vet ka një domethënie që, veprimtaria, të nisë pikërisht në prerjen e shiritit dhe promovimin e memorialit, kushtuar të rënëve (breda të së njëjtës ditë) : Dedë Gjon Luli nga Malësia e Madhe dhe shtatë dëshmorët e atdheut nga Lajthiza : Ndue Kola , Mark Lleshi , Preng Skana , Llesh Margjini , Preng Deda , Zef Ndue Markaj dhe Bibë Markola. Ndaj dhe simbolika, më domethënëse e ngjarjes, ishte “ Guri i Besës” që, në memorialin e porsa ngritur, paraqiten : Dedë Gjon Luli i pari e shtatë dëshmorët në vazhdim. Të gjithë bashkuar, dorë për dorë, besa-besë, në formë rrethore. Ndërkohë që lart konfigurohet kisha e Oroshit. Vepra me projektues e sponsorizues, Preng Lleshin, punuar me art nga skulptori lezhjan Dorian Përvathi. Ndërtuar prej guri të bardhë nga të Skraparit, i cili larton 3.3 metra e në gjerësi 2 metra. Vendosur në një vend të përshtatshëm në anë të autostradës së Kombit, me shesh pamje që e rrok syri shpejt. Ai, dritëson si një nuse e bukur në anë të një kompleksi të mrekullueshëm bashkëkohor, biznesesh, vënë në dispozicion nga biznesmenët e suksesshëm të fshatit Blinisht: Pjetër, Gjokë dhe Fran Tusha, duke i dhënë shkëlqim atij vendi, që më parë nuk binte në sy e, sot kaq cilësor e funksional. Dhe kjo është një kulturë e shprehur në tërësinë e këtij kompleksi interesant që, rrallë mund ta gjesh në Shqipëri. Gjithsesi nga sot ai merr përmasa të reja, për t’u bërë, si të thuash, “pronë” e shumëkujt. Ndërkohë që tashmë, sikur iku dhe “sezoni” i shembjes e përdhosjes së shumë busteve e monumenteve të heronjve e dëshmorëve të popullit, ky mesazhon përjetësi, me histori të spikatur të heroizmit popullor, mirditor e shqiptar.

Po… pse pikërisht tani?
Për këtë zgjodha t’i drejtohem Preng Ndue Lleshit, njërit nga më aktivët për ta sjellë në “tryezë”, rinovimin e kësaj çështjeje, padrejtësisht të “harruar”.- Ç’është e vërteta, ky problem, ka shumë anë për t’u biseduar, por unë, desha të flisja për ato çfarë kam mësuar që në moshë të re dhe si i kam perceptuar e përjetuar ato, si stërnip i njërit nga dëshmorët e atdheut, Mark Ndue Lleshit. Që, në moshë të re, tek dëgjoja biseda në lidhje me tragjedinë… qoftë në familje, shoqëri, miqësi etj, çka bëri të më ngulitej në shpirt, bashkë me të dhe interesimi për të ditur gjithçka rreth asaj, çfarë e si ka ndodhur. E kam pyetur veten : Si kështu? Ç’ishte ajo hata? Biles shqetësimi shkonte deri atje sa dhe, kur kaloja rrugës nga Çafqiri, rrëzë shpellës së akullit, (ku ishin hedhur të rënët), s’mund të rrija pa u ndalur pak. Traditat tona nuk e lejojnë moskokëçarjen për njerëzit e vet, aq më tepër me një vdekje si burrat e dheut. Mendoja me vete: me ç’të drejtë ngrihet serbi që andej të na shkelë vendin dhe, pa i pasur borxh, të na vrasë njerëzit tonë të cilët, në hallin e tyre, përpiqeshin të mbijetonin mes plot vështirësive, majë malit. Ndaj se ç’më therte së brendshmi. Madje më vinte sikur dikush nga shpella, ku ishin hedhur ata farë burrash, që i donte dhe i besonte populli, e pyeste : “More, a kanë lënë njerëz pas?” Çfarë do të thotë pse nuk lëvizet. Edhe me kalimin e kohës ky merak, s’po më shkulej. Ndërkohë që një heshtje e pa përligjur, për një cen të sajuar, vazhdonte për ta. Mirë Dibra i shpalli dëshmorë por, tek ne nuk po ngrihej qoftë dhe një lapidar i thjeshtë a të përkujtoheshin si të tjerët. Dhe kjo ndodhte kur, ende nuk mungonin njerëz bashkëkohës, të cilët mund të rrëfenin gjithçka dinin. E, në raste të tilla njeriu, shpirtërisht vuan më shumë. Madje është në cilësinë e mirditorëve, që lënia pezull e një problemi të rëndë vret edhe më tepër. Pyesja njerëz të ndryshëm, por vetëm ngritje supesh! 

Masakra “si vepër” për t’u krekosur, “…se vramë dhe fëmijë…”
Thonë se ujku para se të futet në stallë për të shqyer ndonjë bagëti shikon nga mund të dalë, për të mos e pësuar nga bariu… Çuditërisht, pak a shumë, këtij stili i përmbaheshin dhe barbarët serbë, të shërbyer dhe nga ndonjë tradhtar. Në parantezë: Ja çfarë tregonte njëherë, 100-vjeçari, Dedë Koca, nga Fani: …Kalonin forcat serbe nëpër fshatra në delir dhe të dhunshëm. Kur, pas një përplasjeje më armë, një ushtari serb iu gjetën në çantë, 13 duar fëmijësh të vegjël!? Si s’donin t’ia dinin se ishin engjëj të sapo dalë në jetë?! Terrorizonin njerëz e familje, ndaj dhe ishin bërë komit jo pak fshatarë me Zefin e vogël prijës. E gjithçka, për mungesë të një shteti të aftë që t’i dilte për zot popullit të vet. Ishte momenti kur, shtatë lajthizakët, në një situatë terrori të egër, po përcillnin luftëtarin, patriotin, filozofin popullor, Dedë Gjon Lulin, për ta kaluar jashtë rrezikut, nga që ndiqej prej serbëve. Por ç’ndodhi? Papritmas, rrugës, ato ranë në pritë. Dedën, 75-vjeçarin, e ekzekutuan në vend, madje i bënë dhe një varrim dosido. Ndërkohë që lajthizakët, të lidhur me tel, dy nga dy, dorë për dorë, çdo rezistence apo përpjekje për të këputur hekurat, si burra të fortë që ishin, s’linin pa i “shpërblyer” me goditje, prerje gishtash etj. Në udhëtim e sipër drejt shpellës së akullit ku do t’i ekzekutonin, komandanti serb i grupit, i drejtohet njërit prej të rinjve …”Ti ik!” Por e menjëhershme, e prerazi përgjigja: Jo ! Nuk ua kthej shpinën shokëve! Le të kem të njëjtin fat me ta! A s’është ky një heroizëm i pashoq? Në vijim pa i ndërprerë torturat… shpella e akullit. I qëllojnë egërsisht me bajonetë, me thikë dhe zjarr, e i hedhin, ashtu rrëmujshëm të lidhur, duke i shtyrë drejt shpellës së akullit. Vetë ia mbathin. Pas pak, duke u larguar, qëllon që të hasën dhe një çoban rastësisht. Dhe këtij i japin plumba. Pse kështu? Që gjithçka të mbetej enigmë. Por si u zbulua vendndodhja e fshehtë? Ndonëse gjatë shumë ditësh, u ngrit fshati në këmbë, kërkuan kudo dhe natën me pisha ndezur, por ende nuk hasën asnjë e dhënë.…Ishte një udhëtar i rastësishëm, nga Kreja e Lurës, i cili, teksa po kalonte rrugës, në afërsi të shpellës së akullit, i bënë përshtypje krra-krratë e disa sorrave tek vërtiteshin përqark. Ç’të jetë vallë? Duke ecur drejt se mos… dhe vërtetë i ranë në sy pika gjaku, copa rrobash dhe ku i afrohet buzës së shpellës dallon dhe trupa burrash të hedhur njëri mbi tjetrin. Mendja i shkoi te ajo që ishte përhapur… dhe nxitoi të lajmëronte … dyndet fshati… u bë ulja me litar dhe… mortja e kobshme e një fshati të tërë. Kështu Mirdita, me shtatë jetë burrash të zgjedhur, për Dedë Gjon Lulin, mbajti dy besa të mëdha: Të lirisë dhe të besimit. Është për këtë arsye që plagët e tyre therin ende.
Sigal