“Jo një kaposh në vit, por një thelë çdo ditë …!”

933
Evdal NURI 

Kjo do të ishte më e arsyeshme, për moshën, kontributin, përkrahjen që ju kanë dhënë në ditët më të vështira pensionistët e jo për mëshirë. Mësova se për fundin e vitit Qeveria ka parashikuar një fond për pensionistët. Me to mund të blihet një kaposh – deti, nëse jeni dy, ndryshe gjysmë ! Do të kënaqemi, por vetëm për një ditë e jo për 364 ditë të tjera! A ka planifikuar Qeveria ndonjë shtesë për 2017-n ? Këtë “sihariq” na i dha Ministri i financave këto ditë. Të paktën u tregua i sinqertë. E theksoj këtë se vite më parë kanë “shpjeguar” se “rritëm” pensionet me 2-3%. Kanë indeksuar çmimet e jo rritje pensioni. Mos u tallni me pensionistët”. Kot them mos u tallni! Jo vetëm ju, por dhe ata më para janë tallur. Mirë ata e dinin se s’na kishin në anën e tyre, por juve që ua kanë dhënë votat?! Jo pak, por mbi 80% e atyre që janë në pension, historikisht votat ia kanë dhënë të majtës. Kjo për traditë ,apo nostalgji të së kaluarës, duke ndikuar dhe në familjarët. S’është shifër e vogël, por mbi 400.000, që krijojnë ose rrëzojnë qeveri. Të djathtët premtuan për pensionin minimal deri në 25.000 lekë. Të kuptohemi, shpresa vdes e fundit, por dhe besimi e durimi ka një kufi ! Pensionet tek ne janë më të ulëta se kudo, jo në Evropë, por ndofta dhe në rajon. Për ilaçet, drita, ujë, telefon, taksat që tani janë shumëfishuar, të ardhurat mbarojnë që dy javët e para. Pastaj i zgjasim dorën fëmijëve. Pensionistët i mbajnë fëmijët, sidomos ata jashtë, ndryshe do kishin marrë fund. Në treg çmimet janë rritur kudo. Edhe pse ti mund të kesh më tepër lekë në xhep siguron më pak të mira materiale! Kur mendon se norma e inflacionit rritet, kjo shifër zvogëlohet. Kjo ka të bëjë me inflacionin. Ai ndikon në mënyra të ndryshme te njerëzit. Disa vuajnë dhe të tjerët përfitojnë. Nga inflacioni vuajnë njerëzit që jetojnë me të ardhura fikse, mbase çmimet rriten. Kjo çon në rritjen e kostos së jetesës. Për këtë arsye qeveria e ka për detyrë për të mbajtur të pandryshueshëm standardin e jetesës. Të paktën sa është dhe norma e inflacionit. Me fjalë të tjera, një person që merr 20.000 lekë në muaj e inflacioni rritet me 5%, për të ruajtur të njëjtin nivel jetese ai duhet të marri 21.000. Kjo s’llogaritet na qeveritarët që e kanë në dorë. Pagë nominale quajmë pagën që marrim me lekë në dorë. Kuptohet sa më shumë të marrim aq më mirë do të jetojmë. Por kjo është relative. Ajo nuk përcakton standardin e jetesës. Edhe pse pagat nominale rriten çdo vit, niveli i jetesës ulet. Arsyeja është, se çmimet rriten me një përqindje më të madhe se sa përqindja e rritjes së pensionit. Niveli i jetesës përcaktohet nga paga reale. Paga reale është sasia e të mirave materiale që siguron me pagën nominale. Rritja e çmimeve më tepër se paga nominale ul ndjeshëm standardin e jetesës. Si pasojë, të ardhurat reale ulen. Jetesa bëhet më e vështirë edhe pse ti merr më tepër lekë. Nga rritja e pensioneve tek ne përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë, nga të cilët 427 mijë janë pensionistë të qytetit, 150 mijë janë pensionistë të fshatit. Ky indeksim ndodh në Shqipëri, aktualisht kur ka vetëm 12% të popullsisë mbi moshën 65 vjeçare. Por numri i të moshuarve në Shqipëri pritet të rritet më shumë se dyfish, në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Të dhënat tregojnë se, plakja në Shqipëri do të ndodhë edhe më shpejt se në disa nga vendet më të vjetra. Shqipëria parashikohet të ketë popullsi më të madhe me moshën mbi 65 vjeç se sa vende të tilla si: Franca, Suedia, Serbia , Mali Zi e tjerë. Por ç’është pleqëria? Pleqëria tek ne përputhet me moshën e pensionit. Ajo fillon pas moshës 65 vjeç Pensioni na kujton se jemi duke u plakur. Humbet interesi për jetën. Është interesant, se të moshuarit kujtojnë ngjarjet e kaluara e harrojnë të tashmet. Bëhen tamahqarë në ushqim e ilaçe. Ajo vjen gradualisht pa e kuptuar e thellohet duke mos e pranuar. Kanë frikë nga vdekja. Por ka të tjerë, që e pranojnë vdekjen si një fenomen të pashmangshëm. I sheh në rrugë të kërrusur. I sheh në lulishte duke lozur domino apo letra. Disa i sheh të shtrirë, mos më keq. I sheh me trasta në dorë, me çamta të nipërve e mbesave. I sheh dyerve të spitalit të sëmurë. Keq! Të këputet shpirti! Tek ne mungon tregu i përkujdesjes, qendra të tilla rehabilitimi sidomos për trajtime post traumatike, post operative dhe neurologjike, të cilat janë disa nga problemet më kryesore që prekin rrezikshëm këtë grupmosha. Gjithashtu ndihet mungesën e pranisë së fizio-terapistëve në shërbimin që i ofrohet moshës së tretë. Ndoshta disa i quajnë të tepërt, harraq të bezdisur, të rrjedhur, siç kemi dëgjuar lartë e poshtë, por kjo s’është e vërtetë. Po kush janë këtë harraq? Ja, ai atje që i bije kryq e tërthor Tiranës në vapë e në të ftohtë është një ish-mësues me dy universitete. Ka punuar 40 vjet në arsim duke zhvilluar 30.000 orë mësimi. Ka mësuar mijëra nxënës, që sot janë mjekë, biznesmenë, politikanë, pedagogë e tjerë. Ky tjetri është një ish-oficer, që ka mbrojtur atdheun në shi e dëborë, kurse tani punon si kambist. I treti në minierë, në naftë, tjetri në shëndetësi. Të gjithë punojnë se nuk iu del pensioni. Pra, pensionistët e sotëm kanë qenë arsimtarë, mjekë, ekonomistë, punëtorë e inxhinierë të nderuar e respektuar që kanë drejtuar shkolla, ndërmarje, klinika e dikastere. Shumë nga ata kanë qenë profesorë e doktorë të shkencave. Tani, si mos më keq! Është e kuptueshme që pleqëria bën punën e saj, por një i moshuar është mbartës i një përvoje shumë vjeçare profesionale dhe jetësore që i transmetohet të rinjve në forma nga më të ndryshmet dhe që i bën ata më të nderuar e respektuar për gjithë shoqërinë. Në dialektikë funksionon një ligj sipas të cilit, e reja e mohon të vjetrën, por nuk e asgjëson plotësisht. Ajo merr pozitivet e së vjetrës dhe këto i çon përpara. Pra, brezi i ri ka çfarë merr nga ata. Këto i ka për detyrë ta çojë më tej, ndryshe do mohohet zhvillimi. Gjithmonë e më shumë sot po bëhet e domosdoshme të rritet interesimi i shoqërisë për të moshuarit. Ashtu si dhe fëmijët, edhe të moshuarit kanë nevojë për një shërbim në strukturë. Pra, krijimi i një rrjeti profesional bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare me fokus të moshuarit, do të ishte gjithashtu një tjetër arsye e fortë për përmirësimin e jetës së pensionistëve. Plakja është një fenomen shumëformësh, e në qoftë se vdekja është e paevitueshme, plakja e kujdesi për të moshuar është përgjegjësi e shtetit, por dhe shoqërisë civile që e ka përjashtuar veten nga kjo detyrë. Ne s’kemi nevojë që njëherë në vit, ditën e të moshuarve të na vini e të na jepni një garuzhde supë. Jo, ne duam një përkujdesje të vazhdueshme. 
Të nderuar politikanë keni hipur mbi shpatullat tona dhe po shihni më larg, ndryshe dhe ju do të kishit mbetur në vend. Ju keni një të drejtë, të na kritikoni dhe ne. Ndoshta dhe ne në moshën tuaj i kemi parë me syrin dhe mendjen që na shihni ju tani, por kohërat kanë ndryshuar. Shoqëria e sotme është me e emancipuar. Humanizmi dhe mundësia ekonomike është në një shkallë më të lartë, prandaj mos na nënvlerësoni, se do t’ju dënojnë brezat e ardhshëm. E di mirë që vendi është në krizë, por kujdesi për pensionistët do t’ju pasurojë më tepër shpirtin, së bashku me shpirtin tonë. Do të vije një ditë e një kohë që dhe ju do të plakeni. Duke u menduar ( pasi do të keni shumë kohë të lirë) do të kujtoni e të penduar do të thoni: “S’i nuk i ndihmuam më tepër pensionistët kur mundësitë i kishim?” Por atëherë do të jetë shumë vonë, pasi ne do te jemi të gjithë në botën tjetër. Edhe pse jemi të pakënaqur e të dëshpëruar nga indiferentizmi juaj. Ne iu urojmë: “Paçi një pleqëri të mbarë e jo si kjo e jona!”
Sigal