Jo dhunë të institucioneve, por zbatim të ligjit

589
Sigal

Forumi/ Juristët debatojnë vendimet e qeverisë për nëpunësit debitorë ndaj OSHEE-së, prishjet e ndërtimeve pa (dhe me) leje nga INUK-u nën spektrin e kuadrit ligjor

Qeveria ka kapërcyer kompetencat e saj me vendimet për masat disiplinore ndaj nëpunësve debitorë te OSHEE-ja. INUK-u në kundërshtim me ligjin

Vendimet e fundit të qeverisë për të detyruar (edhe) nëpunësit e Administratës Publike që të paguajnë detyrimet financiare ndaj OSHEE, derivati i së cilës ka qenë largimet nga puna për të gjitha ata që janë deri tani debitorë, pa iu dhënë kohë që të paguajnë detyrimin financiar, ngjallën polemika jo vetëm politike, por u ndez edhe debate midis juristëve. Gjithashtu, mjaft i diskutueshëm ka qenë edhe veprimet e INUK-ut,  që tashmë do të quhet IKMT (Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit), për prishjen pa (dhe me) leje të ndërtimeve, ende pa pritur që gjykatat të japin vendimin e formës së prerë, kur qytetarët janë në procese gjyqësore për pronën e tyre. Gazeta “Telegraf” në forumin e saj, mori mendimin e juristëve, pa nuance politike, të Av. Idajet Beqiri, të Kreshnik Spahiu, ish Nënkryetar i KLD-së dhe të Edvin Salianjit, juristi i PD-së. Për çështjet që shtrohen në këtë forum, Av. Idajet Beqiri mbështet vendimet e qeverisë, në kuadrin e disiplinimit dhe të edukatës nga të gjithë qytetarët të asaj që është mungesa më e madhe e shoqërisë tonë, respektimit të ligjit. Në kah të kundërt juridik janë juristët Kreshnik Spahiu dhe Edvin Salianji, të cilët argumentojnë se vendimet e qeverisë, zbatimi konkret i këtyre VKM-ve, si dhe veprimet e INUK-ut ( që tashmë do të quhet IKMT) janë në kundërshtim me ligjin dhe me ligjet respektive të Nëpunësit Civil dhe të Administratës Publike, për largimin nga puna të nëpunësve që rezultojnë debitorë te OSHEE-ja, ndërsa INUK-u, sipas Spahiut e Salianjit, i ka shkelur edhe dispozitat kushtetuese. Sipas tyre, përgjegjësi këtu ka edhe KLD-ja dhe institucionet e tjera të drejtësisë që heshtin kur ligji shkelet nga institucionet shtetërore në dëm të të drejtave të qytetarëve.

Largimi i nëpunësve debitorë, shkel ligjin për Nëpunësin Civil

1.-  A është e ligjshme largimi nga puna i nëpunësve të Administratës Publike, kur ata nuk kanë paguar detyrimet financiare të një kompanie, sikurse është OSHEE?
Av. Idajet Beqiri, jurist
– OSHEE-ja është një shoqëri aksionare, ku shteti shqiptar ka aksionet e saj. Në këtë aspekt, qeveria e Shqipërisë ka detyrime ligjore për funksionimin dhe mbarëvajtjen normale ligjore të OSHEE-së. Nëpunësi civil e gëzon këtë status ligjor, si pjesë e administratës publike, që është. Kjo administratë publike mbahet dhe paguhet prej taksapaguesve shqiptarë. Taksapaguesit mbajnë me sakrifica edhe vet OSHEE-në. Në këto kushte, administrata publike e ka për detyrë të punojë e veprojë me përkushtim, që ato shoqëri dhe veprimtari ekonomike, që kontribuojnë në shtimin e burimeve financiare për buxhetin e shtetit, të ecin në rrugën normale, që rregullohet me ligj. Nëse punonjësit e administratës publike u thonë qytetarëve të vendit “bëni si themi ne, por mos bëni si bëjmë ne”, kjo është shumë dëmsjellëse për besueshmërinë e taksapaguesve te administrata e tyre publike. Aq më shumë që një fenomen i tillë, domethënë mungesa e korrektesës në pagimin e detyrimeve prej nëpunësve civil, nxit dhe shton qytetarët debitorë ndaj shtetit, sepse këta do të thoshin “në se është detyrim ligjor pagesa e dritave, ujit, taksave e tatimeve, pse nuk i përmbushin këto detyrime punonjësit e administratës publike që na moralizojnë”?! Pra, kemi të bëjmë me përmbushjen e një detyrimi moral të punonjësit të administratës publike, sipas kontratës së punës që ka lidhur me punëdhënësin. Prej këtij veprimi të drejtë kundër nëpunësve civil moskorrekt në përmbushjen e detyrimeve, shoqëria shqiptare dhe administrata publike ka veç mirë.

Kreshnik Spahiu, jurist
– JO! Kjo masë administrative, është tërësisht anti-kushtetuese, sepse ndëshkon arbitrarisht të drejtën për punësim të mbrojtur me statusin e Shërbimit Civil dhe nga Kodi i Punës. Largimi nga puna për mospagim fature energjie është një ndërhyrje e dhunshme e shtetit në marrëdhëniet private dhe civile me subjekte të tjera.

Edvin Salianji, jurist

– Pavarësisht nëse OSHEE është  nën administrim shtetëror, ose privat, ajo funksionon si kompani Sh.a, çka do të thotë që ofron një shërbim të caktuar, në këtë rast OSHEE-ja ofron dhe shet energji elektrike për klientë të interesuar, qofshin konsumatorë familjarë, apo biznese. Shitblerja e energjisë bëhet në bazë të një kontrate të nënshkruar mes palëve, pra kemi ekzistencën e një marrëdhënie kontraktuale, ku palët bien dakord për çmimin, mënyrën e lidhjes, rastet kur shkakton dëme etj, që  quhen të drejtat dhe detyrimet e palëve. Ndërkohë, që largimi nga puna, për shkak të mospagesës së energjisë elektrike është tërësisht i paligjshëm dhe ndërhyrje e shtetit në një marrëdhënie civile. Individi mund të shkarkohet nga detyra vetëm nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vjedhje energjie. Largimi nga puna, për shkak të pamundësisë për të paguar një shërbim që ofrohet nga një kompani në një marrëdhënie kontraktuale civile, duket si diskriminim për shkaqe ekonomike. Shkelja e ligjit bëhet edhe e theksuar, kur shikon që largimet bëhen në mënyre kolektive. Më duhet të theksoj që emërimi dhe largimi i një nëpunësi të administratës bëhet vetëm për shkak të kritereve të aftësisë, profesionalizmit, meritokracisë, përkushtimit etj. Largimi për shkaqe të paparashikuara në ligj është shkelje e Kodit të Punës, statusit të Nëpunësit Civil dhe çdo normë që rregullon marrëdhëniet e punës. Është njësoj sikur nesër qeveria të kërkojë shkarkimin nga puna të gjithë personave që nuk kanë mundësi të përmbushin detyrimin për të paguar kredinë në bankë!

INUK-u abuzon me ligjin!

2. – A ka kompetenca ligjore që INUK-u (IKMT)të prishë ndërtime, edhe kur ato janë pa leje, nëse më parë gjykatat nuk kanë marrë vendim të formës së prerë?

Av. Idajet Beqiri

– Shqipëria, për fatin e keq, në sajë të një qeverisje të mbrapshtë dhe antishqiptare të Berishës, është bërë vendi më informal, më arbitrar dhe më i paligjshëm i kontinentit. Për afro 23 vjet Berisha futi në këtë vend psikologjinë antishtet se e drejta është me të paligjshmin, me jo pronarin, me vetëgjyqësinë, me hakmarrjen, me cubllëkun, me arbitraritetin. Kjo psikologji duhet të zhduket një herë e përgjithmonë, qoftë edhe me masa drastike ligjore. Ndërtimi i paligjshëm është ndërtim i paligjshëm! INUK-ut në se nuk i paraqet dokumentin e plotë ligjor, se si e ke realizuar ndërtimin, nuk ka përse të pres dhe të bredh në dyert e gjykatave, aq më shumë, kur një pjesë e mirë e gjyqtarëve dhe gjykatave të vendit, i kanë dyert e shqyera nga korrupsioni. Problematike është puna, kur prishen ndërtime me leje, ose ato që janë në proces legalizimi. Me këto raste, duhet kujdes dhe pjekuri e madhe. Pjekuri prej qeveritari dhe administratori serioz, i cili, para se të verë dorë mbi një ndërtim, bën bilancin e pozitiviteteve dhe negativiteteve, pastaj vepron. Për interesa publike prishen edhe ndërtime me leje, përkundrejt shpërblimit, sipas ekonomisë së tregut nga ana e qeverisë për pronarët e ligjshëm. Por, në se interesi publik, në se zbatimi i një plani rregullues apo programi me interes për gjithë qytetarët, do kohë të financohet dhe ndërtohet, përse e fut në siklet veten dhe qytetarin? Përse të vihet në pozita vështirësuese buxheti i shtetit, i cili edhe pa këto “mballoma”, që e rëndojnë së tepërmi, është qamet e kaluar qametit?! E kam fjalën që duhet një strategji e studiuar mirë, duke i hedhur hapat me radhë. Lufta “frontale”, ngutja për t’i bërë të gjitha sot, djegia e të thatit dhe të njomit së bashku, krijon amulli, ç’ ekuilibër, mungesë motivimi për të bashkëpunuar me institucionet e shtetit, pakënaqësi që mund të agravojnë deri në destabilitet.

Kreshnik Spahiu

– Në mbështetje të ligjit themeltar, vendimet e gjykatave janë të detyrueshme për administratën publike. Qeveria “Rama” ka shkelur Kushtetutën, duke e interpretuar mbrapsht. Është çmenduri të konceptosh që vendimet e administratës shtetërore të jenë të detyrueshme për gjykatat dhe të ushtrojnë diktat dhe jo anasjelltas.

Edvin Salianji

– Qeveria nëpërmjet INUK-ut po vepron në gjithë territorin në shkelje dhe në abuzim të ligjit, po prish pa ndërtuar dhe po shkatërron pa planifikuar. Kemi denoncuar me emra konkrete dhe kemi qenë në krah të qytetarëve aty ku abuzimi ka ndodhur, qeveria ka shkelur ligjin, duke ju cenuar qytetarëve të drejtën e pronës. Prona preket vetëm për një interes publik dhe kundrejt një shpërblimi të drejtë ka sanksionuar Kushtetuta, cili është interesi dhe ku janë projektet që legjitimojnë shkatërrimet? Ka vetëm arbitraritet dhe selektivitet në shkatërrimet e qeverisë, t’i prishim të pamundurit, të varfrit që të punojë miku i qeverisë, ky është parimi i ndjekur, ai që lyen rrotën e qeverisë me para dhe që qeveria ja kthen me favore të jashtëligjshme. Për më tepër INUK-u nuk lë asnjë shkresë, asnjë paralajmërim dhe njoftim paraprak, siç e kërkon ligji në mënyrë që qytetarët t’i  drejtohen organeve të drejtësisë, por shkojnë dhe tromaksin të mitur e të moshuar, me një sjellje që edhe banditët mendohen disa herë para se ta bëjnë.

 KLD-ja ka ulur profilin e saj

3. – Përse nuk reagojnë dhe nuk veprojnë atëherë, segmentet e institucionit të Drejtësisë, për këtë shkelje të ligjit nga INUK (IKMT)?

Av. Idajet Beqiri

-Qytetarët e këtij vendi duhet të mësohen se reagimi nuk është vetëm kolektiv, as edhe të presësh çfarë do bëjnë institucionet e shtetit, e aq më pak të presësh se çfarë do bëjë opozita! Shqetësimi është individual. Cilitdo shtetas, që i preket liria e pronës, apo cilido që ndihet i dhunuar nga institucionet e shtetit, rrugën ligjore të bërjes së kallëzimit penal në organin e prokurorisë, apo të bërjes së padisë në gjykatë, e ka të hapur. Nuk ka zgjidhje më të drejtë, se sa ndjekja e rrugës ligjore!

Kreshnik Spahiu

-KLD-ja ka ulur profilin e saj dhe është mbërthyer në konfliktet me qeverinë dhe pushtetin, duke dalë nga agjenda e saj. Nga ana tjetër, Gjykata e Lartë është treguar e pafuqishme të imponojë me forcën e ligjit precedentët dhe të çel praktikat gjyqësore të detyrueshme për INUK-un dhe qeverinë.

Edvin Salianji

– Siç edhe e thashë, INUK-u nuk lë asnjë shkresë për të bërë të mundur që qytetarët t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar sigurim padie, apo në raste të tjera, për të kërkuar rivlerësim, p.sh z. Kaziu, një qytetar nga Tirana ka më shumë se 2 muaj që shkon çdo ditë në zyrat e INUK-ut për të kërkuar shkresën e shembjes së objektit të tij dhe askush nuk e prêt, askush nuk i kthen përgjigje. Qytetarët kanë bërë dhe kallëzime penale për shkatërrimet e pronave të tyre dhe këtu, më duhet të theksoj se asnjë abuzues nuk ka për t’i shpëtuar ndëshkimit të ligjit. Drejtësia vonon, por nuk harron.

Institucionet shtetërore nuk respektojnë institucionet kushtetuese

4. – Ju si e gjykoni reagimin e kreut të INUK-ut (IKMT) ndaj rekomandimit të Avokatit të Popullit (i cili rekomandoi ndalimin e prishjes nga INUK), se INUK-u zbaton vetëm vendimet e VKM-së?

Av. Idajet Beqiri

– Në radhë të parë, Avokati i Popullit të tregojë kurdoherë pjekuri profesionale. Kjo do të thotë që të ketë aftësi të larta të kuptuarit dhe të interpretuarit të akteve ligjore dhe nënligjore, të fuqisë juridike të njërit dhe tjetrit. Avokati i Popullit nuk ka në dorë vetëm rekomandimin, ai ka në dorë edhe gurin edhe arrën! Në se konstaton se INUK-u ka shkelur një VKM konkrete, mjetin juridik për të kallëzuar penalisht cilindo punonjës të administratës publike apo drejtues institucioni e ka. Le të veprojë, sepse vetëm me rekomandime nuk zgjidhen kollaj punët në këtë vend.

Kreshnik Spahiu

– Kreu i INUK-ut është një militante partie dhe nuk ka njohuritë minimale të legjislacionit shqiptar. Asaj i intereson buzëqeshja e kryeministrit dhe jo shteti ligjor.

Edvin Salianji

– Në këtë situatë, kur dhunimi i të drejtave të qytetarëve po kthehet në veprimtari të përditshme nga ana e qeverisë, reagimi dhe aktiviteti i Avokatit të Popullit duhej të ishte më dinamik, i atypëratyshëm dhe i shpejtë. Në të vetmin rast që doli me një rekomandim ishte rasti flagrant, ku ne e kemi dokumentuar të plotë shkeljen që ka bërë INUK-u, duke shkatërruar pa plan, pa projekt dhe pa shpronësim pronat e qytetarëve të Hudënishtit dhe kjo është për t’u përshëndetur gjithsesi. Reagimi i qeverisë për rekomandimin ishte në të njëjtën frymë që ushtron edhe pushtetin, me arrogancë: ne nuk pyesim për ligj!

Detyrimet financiare kontraktuese nuk përbëjnë vepër penale

5. – A janë kushtetuese ndryshimet e Kodit Penal, ku të cilësohen vepër penale e të dënueshme me burg, ato raste kur dikush  ka detyrime financiare të vogla ndaj një kompanie biznesi, si OSHEE?

Av. Idajet Beqiri

– Nuk përbën vepër penale mospërmbushja e detyrimeve financiare ndaj një biznesi, banke, për ujë, për drita, për kredi të marra etj. Këto janë detyrime civile. Nuk janë bërë dhe kurrë nuk do lejohen të bëhen ndryshime në Kodin Penal për të cilësuar si vepër penale mospërmbushjen e detyrimeve kontraktore civile. Një gjë e tillë është antikushtetuese. Detyrimet civile përmbushen në rrugë civile. Kodi Civil dhe Kodi i Procedurës Civile parashikon kur një detyrim i papërmbushur, kthehet në titull ekzekutiv dhe si ekzekutohet një urdhër ekzekutimi vullnetarisht apo me forcën e ligjit, duke i prirë kësaj pune përmbaruesi gjyqësor. Nuk duhet të ngatërrojmë këtu ata që bëjnë vetëgjyqësi dhe vjedhin energjinë elektrike apo ujin! Këto janë pasuri dhe nëse vepron duke bërë lidhje të paligjshme, në se vepron kur kreditori të ka prerë lidhjet e dritave apo të ujit për mospërmbushjen e detyrimeve, kjo përbënë vepër penale, është vjedhje dhe vjedhja dënohet si krim.

Kreshnik Spahiu

– Arrestimi për vonesa, apo devijime të energjisë elektrike është unik në jurisprudencën botërore dhe do tregohet gjatë si humor në universitet, edhe pas 100 vitesh. As Enver Hoxha, apo sistemi komunist, nuk të arrestonin, apo dënonin me burg për vonesa apo lidhje të ndryshme të rrjetit energjetik, por mjaftoheshin me gjoba administrative. Mbajna, o Zot, kryeministrin, se është aq i paaftë, sa nuk di se ç’ bën.

Edvin Salianji

– Kushtetuta e ka te përcaktuar qartë: Askujt nuk mund t’i hiqet liria vetëm për shkak se nuk është në gjendje të përmbushë një detyrim kontraktor. Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, po ashtu sanksionon që:  Askujt nuk mund t’i hiqet liria për arsyen e thjeshtë, se nuk është në gjendje të përmbushë një detyrim kontraktor.

 

Jakup B. GJOÇA