Jezuiti suedez, Thjulen për Skënderbeun

725
Albert Z. ZHOLI
Ky libër i rrallë është botuar për herë të parë, në vitin 1816, në Bolonja të Italisë nga Tipografia Arqipeshkvnore
Për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu janë shkruar shumë vepra, duke filluar që nga librat historikë, opera, poema etj. Në to pasqyrohet lufta e këtij gjiganti, në krye të një populli të vogël, për të ruajtur pavarësinë dhe lirinë e vendit tonë. Më i hershmi nga librat për Skënderbeun konsiderohet ai i Tivariotit anonim, i shkruar në vitin 1480, dhe pas tij doli vepra e Barletit, rreth viteve 1508 – 1510, e cila është shtypur në Romë. Nga të gjithë librat, përhapje më të madhe mori ai i Barletit. Deri në fund të shekullit XVI historia e Skënderbeut, e përpiluar nga Barleti është botuar katër herë në origjinal dhe u përkthye po në atë shekull në gjuhët gjermanisht, italisht, portugalisht, frëngjisht, katalançe, anglisht dhe polonisht. Në kuadrin e ‘Vitit të Skënderbeut’, edhe shtëpia botuese “Vllamasi” ka dalë me një libër të ri, të pa përkthyer më parë në vendin tonë. Ai titullohet “Dialog në Mbretërinë e të Vdekurve”, i priftit jezuit Lorenzo Ignazio Thjulen. Në këtë vepër autori ka krijuar, mbi bazën e ngjarjeve dhe fakteve reale të ndodhura, një dialog ndërmjet heroit tonë Gjergj Kastrioti dhe perandorit Karli i Madh. Ky libër është botuar për herë të parë, në vitin 1816, në Bolonjë të Italisë nga Tipografia Arqipeshkvnore. Në fakt, Karli i Madh dhe Skënderbeu siç dihet, kanë jetuar në periudha të ndryshme kohore, por nisur nga bëmat e këtyre dy burrave të mëdhenj, autori i ka “takuar” ata në Mbretërinë e të Vdekurve dhe ka krijuar një Dialog ndërmjet tyre. Fama e Skënderbeut ishte përhapur shumë si në Perëndim ashtu dhe në Lindje të Evropës, për luftën e tij kundër sundimit Osman, prandaj dhe që në fillim, Karli i Madh, kur merr vesh se kush është ky njeri i cili “nga fizionomia, nga pamja luftarake, nga hapi i sigurt dhe hija e madhërishme, gjykoi se kishte qenë një luftëtar i madh, i thotë se “… fama juaj ende jehon në Mbretërinë e të Vdekurve …”. Në një dialog ku Karli i Madh pyet për jetën dhe veprën heroin tonë kombëtar, ky i tregon për të gjitha ngjarjet e jetës së tij, duke filluar nga “ëndrra e Vojsavës, kohën kur ishte peng te Sulltani dhe i shërbeu atij, dyluftimet që kishte bërë atje, betejat të cilat i kishte fituar dhe famën që kishte arritur në oborrin e Sulltanit; i tregon për betejat e zhvilluara në krye të shqiptarëve kundër turqve, ku flet edhe për të vetmen disfatë dhe plagën që mori në një betejë, vërejtjet që i bën Karli i Madh etj., i cili në fund i thotë: “Me të drejtë jeni nderuar nga miqtë dhe nga armiqtë, dhe njeriu i virtytshëm shpejt ose vonë fiton lavdërimet e të gjithëve”. Po ashtu, në libër tregohet se edhe vetë Karli i Madh i tregon jetën dhe veprat e tij në krye të frankëve, betejat që zhvilloi kundër saksonëve, longobardëve, luftën për konvertimin e tyre në katolikë etj. Në fakt, gjatë dialogëve ndërmjet Skënderbeut dhe Karlit të Madh dalin në pah teoritë dhe rrymat e kohës, të vëna në gojën e këtyre dy heronjve nga vetë autori Thjulen. Ky autor ka lindur, në 2 nëntor të vitit 1746 dhe në autobiografitë e përpiluara prej vetë Thjulen del se në fillim ka qenë luterian, pastaj është konvertuar në katolicizëm dhe është futur në Shoqërinë e Jezusit, deri në shpërndarjen e tyre në vitin 1773. Sipas shkrimeve të Thjulen, i cili ishte në opozicion me francezët kur këta mbërritën në Itali, ai përpiqej të hidhte poshtë të vërtetat revolucionare dhe të zbulonte mashtrimin e fshehtë të “jakobinëve diabolikë”. Ky jezuit ishte i bindur dhe mbështeste mendimin se iniciativa për ndryshime rendi dhe qeverisjeje “i takonte vetëm sovranëve të veshur me pushtet drejtpërdrejt nga Zoti”, se “aleanca ndërmjet Fronit [mbretëror] dhe Altarit ishte përgjigja më e mirë për të luftuar Revolucionin”. Libri është sjellë në gjuhën shqipe nga përkthyesi Vladimir Bregu dhe është i pajisur me shumë shpjegime dhe sqarime për të gjithë personazhet e kohës së të dy heronjve.
Sigal