“Jetët njerëzore nuk mund t’i humbasim për shkak të indiferencës”

531
Presidenti i Federatës Shqiptare të Vrojtuesve të Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë, Erdit Gega, flet pas ngjarjeve të fundit tragjike në bregdet
Pse e morët nismën për ngritjen e një Federate për Vrojtuesit e Ujit?
-E kemi krijuar këtë Federatë, jo vetëm sepse e kërkon legjislacioni shqiptar, por edhe me dëshirën për t’i ofruar vendit eksperiencën tonë të lifeguardit. Gjithashtu kemi ngritur Qendrën e Formimit Profesional për “Vrojtues Plazhi” të miratuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe të licencuar nga Ministria e Financave. Struktura dhe programi ynë është formuar edhe me asistencën e Federatës Italiane të Shpëtimit në Ujë, e ngjashme me Federatat e vendeve të BE-së dhe me të cilët kemi një marrëveshje reciprociteti për njohjen e diplomave që lëshojmë. Ditën e enjte patëm dhe ceremoninë e certifikimit të klasës së parë të Vrojtuesve të Plazhit ‘Made in Albania.
Gjatë ditëve të fundit ka patur shumë viktima në plazhet vendase. Cilat janë shkaqet e humbjes së këtyre jetëve njerëzore?
-Është me të vërtetë një bilanc shumë i rëndë. Jo më larg se pak ditë më parë lexuam dhe dëgjuam për disa jetë të humbura në plazhet tona. Më pas në Velipojë, në Ksamil, pastaj në Golem. Çdo ditë po humbasim jetë njerëzish dhe kjo është shumë e dhimbshme. Këto raste fatkeqësish të rënda, duhet të na ndërgjegjësojnë për nevojën e madhe të ruajtjes së jetës njerëzore. Dhe shkaku kryesor është indiferenca e strukturave vendore dhe qendrore.
Si do të ndihmojë Federata në rritjen e sigurisë në plazhe?
-Ne besojmë se vetëm nëpërmjet bashkëpunimit midis të gjithë strukturave përkatëse dhe duke marrë përsipër përgjegjësitë që na ngarkon ligji, mund të rrisim ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e sigurisë në bregdetin shqiptar.
Cilat janë eksperiencat e vendeve të tjera në këtë drejtim?
-Ky profesion është shumë i vlerësuar në vendet e BE-së. Këtë e them edhe nga eksperienca personale, pasi kam patur mundësinë ta ushtroj këtë profesion në brigjet e Italisë. Pasja e një kualifikimi si lifeguard është një bonus dhe të favorizon nëse konkurron për një vend pune në Itali. Është një profesion shumë fisnik.
Si do të bashkëpunohet me qeverinë dhe bashkitë?
“Jemi të vetëdijshëm se ne, si Federatë Kombëtare, autoriteti përgjegjës për trajnimin, kualifikimin dhe licencimin e Vrojtuesve të Plazhit, po ndërmarrim hapat e parë drejt një sfide të madhe, një rrugëtim përgjatë të cilit nuk mund të ecim të vetëm, por jemi më se të bindur se me ndihmën dhe mbështetjen e duhur, të cilën e presim nga strukturat shtetërore, misioni ynë nuk do të jetë i pamundur. Dhe nëse nuk do të arrijmë dot të kemi një bashkëpunim me këto struktura, atëherë ne si Federatë do t’i drejtohemi organit të Prokurorisë dhe do t’i kërkojmë të hetojë se përse këto struktura nuk e kanë zbatuar detyrën që i ngarkon Ligji. Sepse për ne, jeta njerëzore është shumë e shtrenjtë dhe nuk mund t’i humbasim për shkak të indiferencës së personave të papërgjegjshëm”.
Sigal