Javën tjetër kam ditëlindjen, mblidhni lekët për celularin e fundit

625
Skandalet dhe shpikjet e korrupsionit nuk kanë të mbaruar në fakultetet e Universitetit të Elbasanit. Më e fundit ishte ajo e një pedagoge të Fakultetit të Shkencave Humane, e cila hapur fare u ka kërkuar studentëve të saj, t’i blinin një telefon të fundit Galaxy S-7, ndryshe nuk do të kishin shansin të merrnin as 5 në provim. Sipas një studente të vitit të fundit në një prej degëve të atij Fakulteti në Universitetin e Elbasanit “pedagogia na e tha tullw, pa ju dridhur qerpiku, ashtu siç ka bërë gjithmonë, javën tjetër kam ditëlindjen, dhe dua të mblidhni të gjithë pa asnjë përjashtim lekët dhe të më blini S-7 të re, ndryshe mos guxoni të më kërkoni notën kaluese në provim”. 
Një tjetër studente tha se “kjo pedagoge ka çdo 2-3 muaj ditëlindje, na zhvati nga lekët, e kemi denoncuar edhe tek Rektorati, por duket se i ka krahët e ngrohta”. Një skandal dhe një rast që duhej të ishte marrë në analizë dhe konsideratë prej kohësh nga Rektorati, ashtu si dhjetëra raste të tjera, por që fatkeqësisht është lënë pas dore, duke agravuar situatën e aferave korruptive mes studentëve dhe pedagogëve. Korrupsioni mes tyre në fakultetet e Universitetit të Elbasanit ka kohë që është kthyer në normalitet, ka kohë që afera të tilla janë kthyer në diçka normale, aq sa thuhet se “nuk ka note 5 pa dhënë 150 euro, kurse nota 7 e lartë e ka vlerën 200 euro e sipër”. Absurditeti ka vite që ka mbërthyer bashkë me korrupsionin shumicën e pedagogëve të Universitetit të Elbasanit. Rasti më i fundit kur pedagogia u kërkon hapur, seriozisht dhe me këmbëngulje studentëve mbledhjen e parave për të blerë Galaxy S-7 të re, tregon shkallën se ku është katandisur Universiteti i Elbasanit, se ku janë katandisur një pjesë e mirë e stafit të pedagogëve të fakulteteve të tij, tregon për shkallën e injorancës dhe paturpësisë që ka mbërthyer atë institucion të arsimit të lartë. Tashmë veç parave për provimin, për marrjen e një note 5, studentët duhet të mbledhin para edhe për të blerë telefonat e rinj për pedagogët, orët e shtrenjta, madje ka pasur raste edhe makinat e shtrenjta, në këmbim të mungesës për 4 vjet në auditorë. 
Skandalet korruptive, me të cilat studentët po përballen në fakultetet e Universitetit të Elbasanit, prej kohësh kanë qenë objekt i punës së Prokurorisë dhe Krimit Ekonomik të cilët në zinxhirin e hetimeve dhe përgjimeve kanë renditur mbi 110 pedagogë të përzierë në afera të tilla. Mbi 44 dosje hetimore janë akoma në organin e akuzës në Elbasan nën hetim, ndërkohë që organet e drejtësisë shpesh në punën e tyre kanë pasur edhe presione të ndryshme padyshim edhe politike, për të mbyllur çështje penale dhe dosje pedagogësh. Molepsja duket se ka prekur edhe struktura të tjera dhe prej vitesh kanë nxjerrë jashtë loje drejtuesit e Universitetit të Elbasanit. Një rast tjetër kur policia vendosi të godiste korrupsionin, ishte edhe ai në Fakultetin e Mësuesisë përpara disa ditësh, por që pas ndërhyrjeve nga lart, duket se uniformat blu dolën jashtë loje dhe mbyllën gjithçka. Këto fenomene korruptive, që e kanë diskredituar Universitetin e Elbasanit, duhet të marrin fund pas 22 prillit, me zgjedhjen e Rektorit të ri, duhet të mbyllen dhe të fshihen nga kujtesa dhe realiteti i studentëve, ndryshe gjithçka duhet thënë se ka marrë tatëpjetën dhe rrugën e shkatërrimit të vlerave. Kushdo që do të vijë Rektor në Universitetin e Elbasanit, duhet ta nisë muajin e parë të detyrës tij pikërisht me spastrimet e të korruptuarve, dhe duke nisur fillimisht nga pedagogët. Ky do të ishte një fillim i mbarë, ndryshe duhet të mendojmë se “këneta” do të mbetet e paprekur edhe për 4 apo 8 vitet e tjera në UE. 
Sigal