Java Kombëtare e Ujit, kryetari Veliaj inspekton investimin e UKT te “Siri Kodra”

569
Sigal

Bashkia e Tiranës dhe UKT, rrjet të ri kanalizimesh në Rr.
“Siri Kodra”

Veliaj: “Mbajmë premtimet që dhamë, investimi shmang
përmbytjet në një nga zonat më problematike të Tiranës”

Investimi i ri i Bashkisë së Tiranës dhe UKT-së në Rr.
“Siri Kodra” do të zgjidhë problemin e mbartur prej vitesh në këtë zonë me
kanalizimet, bllokimi i të cilave ka sjellë gjithmonë përmbytje gjatë shirave.
Ky investim është në fazën e tij përmbyllëse dhe
prek një
nga lagjet më problematike, sa i përket përmbytjeve nga shirat. Pas punës për
rikonstruksionin e rrjetit në një nga zonat problematike siç ishte “Don Bosko”,
me investimin e ri në rrjetin e kanalizimeve në Rr. “Siri Kodra”, synohet shmangia
e përmbytjeve që ndodhin në këtë zonë.

Në Javën Kombëtare të Ujit, kryetari i Bashkisë së
Tiranës, Erion Veliaj, si dhe deputetët e PS, Ervin Bushati dhe Sadri Abazi, inspektuan
nga afër ndërhyrjet që po kryen në këtë rrjet të amortizuar, në të cilin nuk
është vënë dorë prej më shumë se 50 vitesh. Në fjalën e tij, kryebashkiaku
Veliaj u shpreh i kënaqur që me këtë investim i jepet zgjidhje një problemi
dhjetëra vjeçar.

“Jam shumë i lumtur që i japim zgjidhje një problematike,
e cila i ka lodhur jo pak qytetarët e Tiranës, sidomos banorët e dy zonave “Don
Bosko” dhe “Siri Kodra”. Siç e patë, nga reshjet e fundit, rehabilitimi që bëmë
te “Don Bosko” dha efektin e parë, nuk patëm përmbytje. Me të mbaruar edhe ky
investim, i cili është një kolektor dy herë më i madh, që shton kapacitetin e
atij ekzistues për ujërat që mblidhen te Rr. “Siri Kodra”, pra nga zona e
Unazës deri te zona e Bregut të Lumit, shpresoj se kemi zgjidhur një
problematikë shumë të madhe. Sigurisht, kur ka reshje të jashtëzakonshme, ashtu
si një kulluese makaronash, e cila merr kohë deri sa të kullojë uji, edhe
Tirana është si një kulluese e madhe makaronash, e shpuar nga ndërtimet mbi
kolektorë e problematika të tjera, në të gjithë rrjetin e kanalizimeve”, tha
Veliaj.

Ai theksoi se përveç përgjegjësisë që ka bashkia në
menaxhimin e situatave me rreshje të dendura, që të mos ketë përmbytje duhet
edhe angazhimi i qytetarëve. “E kuptoj se sa herë bie shi e ka problematika të
natyrës, faji është i kryetarit të Bashkisë, por siç thotë edhe aktori Luftar
  Paja: po ai që ndërtoi mbi kolektor, a ka faj?
Po ai që hedh qese pa fund nëpër zgara, ka faj? Po ai që devijon për një mur,
për një kotec, për një hangar kanalizimet e qytetit, ai a ka ndonjë faj? Jam i
gatshëm të pranoj se kam faj që kur bie shi gjithë qyteti i Tiranës përballet
me këtë problematikë, por duhet që përtej humorit, të shohim edhe
përgjegjshmërinë e gjithsecilit. Ndërtime mbi kolektorë, devijime të kanalizimeve,
tahmaja e dikujt nuk duhet të jetë çmimi që paguan shumica që s’ka shkelur
asnjë ligj”, shtoi kryetari i bashkisë.

Veliaj tha se UKT-ja, në vitin e saj të parë nën
menaxhimin e ri të Bashkisë së Tiranës, ka përfunduar më shumë punë se në një
dekadë bashkë. “Vetëm këtë vit UKT-ja ka kryer 105 ndërhyrje në rrjet. Në një
vit është bërë punë sa në 10 vitet e fundit të marra bashkë. Kjo është një
arsye pse qytetarët vazhdojnë të jenë korrektë me pagesën e faturës së ujit.
Fakti që kemi investitorë të interesuar që të futen si aksionarë në UKT shton besueshmërinë
dhe jo frikën, se kjo është një ndërmarrje e cila po menaxhohet mirë. Për sa
kohë që ne vazhdojmë me këtë ritëm investimesh dhe qytetarët vazhdojnë me këtë
korrektesë, jemi në rrugën e duhur”, shtoi Veliaj. Por, ai ka theksuar se puna
në këtë lagje të Tiranës nuk mbaron me kaq, pasi aty do të investohet edhe për
urbanizimin. “Do të vijojmë rehabilitimin e kësaj zone, sepse nuk mjafton.
Ambicia e vitit të kaluar ishte ajo për të mos u përmbytur, ambicia e këtij
viti duhet të jetë për të urbanizuar zonën, me kënde lojërash, shkolla të
reja”, tha kryebashkiaku.

Deputetët e PS, Ervin Bushati dhe Sadri Abazi, falenderuan
Bashkinë e Tiranës për këtë investim, i cili sipas tyre synon t’i japë zgjidhje
ankesave të vazhdueshme të banorëve të lagjes. “Falenderojmë bashkinë, që një
zone me më shumë se 10 mijë banorë, më në fund po i jep një jetë me dinjitet,
sepse kjo zonë mbahej mend që sa herë binte shi përmbytej dhe shpresojmë që
këtej e tutje të mos ketë më probleme të tilla. Nga ky investim përfitojnë dy
njësi, Njësia 8 dhe 9”, u shpreh Bushati. “E tërë Tirana është kthyer në
kantier pune. Pas 4 vitesh qetësi dhe gjumi, sot Tirana zien nga puna e
vazhdueshme e Bashkisë së Tiranës”, shtoi Abazi.

Në këtë rrugë, rrjeti i kanalizimeve është i ndërtuar në
vitet 70, ndërsa nga përditësimet në terren është verifikuar se problematika që
shkakton përmbytje, ka të bëjë me mënyrën se si është ndërtuar ky rrjet, me
kthesa dhe kënde të ndryshme dhe për shkak të amortizimit të lartë. Problem për
përcjellshmërinë e këtij tubacioni është edhe gjendja e dëmtuar në shumë
segmente të tij, si rezultat i godinave dhe mureve rrethuese të ndërtuara mbi
të. Me ndërhyrjen e UKT-së, eliminohen problemet të cilat shkaktonin përmbytje.