Janullatosi hidhet në sulm për të kapur programet fetare në shkolla, kërkon regjistrimin e besimit të nxënësve

583
Mësuesit që do zbatojnë projektin “Pilot” të lëndëve mësimore fetare, kanë nisur “specializimin” në një kolegj turk

Përparim HALILI
Synohet, që numri i nxënësve me origjinë greke, të jetë sa më i madh në çdo shkollë e në shkallë vendi, me qëllim që të kërkohet, që programi bazë i lëndës fetare të jetë sipas parimeve të besimit ortodoks grek dhe mësuesit, të jenë priftërinj grekë
Shteti shqiptar, po vazhdon të qëndroj si “pulë e lagur” përballë diversionit shovinist grek ndaj Shqipërisë bërë në histori, territor, shkencë, emigracion, besim fetar, gjendje civile, regjistrim popullsie, regjistrim fëmijësh të lindur në Greqi, ndërhyrje në kufijtë shtetërorë detarë e tokësorë, në kulturë, ekonomi, banka, universitete, kolegje shkollore të arsimit të mesëm, në zgjedhjet parlamentare e vendore, në kisha e kudo ku ka gjetur dhe gjen terren të lirë për të vepruar. Se çfarë qëllimesh ka Greqia ndaj Shqipërisë, këtë gjë e di gjithë bota. Por që punët të shkonin deri tek skandali i rëndë, që kryepeshkopi grek i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, ish-studenti i akademisë së policisë sekrete greke, graduar “kolonel”, Hirësia e tij Anastasios Janullatos, të guxonte të futej edhe në arsimin parauniversitar shqiptar nëpërmjet besimit fetar, kjo është e palejueshme dhe duhet ndaluar e madje duhet ndëshkuar me përzënien e tij nga Shqipëria. Burime nga brenda “kambanores” së Janullatosit në Tiranë, na bëjnë me dije, se kryepeshkopi grek i desantuar në krye të kishës ortodokse autoqefale shqiptare prej 25 vitesh, i ka kërkuar shefit të qeverisë shqiptare, që të nxjerrë një vendim “special”, për të regjistruar nxënësit në shkollat shqiptare, sipas besimit fetar. Përse i duhet, ky regjistrim?! Burimet e informacionit, konfirmojnë, se ky është një skenar për të uzurpuar programet mësimore të lëndës fetare dhe numrin e ekipeve të mësuesve fetarë brenda shkollave që do të aplikohet në këtë fund shkurti, si projekt “Pilot” në shkollat e arsimit parauniversitar publik shqiptar. Siç dihet, ka një projekt, tashmë të miratuar me vendim qeverie, që në shkollat shqiptare të sistemit parauniversitar, do të futen edhe lëndë me program fetar. Ministria thotë, se do jepen njohuri “të përgjithshme e jo specifike, pa i dhënë përparësi asnjë besimi fetar”! Mirëpo, këtë përparësi dhe preferencë, duket se po e synon ta ketë kisha greke, që ka edhe sundimin e kishës ortodokse autoqefale në Shqipëri. Qëllimi? Numri i nxënësve me origjinë greke, të jetë sa më i madh në çdo shkollë e në shkallë vendi, me qëllim që të kërkohet, që programi bazë i lëndës fetare të jetë sipas parimeve të besimit ortodoks grek dhe mësuesit, të jenë priftërinj grekë! A do të lejohet kjo gjë? Përgjigjen do ta japë koha, por deri tani dihet një fakt, që kryeministri ka pranuar të diskutojë me Janullatosin e pas tij, t’ua japë ekspertëve për ta konsultuar! Dihet edhe diçka tjetër, që po ndodh këto ditë: mësuesit që janë përzgjedhur për të zbatuar projektin “Pilot” të dhënies së programit të lëndëve mësimore fetare, kanë nisur “specializimin” në një kolegj turk në Tiranë! Pse? A nuk ka komitet kultesh fetare në kryeministri? A nuk ka specialistë të kulturës fetare të çdo besimi në Shqipëri?! 
Sigal