Jani Ceca dhe Jovan Ziu: “Jemi të depolitizuar. SHQUP-i t’i rikthehet Ushtrisë!”

89

Ish-ushtarakët e Beratit: Do të ngujohemi në godinë!

Ish-ushtarakët e garnizonit të Beratit të impenjuar nga vendimi që ka marrë Kryeministri në ikje, që Shtëpinë Qendrore të Ushtarakëve ta kthejë në selinë e Partisë Demokratike kanë ndërmarrë një vendim ekstrem. Ata do të ngujohen në godinën e ish-Shtëpisë së Ushtarakëve. Sipas ish-ushtarakëve bëhet e ditur se, ata me këtë vendim janë njohur nëpërmjet shtypit që qeveria në ikje ka nxjerrë një VKM për t’i dhënë Partisë Demokratike SHQUP-in në Tiranë. Të irrituar nga ky veprim ata janë shprehur, se, si ushtarakë të Republikës së Shqipërisë e kundërshtojnë këtë vendim të paligjshëm. Shtëpia Qendrore e Ushtarakëve është ndërtuar nga vetë ushtarakët në vitin 1963 me punë vullnetare, kohë kur Sali Berisha ishte ende në fshat. Më tej ushtarakët janë shprehur se, ajo është simboli dhe krenaria e Ushtrisë Shqiptare dhe e ushtarakëve që i shërbejnë atdheut dhe betimit ushtarak. Ajo nuk mund të tjetërsohet me një vendim të paligjshëm dhe të një qeverie që e nxori populli në opozitë me votën e 23 Qershorit.
Reagimi
Ish-ushtaraku Jani Ceca dhe Jovan Ziu, u shprehën: “Ne si ushtarakë të Republikës së Shqipërisë, si pjesë e shoqërisë jemi të depolitizuar dhe kërkojmë nga shteti dhe qeveritë që ikin e vijnë të zbatojnë ligjet që ka nxjerrë Parlamenti. Boll jeni tallur dhe keni denigruar figurën e ushtarakut. Ushtarakët i kanë shërbyer atdheut me vite të tëra, kanë për nder ta kenë një shtëpi qendrore të tyren, ku të pinë kafe e të shkëmbejnë mendime në kohën e pleqërisë. Ata, megjithëse, shërbyen me devotshmëri si në atë kohë edhe sot ata që janë aktivë shërbejnë ende në Afganistan, Bosnje e kudo, ku i dërgon atdheu dhe detyra. Ushtarakët shërbejnë me devotshmëri, por sot qeveria shkon dhe u merr edhe atë shtëpi qendrore që i shërben vetëm ushtarakëve”, thanë ata.
Rasti i njëjtë
Ish- ushtarakët u shprehën edhe për problemin e tyre që është pothuajse i njëjtë me rastin në fjalë. “Edhe ne këtu në Berat, kishim një shtëpi ushtarakësh që qeveria me VKM e shiti tek pushteti lokal, i cili ka një vit që e ka në përdorim dhe e ka kthyer në depo plehrash duke mos i dhënë asnjë funksion vetëm e vetëm për t’ju a marrë ushtarakëve dhe për të bërë dallavere”. Shoqata e Ushtarakëve deklaron se, ndihen të indinjuar dhe nga veprimet pasivë që mbanë për këtë problem dhe komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë, i cili ka kompetencat që duhet t’i presë rrugën veprimeve abuzive me pronat e ushtrisë, sepse ato janë pronë kombëtare dhe jo e Berishës, Imamit dhe forcave të tjera politike. Partitë politike kanë fondet e tyre për të ndërtuar seli kudo dhe si t’i duanë godinat e tyre, ndërsa këto ndërtesa ato janë pronat e ushtrisë. Ish-Ushtaraku Jani Ceca shprehet për gazetën se, “pronat e ushtrisë i ka në përdorim Shtabi i Përgjithshëm dhe është në nderin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë që të thotë fjalën e vetë për këtë problem. Ata në kohë e momente të caktuara e kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm, sepse nesër mund të jetë vonë”, u shpreh Ceca. Ushtarakët e garnizonit të Beratit, i kërkojnë dhe Shoqatës së Ushtarakëve në Tiranë të bëjnë detyrën e tyre për këtë problem.