Jani BASHO/ Orientimi nga perëndimi, shpëtimi ynë i vetëm

556
Sigal

 Kërkesa e Shqipërisë për statusin në vitin 2009

Vetëm pak javë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së stabilizim-asociimit Shqipëri-BE, më 28 prill 2009 qeveria shqiptare vendos të dorëzojë pranë Presidencës Çeke aplikimin për statusin e vendit kandidat. Ky ishte vetëm hapi i parë i një kalvari të gjatë përpjekjesh e refuzimesh nga Europa. Në muajin nëntor 2009 Këshilli i Ministrave të BE-së miratoi kërkesën për anëtarësim të Shqipërisë.

 Shqipëria nuk e merr statusin në dhjetor 2013

Më 16 tetor 2013, nisur nga progresi i arritur, Komisioni Europian i rekomandon Këshillit dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë me dakortësinë që vendi të vazhdojë të ndërmarrë veprime në luftën kundër korrupsionit. Por për shkak se disa vende anëtare, si Britania e madhe, Holanda, Franca etj. kërkuan më shumë kohë për të vërtetuar se reformat e nisura nga Shqipëria ishin reale, statusi sërish nuk u dha.

 Shqipëria merr statusin në 24 qershor 2014

Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian në 24 qershor 2014. Vendimi është miratuar unanimisht nga 28 ministrat e jashtëm të BE në samitin e mbajtur në Luksemburg. Në një deklaratë të Këshillit Europian theksohet se vendimi i marrë reflekton një hap të qartë përpara në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, por dhe progresin që ka bërë vendi në zbatimin e reformave të nevojshme.

“Orientimi nga Perëndimi, shpëtimi ynë i vetëm”, shkruar nga Dr. Jani Basho, botuar në revistën “Dialëria”, që studentët shqiptarë të Vjenës botonin në fillim të viteve 20-të të shekullit XX, tingëllon shumë aktual në realitetin e sotëm shqiptar. Pas mëse 90 vitesh nga ky shkrim, Shqipëria, më në fund, në 24 qershor 2014, mori statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në bashkimin Europian, edhe pse na ka takuar prej kohësh. Gazeta “Telegraf”, duke gjykuar aktualitetin e tij, boton sot të plotë shkrimin e Dr. Jani Basho, publikuar 90 vjet më parë.

          

            Po të shikojë njeriu me gjakftohtësi gjendjen e sotme të brendshme të Shqipërisë, arrin në këtë rezultat: Shqipëria është si një foshnjë lindur para kohe nga Turqia, e cila ishte një grua e sëmurë barsë dhe prej goditjeve të fuqive të reja ballkanike, dështoi, duke lindur disa foshnja të dobëta e të sëmura. Serbia, Bullgaria dhe Greqia adoptuan secila nga një prej këtyre foshnjave dhe filluan t’i ushqejnë me qumështin e vet. Shqipëria, megjithëse u nda, u zvordh me pahir prej Turqisë, ushqehet prapë me qumështin e saj të helmët. Prognoza për jetën e një foshnje të tillë është e lehtë. Vdekja. Mënyra e vetme e shërimit është ndërprerja absolute e ushqimit të helmët dhe dhënia e një ushqimi të shëndetshëm. Orientimi nga Perëndimi është çështje vitale për ne!

            Çdo shqiptar, i cili beson, ndjen që është anëtar i një populli, të cilin e çmon, e nderon, për të cilin shpreson, guxon, heq e duron, duhet të dalë nga besimi i tij i pasigurt, duhet të shohë qartë e kulluar: A ka të drejtë të besojë në fuqinë e racës shqiptare, apo është një i gënjyer?

            Shekuj kanë kaluar, shekuj të tërë, që kur shqiptarët nuk i ka thirrur Atdheu në këtë mënyrë si sot, në një numër kaq të madh, për një çështje kaq të madhe, kaq të pranishme, kaq të përbashkët, kaq të lidhur si popull, si shqiptarë. As mund të vijë ndonjëherë një kohë kaq e madhe. Në qoftë se edhe këtë herë nuk e kuptojmë rëndësinë e kohës, nuk e dëgjojmë zërin e ndërgjegjes, atëherë nuk do të na numërojë njeri për gjë. Të dëgjojë pra sikush zërin e brendshëm të ndërgjegjes, të kuptojë nevojën e kohës, të mendohet, të mbledhë mendjen. Dhe sikush, që e ndjen zërin e kohës, le të marrë një vendim në veten e vet dhe për veten e vet, sikur të ishte i vetëm dhe të gjithë punën të ishte i shtrënguar ta bëjë vetë. Në qoftë se shumë mendojnë në këtë mënyrë, atëherë bëhet një shumicë e madhe me një fuqi të përbashkët të madhe. Po në qoftë se sikush largohet dhe shpresën e var te të tjerët, atëherë s’ka të tjerë dhe puna qëndron si më parë. Të vendosim njëzëri shpejt, shumë shpejt. Të mos themi të çlodhemi edhe pak, të flemë, të ëndërrojmë edhe pak, se mundet që shpëtimi të na vijë vetvetiu. Ai që e la punën e djeshme dhe që sot nuk do ta mbarojë, nesër do të mundë më pak ta mbarojë. Çdo përtesë, çdo shtyrje e punës së sotme për nesër na bën më përtacë, më të plogët, na e bën zakonin e ndyrë natyrë të dytë. Motivet për t’u zgjuar, për të lëvizur nuk mund të jenë kurrë më të fortë se sot. Ai, të cilin koha e sotme nuk e shkund, ka humbur sigurisht çdo ndjenjë. Sot jemi thirrur të gjithë të marrim një vendim të fortë, jo një vendim për të urdhëruar, për të zgjuar ndonjë tjetër, por për të zgjuar vetveten. Duhet të marrim një vendim të cilin ta verë sikush në veprim për personin e vet. Nuk mjafton sot vetëm fjala, shpresa se punët do të ndreqen ndonjëherë, por duhet një vendim i cili të jetë në të njëjtën kohë edhe punë, i cili të vazhdojë pa u ftohur deri në arritjen e qëllimit.

            Çdo shqiptar  le ta parafytyrojë se në ç’gjendje të lumtur do të ishte sot Shqipëria, në qoftë se Shqiptarët do ta kishin kuptuar rëndësinë e kohës dhe do ta përdornin atë në favorin e tyre. Çdo Shqiptar le të mendojë sot, le të shikojë qartë çfarë mund të ndodhë nesër. Në qoftë se mbetemi si sot në përtesë, në mosmarrëveshje, atëherë të përgatitemi për gjithë të këqijat e zgjedhës së huaj, për vobektësinë, shndërrimin dhe përbuzjen e arrogancës së invaduesit. Do shtyhemi dhe do shkelemi në të gjithë cepat e atdheut, do të përzehemi prej çdo vendi, ku kemi qëndruar, deri sa, si të kemi theroruar gjuhën dhe kombësinë, të na falet një copë tokë e dorës së dytë dhe kështu të shuhet kombi ynë prej faqes së dheut. Kush vjen pas nesh, do të jetë i shtrënguar të mësohet me mendime, me zakone të tjera, të pranojë forma të huaja. Edhe sa kohë do të kalojë, gjer sa të mos gjendet njeri që të ketë parë Shqiptarë ose të mos ketë dëgjuar për ta?

            Po në qoftë se bëhemi burra tani dhe vendosim të punojmë, atëherë do të rrojmë të pasur e me nder dhe do të shohim të rritet ndër ne një brez i ri, i cili, neve dhe Shqiptarizmit përgjithësisht i zotohet me kujtimet më të shkëlqyeshme. Ne e shohim me mendjen tonë qysh Shqipëria do të lartësohet me këtë brez të ri, do të lavdërohet dhe do të zërë vendin e merituar në botë. Puna varet nga ne, në qoftë se ne duam të jemi anëtarët e fundit, të pazotë të një kombi, të cilin bota do mos e nderojë, varet nga ne Shqiptarët që rrojmë sot, në qoftë se duam të vdesim si popull, të humbim; apo të jemi fillimi i një kohe të re, të shkëlqyer, të jemi ata, të cilëve gjeneratat që vijnë do t’i detyronin shpëtimin. Të mendohemi, se ne jemi të fundit, në duart e të cilëve qëndron gjithë ky nderim. Ne kemi dëgjuar atë ç’ka tha bota, që Shqiptarët janë të bashkuar. Ne kemi një shenjë të dukshme, një mjet të fortë për bashkimin, kemi kombësinë, kemi një atdhe, pamë ose dëgjuam se kemi një qeveri, dëgjojmë mes nesh nga koha në kohë edhe zëra, të cilët entuziazmohen për dashurinë e atdheut.

            Çfarë kërkohet prej nesh nuk është shumë. Na duhet vetëm të mbledhim veten dhe të mendohemi për  atë që e kemi përpara syve tanë, për fillimin e orientimit nga perëndimi.

            Të mos e lemë veten të paralizohet prej mendimit, se koha do t’i ndreqë punët, koha ose ndonjë fuqi tjetër e fshehtë. Ne nuk mund të na ndihmojë tjetërkush, veç ne vetes sonë. Mundet që me shi dhe vesë të bëhen vite të frytshme ose të pafrytshme, por gjërat njerëzore i bëjnë njerëzit vetë dhe asnjë fuqi tjetër jashtë tyre. Duhet të jemi të verbër në qoftë se besojmë të kundërtën. Por bota thotë se ne të verbër nuk jemi, atëherë le të veprojmë sikush duke u menduar që është i vetëm dhe prej energjisë së tij varet shpëtimi i brezave të ardhshme. Kjo është ç’ka duhet të bëjë sikush, këto fjalë ju betojnë ju Shqiptarë, çdonjërin prej jush.

            Ju betojnë ju, o pleq! Është një e vërtetë e provuar, që çdo njeri, i cili ka punuar për një përmirësim, për një reformë, veç mundimeve të mëdha që ka pasur për t’u lartësuar aq sa të ndjejë nevojën e përmirësimit dhe të studiojë mënyrën e aplikimit të saj, luftën më të madhe e ka pasur kundër jush. Se ju, o pleq, çdo përparim, çdo gjë të re e pandehni si shndërrim, si prishje dhe keni luftuar, keni përdorur çdo mjet deri sa e keni fituar luftën. Kështu keni qenë ju fuqia ndaluese e përhapjes së çdo përparimi të ardhur nga mundimet shekullore të gjenive të vërtetë të botës, deri sa u bëtë pluhur, deri sa edhe të rinjtë, të cilët më parë ishin kundërshtarët tuaj, i bëtë për vete. Rezultati i punës suaj është gjendja jonë e sotme. Por, me gjendjen e sotme ne nuk mund të rrojmë në Europë. Këtë e kuptoni edhe ju, se edhe ju me gjithë pleqërinë tuaj nuk doni të vdisni. Ata prej jush, që e kuptojnë kërkesën e kohës, duhet ta forcojnë djalërinë, ta këshillojnë, ta ndihmojnë në punën e madhe të saj. Ata të cilët rrojnë akoma në shekuj të kaluar, i betojnë këto fjalë, që të mos turbullojnë, të mos dalin në rrugë me mençurinë e tyre, e cila, po të ishte që mund të na shpëtonte, do të na kishte shpëtuar prej vitesh.

            Këto fjalë ju betojnë ju nëpunës dhe të parë të popullit. Përgjegjësia për gjendjen tonë të sotme, për çdo gjë që do ndodhë bie mbi ju. Ndryshimi i madh midis jush dhe shumicës së popullit nga ana kulturore është një anomali, pa evidentimin e së cilës, mbarëvajtja jonë është e pamundur. Dija dhe fuqia nuk duhen përdorur në dëm të të paditurit, të të pafuqishmit, por për krijimin e një harmonie të plotë në popullin tonë në çdo pikëpamje, për krijimin e kulturës  kombëtare, për lartësimin e emrit shqiptar. Rritja e menjëhershme e disa njerëzve në një popull mbi kurrizin e tij, pa patur meritën e duhur, është një gjë anormale, është një sëmundje që ve në rrezik jetën e të gjithë popullit. Përdorimi i një fuqie të besuar prej shtetit për interesa egoiste, është një faktor, i cili shkakton sigurisht rrënimin e vetë shtetit. Virtyti më i madh për të cilin kemi nevojë sot është dashuria për atdheun e provuar me vepra dhe idealizmi i vërtetë. Ikën vitet kur Shqipëria ishte një provincë e Turqisë dhe kur dëmi i shkaktuar prej abuzimeve dhe punërave të këqija të nëpunësve shpërndahej mbi të gjithë Turqinë. Sot nëpunësi shqiptar, duke vazhduar me metodën e vjetër shtetrrënuese, pret me thikë në mishin e vet, i bie me sëpatë trupit të lisit shpëtues, mbi të cilin qëndron. Ata Shqiptarë, të cilët rrojnë akoma me iluzionin se kanë para tyre skllevër, si në kohën e Turqisë dhe jo nënshtetas shqiptarë me të drejta të njëjta, gënjehen tmerrësisht. Një nga të këqijat katastrofike për jetën sociale që kemi trashëguar nga Turqia, është egoizmi, shtimi i fuqisë personale dhe të rrethit të interesave me çdo mënyrë, pa marrë parasysh interesin e përgjithshëm. Si mundet të ketë në këtë mënyrë harmoni në shtet, si mund të vijë bashkimi i shqiptarëve, kur sot për shumicën e nëpunësve, për shumicën e udhëheqësve të tyre, idealizmi, altruizmi, njerëzimi, themelet e qytetërimit, janë gjëra të panjohura? Ai, i cili e pandeh veten se ka një cipë kulture, edhe të cilit shteti i ka besuar një nëpunësi, nuk duhet të ngrejë kokën përpjetë dhe të shohë vetëm veten e vet, por të vështrojë edhe qarkun, të mendohet se është shqiptar, rron në Shqipëri, e cila megjithëse tokë europiane, është nga pikëpamja kulturore dhe sociale një vend aziatik. Ky mendim shqiptarin e kulturuar duhet ta bëjë shumë serioz. Se, ç’rëndësi ka, kur një shqiptar i ndritur, qoftë edhe ministër ose çdo nëpunës tjetër, tundet nëpër rrugët e kryeqytetit, të kryeqytetit i cili është plot me shqiptarë të tjerë të rreckosur, të stafilosur dhe primitivë deri në shkallën e fundit? Të mendohemi më në fund se jemi në Europë dhe rrojmë si në Afrikë. Të mendohemi se deri më sot nuk kemi bërë asgjë për kulturimin e vendit tonë. Po na e kalojnë edhe Karpatorusët!

            Cilët janë Karpatorusët? Meqenëse janë të vetmit që kanë mbetur aq prapa sa edhe ne në Europë, e shohim të nevojshme të japim disa shpjegime për ta.

            Në rrëzë të Karpateve, ndehet me pamjen e saj romantike, gjysmë të egër, Karpatorusia, e  cila, sipas vendimit të Rutenëve që rrojnë në Amerikë, u nda prej Hungarisë dhe u bashkua me Çekosllovakinë (në paqen e Trianonit). Madhësia e tokës është 14 000 kilometra katrore, banuesit një milion. 79 % e popullsisë janë analfabetë, gjë e cila nuk e ndalon që Karpatorusia të ketë 14 parti politike! Nga këto parti, vetëm njëra është me qeverinë e Pragës. Në mesin e një egërsie afrikane, tërbohen në këtë vend të mjerë propagandat e huaja, që punojnë me çdo mjet. Se jo shumë larg prej mesit të Europës, u mbajt një popull me pahir në natën e mosmësimit dhe nuk u përdor më mirë se një kafshë. Populli rron nëpër kasolle pa ndonjë orendi shtëpiake njerëzore. Ushtarët që u mblodhën prej këtij vendi në kohën e luftës nuk bindeshin të flenë nëpër krevate. Përdorimi i thikës, pirunit dhe i pecetës gjatë ngrënies ishte një gjë e panjohur për ta. Mishin dhe gjellët i hanin me gishta. Këpucët me qafa i pandehnin si barrë e tepërt që s’duhen.  Rrobat “alla frënga” i kthenin prapë me fjalën që janë “stoli” e zotërinjve. Shkrimin dhe këndimin, të cilat mundoheshin t’ua mësonin nëpër kurse oficerët austriakë, i pandehnin mjeshtëri që nuk nxehen kurrë. Kur qeveria e Pragës dërgoi në këtë vend miell të bardhë, gratë e atjeshme nuk dinin të gatuanin me të asgjë, e kthyen përsëri dhe kërkuan miell misri. Kur qeveria dërgoi mjekë për luftimin e sëmundjeve, populli ikte maleve duke marrë me vete edhe të sëmurët. Nëpër shtëpitë ku kryqi i kuq kishte zënë ndonjë dhomë, populli thoshte se atje ka ndenjur djalli.

            Kështu ka qenë gjendja deri para tre vitesh. Por sot është krejt ndryshe. Sot shteti ka hapur shkolla në çdo katund. Për të mësuar edhe njerëzit e shkuar në moshë përdoren mjete të veçanta. Gra çeke, mësues dhe profesorë shëtisin prej katundit në katund, mbledhin popullin, mbajnë fjalime, tregojnë përralla dhe u mësojnë abc. Në një kohë që qeveria e Pragës bën theroria të tilla nëpër katunde, në qytete bën pallë prifti, maxhari dhe çifuti. Këta janë zotërinjtë e vendit, këta janë edhe politikanët. Sot për sot lufta më e madhe është lufta e gjuhës. Se mbasi në vend fliten tri dialekte, ka dalë një zënkë mbi çështjen e gjuhës së përbashkët, zënkë e cila helmon atmosferën duke u dhënë fushë veprimi edhe propagandave të huaja dhe duke sjellë shumë ndalesa të mësimit nëpër shkolla.

            Rakia ka qenë ushqimi i karpatorusëve! Por qeveria e Pragës filloi menjëherë luftën kundër këtij mbytësi të popullit. Qeveria e Pragës ka filluar edhe punëra të tjera për kulturimin e vendit, punë që kërkojnë theroria të mëdha njerëzore dhe të holla. Dhe shih njëherë, për tri vjet në këtë vend, të cilin parësia e Hungarisë e vizitonte vetëm njëherë në vit, kur dilte për të gjuajtur arinj, po përhapet kultura me një shpejtësi aq të madhe sa një profesor i universitetit çek, shtrëngohet të thotë këto fjalë: “Deri sa të zhvillohet një shtet Ukrainë, i ndarë prej Rusisë, Karpatorusët tanë do të lartësohen, por atëherë do të duan të bashkohen me vëllezërit e tyre Ukrainë të tjerë. Ky zhvillim është vetëm çështje kohe. Për këtë shkak ne e pandehim bashkimin e Karpatorusisë me Republikën tonë si një çështje të përkohshme. Është gjë e mirë që populli ynë ta dijë, se së pari ne kemi marrë përsipër të punojmë sot një çiflig të huaj, të cilin më vonë do të jemi të shtrënguar ta kthejmë përsëri”.

            Kjo është Karpatorusia, vend afrikan në mesin e Europës, më keq se Shqipëria. Por edhe në këtë vend u hodhën themelet e kulturës këto tre vitet e fundit, ndërkohë që në Shqipëri nuk është bërë asnjë rrugë, asnjë urë, asnjë ndërtesë.

            Prandaj këto fjalë të betojnë më tepër ty  djalëri, ju djelmosha, se ju jeni të zotët për çdo gjë të lartë, për çdo punë të mëdha, se mosha juaj është më afër me pafajësinë, me natyrën. Bëni për vete mjeshtërinë e madhe me dijtë me u mendue, merrni stolinë më të bukur të njeriut, karakterin, jepuni gjallëri e kthejini në vepra mendimet e qarta, punoni sipas kërkesës urdhëruese të kohës, se ju e ndjeni më të pastër zërin e atdheut.

            Djalëri shqiptare, një kohë e madhe po të pret. Dehu, ndizu me zjarrin tënd që ke përbrenda, nevoja e madhe e mbrojtjes, e shpëtimit të sendit më të shenjtë, entuziazmi i lindur nga dashuria që ke për të, le të t’i skuqi faqet, le të t’i bëjë sytë të shkreptijnë, le t’i japë aksentin e duhur për efektin, le t’i japë fluturim gjuhës sate, le ta lartësojë, le ta mprehë zërin tënd.

            Djalëri shqiptare, koha bërtet për një ndërrim të madh politik, social dhe kulturor në atdheun tënd, koha bërtet për orientimin tonë nga perëndimi.

            Entuziazmi yt, kjo fuqi perëndore le të të japë fuqi, që me ndërgjegje të qetë t’i vesh zjarrin ndërtesës së vjetër, pa u turbulluar aspak nga sytë dyshimtarë, përqeshës dhe trembës. Nuk sheh? Kudo që vete në Shqipëri pengohesh nga gërmadhat e vjetra, je e qarkuar nga murishtat e kalbura, të cilat ta ndalojnë dritën, të kanë zënë vendin e banimit. Shembi, qëroji murishtat e vjetra, për të ngritur në vendin e tyre ndërtesën e shkëlqyer të idealit tënd, të kohës sate. Bëju hero i punës, i ndërtimit, se heronjtë e mendjes dhe popullin i ke me vete. Inteligjencia e shëndoshë, e paprishur, çdo shqiptar, që mund të entuziazmohet nga idetë e larta do të jetë me ty. Apeli dhe ndjenja e gjallë e dashurisë së atdheut, rreziku i tij, do madhojë, do forcojë edhe më të voglin deri në therorinë edhe të jetës.

 (“DIALERIA”, Viet II, Nr. 15-16, f. 1-3, 1922)