Janë ata burra tribunë që vdesin shpejt e rrojnë shumë

770
Enver CAKAJ
Ndonëse Veteranet e Luftës nuk do të jenë të gjithë, kur të bëhet apeli ata do të përgjigjen me një zë. “Atdhe, jemi këtu!”
Varfëroheshin njerëzit, varfërohej e gjithë Shqipëria. Atdheu ishte në rrezik dhe bijtë e Skraparit vendosën të luftonin për këtë tokë, se e kishin jastëk për kokë. 
Kush e krisi i pari? Nuk e mori vesh njeri, po portat krisën nëpër natë. I lanë nënat e gratë vetëm dhe ikën. Asnjeri nuk pyeti, se nga ikën e kur do të ktheheshin. Zërat nuk dëgjoheshin kur kërcisnin pushkët. Atje në mal ishte buka e liria e fëmijëve, atje ishte jeta. Po përse nuk dukej? Pa përgjakur malet nuk kishte liri. Lulet e maleve u rritën me gjak. Djemtë e nënave do ta vinin kokën mbi gur, që të vinte ai që quhej jastëk. Po zjarri ku ishte kur cikma të thante fytyrën? Aty ishin dysheku, buka dhe kënga. S’kishin salla, por fusha betejash. Edhe nje here që deshi të vinte në shtëpi dëshmori Abedin Qafoku, nuk arriti dot, se e ndiqnin. Atje, në Typjak, doli nëna dhe i nxori njëçikë bukë. S’kishte sofër, por në degë dëllinje ia lëshoi bukën. Kaq dhe ajo nuk e pa më djalin e saj. Ai mbeti në një betejë në fuftimet e Beratit. Mestan Hamzollari, pasi mësoi shkrim në luftë, i shkroi letrën e parë të atit: “I dashur baba! Këtë letër po ta shkruaj vetë, se kam mësuar nga shokët. Kam merak, a e mbollët misrin?” I ati e mbolli dhe e korri misrin, po Mestani nuk u kthye dot më ta shikonte. Edhe pse e kishin mbaruar luftën, patriotët skraparas e kishin mendjen ende nga lufta. Bandat dhe lakmitë e shteteve fqinje lakmonin zona të rëndësishme shqiptare. Kjo u shfaq në provokacionet e dy gushtit 1949 në Vidohovë. Riza Kodheli dhe Ahmet Bala nga krahina e Potomit, që “në luftë e shkuan jetën, kullotën bashkë me bletën”, kur ishin duke pleqëruar ndjenë shqetësim dhe i shkruan letër Enver Hoxhës të merrnin sërish armët dhe të niseshin atje. Por ushtria shqiptare e përballoi vetë atë provokacion. Tek e shoqja e Lace Backës, në Backë, vajti një mik dhe pyeti, se ku ishin burrat e fshatit. Ajo grua qesqinkë, që kishte ngrënë bukë me Lacen e trimat e tjerë, iu përgjigj: “Backa s’ka më burra, burrat janë atje lart në Qafën e Martës!” Atje ishte Lacja me shokët, që kishin luftuar me monarkofashistët grekë dhe kishin mbetur atje, në roje të krahinës. 
Këngët dhe krismat e pushkëve kishin bërë ilaka gjatë Luftës. Binte një në betejë dhe ngrihej kënga: 

“Gjithë këngët e bilbilit,
Ia këndonte trimi trimit.”

Sali Zabërzani e ka ende varrin të hapur në Qafë të Skraparit. Ai varr mbeti hapur, po Zaliu nuk u fut kurrë atje. Nuk e kapën dot dhe ai jetoi deri vonë. Këngë nuk i ngritën, po vendi quhet ende “Te varri i Saliut.” Koburja e parë ishte e padukshme, por të vriste më shpejt. Ju lutemi, po kalojnë partizanët, po uluni në gjunjë. Nuk nderoni ata, po lirinë që na suallën. Nderoni, se kanë flamurin në dorë. Është flamuri që qëndisi Marigoja. E pyetën atëherë Marigonë:

“Flamurin qysh e qëndise,
Kush të tha e nga e nise?”
Marigoja u përgjigj krenare:
“Flamurin që më la nëna,
nënës ia kish lënë e ëma.” 

Dhe dorë më dorë ai flamur flakëronte nëpër beteja e aksione. Nënat gjithara, tek përgjonin dritareve e derickave, pyesnin të përlotura: 

“Kur do mblidhen,kur do vijnë,
Sa e dhanë jetën të njomë?” 
Dhe malet dergonin fjalë:
“Do t’i bëjmë djemtë kurbanë.” 

Gjaku është ende pa u tharë. Vaip Gogua, i mori me vete në varr copat e predhave, gjakun e la në Tendën e Qypit. Nuk mund të jetonte pa to, as i gjallë, as i vdekur. Në këmbë luftoi.

“Ja kështu do kemi qënë,
Bota bamp e ne në këmbë!” 

Janë ata burra tribunë, vdesin shpejt e rrojnë shumë. Jetojnë apo s’jetojnë ata i kemi këtu. Ja Kahreman Ylli, Zylyftar Veleshnja, Sabri Sevrani, Shaqir Kapinova, Neshat Hysi, Qerim Gjineci, Iljaz Sevrani, Mestan Ujaniku, Xhemal Ujaniku, Belul e Bajram Gjoni, Nevruz Gjerbësi, Nesim Osoja… Nasipe Runi nuk pranoi ta varrosnin të tjerët djalin e vetëm, Alush Runi. I kishte nxjerrë çarçafët nga sepetja e nusërisë, ku i kishte ruajtur, që të flinte djali kur të kthehej nga lufta. Dhe me duart e saj e atë zemër të ngurosur, i mori eshtrat e djalit një nga një, i mblodhi me çarçafët dhe i futi në varrin e zi! Ajo familje u shua, por jo heroizmi i saj. Alushi na ka lënë këtë frazë të dhembshme në ditarin e tij: “Le të jenë kujtimet e jetës sime të shkruara në maren e Velçanit, i shtrirë në lëmizhdet e këtyre pemëve, ku as këmba e bariut nuk kishte shkelur…Le të jenë këto fraza të shkruara në kohën më kritike të njeriut, që e ndjekin tradhtarët e Ballit Kombëtar këmba-këmbës, po vetëm vdekja e dorëzon trupin tim! Kujtime të paharruara edhe për nënën time të mjerë, që ka plot nëntë muaj, prej tetorit të vitit 1943, që nuk e ka parë me sy djalin e vetëm, gruaja burrin e dashur të shtatë vjet martese dhe vajza e vogël katër vjeçare babanë e saj! Le të pikëllohen edhe këto, ashtu si heqin, vuajnë, familjet e dëshmorëve. Le të gjejnë dhe këto fjalë shprehje nga njerëzit e mi, që i dua si shpirti, Aliun e Reshatin!..” Partizanët thuaj se po shuhen një e nga një. Por vendi i tyre nuk është bosh. Bijtë, bijat, nipërit dhe mbesat kanë marrë përsipër rolin e tyre në mbrojtje të idealeve që lanë. Organizatën e Veteranëve të Luftës po e drejtojnë ata me dinjitet. Kanë kaluar 60-vjet nga krijimi i kësaj Organizate dhe po përgatiten për ta festuar. Në 20-korrik ata do të festojnë ditën e krijimit të organizatës së tyre. Ndonëse Veteranet e Luftës nuk do të jenë të gjithë, kur të bëhet apeli ata do të përgjigjen me një zë. “Atdhe, jemi këtu!”
Sigal