Janar-shtator 2017: KLSH konstaton 720.5 milionë euro dëm ekonomik dhe shkelje

563
Kontrolli i Lartë i Shtetit prezantoi Buletinin e Tretë Statistikor për vitin 2017, i cili përmbledh rezultatet e të gjitha auditimeve të kryera prej tij në periudhën Janar – Shtator 2017. Në këtë buletin përfshihen dëmi ekonomik i konstatuar, të ardhurat e munguara dhe shpenzimet e kryera jo në përputhje me parimet e efektivitetit, efiçiencës dhe ekonomicitetit (3E), masat disiplinore dhe administrative të rekomanduara, rekomandime për ndryshime apo përmirësim të legjislacionit si edhe kallëzimet penale të përcjella në Prokurori. 
Për periudhën janar – shtator 2017, Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga 124 auditime të planifikuara ka kryer dhe ka vijuar me përgatitjen e materialeve për 136 auditime, ose 10 për qind më shumë se parashikimi. 
Sipas llojit, auditimet e përfunduara për këtë periudhë janë 90. Prej tyre, 69 janë auditime të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë, 6 janë auditime përputhshmërie, 7 auditime financiare, 6 janë auditime performance dhe 2 janë auditime të teknologjisë së informacionit. Auditimet kanë siguruar mbulueshmëri të lartë të veprimtarisë dhe institucioneve kryesore të Shtetit.
Nga auditimet e realizuara gjatë periudhës Janar – Shtator 2017, janë vërejtur parregullsi dhe shkelje financiare që i përkasin periudhës objekt auditimi 2014-2016. Më konkretisht, institucioni ka konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera nga institucionet shtetërore të audituara, me dëm ekonomik në shumën totale prej 9,226 milion lekë (69 milion euro), nga e cila ka rekomanduar për shpërblim dëmi shumën 5,601.6 milion lekë. Vlera 2,864.5 milion lekë është pagesë e kryer nga OSHEE për CEZ A.S. dhe vlerësohet si dëm ekonomik pa mundësi arkëtimi. KLSH po ashtu ka konstatuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 86,961 milionë lekë, ose afërsisht 651,3 milionë euro nga të cilat 81,244 milionë lekë në fushën e të ardhurave, ose rreth 608,5 milionë euro dhe 5,717 milionë lekë ose 42,8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve.
Në total, KLSH ka konstatuar dëm ekonomik dhe shkelje të disiplinës financiare në shumën 96,188 milionë lekë ose afërsisht 720,5 milionë euro.
Treguesi i dobishmërisë së auditimit tregon se për çdo lek të shpenzuar nga Buxheti i Shtetit, KLSH ka kërkuar 76.8 lekë shpërblim dëmi vetëm në vitin 2016. Për periudhën 2012-2016, treguesi i dobishmërisë së institucionit ka arritur nivelin 127.1 lekë, krahasuar me vetëm 21.1 lekë që ishte në periudhën 2002-2011(për 10 vjet). Për vitin 2016 rritja e detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave (borxhi tatimor dhe doganor) si dhe ndaj skemës së sigurimeve shoqërore është në vlerën 51,175 milion lekë ose 41% më e lartë se viti 2015. Kjo dëshmon për një administrim fiskal jo eficient dhe efektiv, për shtim të ndjeshëm të detyrimeve fiskale dhe për thellimin e deficitit në skemën e pensioneve publike. Dëmi i konstatuar në realizimin e të ardhurave në dogana është në vlerën 1,752,816 mijë lekë ose 19%, pasuar nga 12% në fushën e prokurimeve, sektor që mbetet me një risk të lartë për sa kohë shkeljet nuk lidhen vetëm me dëmin e zbuluar por edhe me mungesën e efektivitetit të një sistemi të plotë që siguron prokurimin e mallrave, punimeve dhe shërbimeve për Shtetin. Në paraqitjen grafike më sipër, duket qartë se administrimi i pronës shtetërore është zona më me risk dhe tregon se keqadministrimi ka vijuar, pa reflektuar përmirësim apo përgjegjshmëri menaxheriale në këtë sektor. Bazuar në Ligjin nr. 154, datë 27.11.2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, KLSH, për të metat dhe shkeljet e konstatuara ka dhënë rekomandime për masat disiplinore dhe administrative, subjekteve të audituara dhe ka bërë publike rezultatet e auditimeve në medien e shkruar dhe atë elektronike. Gjithashtu, për shkeljet e konstatuara në bazë të ligjit të mësipërm, Ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, neni 58 dhe Kodin e Punës, KLSH u ka kërkuar organeve respektive shqyrtimin dhe marrjen e 1014 masave disiplinore dhe administrative.
Po gjatë periudhës janar – shtator 2017, KLSH ka rekomanduar gjithsej 42 propozime për ndryshime ligjore, ndryshime që prekin rekomandime për përmirësime në korniza ligjore, në kuadrin të brendshëm rregullativ të institucioneve kryesore të Shtetit, me synim forcimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe rritjen e efektivitetit të përdorimit të fondeve publike. I udhëhequr nga standardet ISSAI të organizatës botërore të institucioneve supreme të auditimit INTOSAI, dhe konkretisht në ISSAI 1240 “Përgjegjësitë e Audituesit në lidhje me Mashtrimin Financiar në një Auditim të Pasqyrave Financiare” dhe në ISSAI Gov 5700 “Udhëzues për Auditimin e Parandalimit të Korrupsionit në Agjencitë Qeveritare”, si dhe i vetëdijshëm për misionin e tij të përmirësimit të qeverisjes publike nëpërmjet thellimit të luftës kundër korrupsionit, për periudhën janar – shtator 2017 KLSH ka depozituar në organet e Prokurorisë 29 kallëzime penale, nga të cilat 10 dosje për vlerësim. Numri i personave të kallëzuar penalisht në këto kallëzime penale arrin në 83. Në total, për periudhën 2012-2017, institucioni ka dërguar në Prokurori për abuzime flagrante me fondet publike 229 raste, ose mesatarisht një kallëzim penal në javë apo një kallëzim në çdo tre auditime, ose 1.5 herë më shumë se numri i kallëzimeve penale për 10 vitet e marra se bashku 2002-2011.
Sigal