Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi refuzojnë dekoratën e Thaçit, ja arsyet që japin

838
Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi dhe deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi kanë refuzuar dekoratën nga presidenti Hashim Thaçi, i cili ka bërë një listë të gjatë me personalitete që do të dekorohen për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Krasniqi, në këtë listë përmendet si pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, pjesëmarrës në Rambuje, kurse Selimi si anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Krasniqi ka renditur katër arsye pse refuzon dekoratën e Thaçit, ku veçon ajo e fundit.
“Refuzoj te dekorohem nga Hashimi, i cili personalisht me ka fyer, dhe jo vetëm në aferën “Pronto”. Fyerjet dhe shpifjet i ka filluar qe nga Konferenca e Rambujesë duke ju thënë anëtarëve tjerë të SHP të UCK-së se gjoja unë e ndonjë tjetër në atë Konferencë jemi bërë me ‘armiqtë e tij politikë’- LDK-në. Natyrisht, unë asnjëherë të vetme, kur ka qenë puna mes interesit partiak e atij kombëtar, kurrë nuk kam hezituar ta zgjedh ketë te dytin. Ky ishte edukimi im, familjar e kombëtar, andaj Refuzoj te dekorohem nga ky njeri dhe ndihem i fyer te dekorohem nga Hashimi!
Me vjen keq që ketë duhet ta bej në Ditën e Pavarësisë dhe nga institucioni përfaqësues i shtetit – Presidenti!”, shprehet Krasniqi.
Kurse vetëvendosësi Rexhep Selimi, përmes një postimi në Facebook ka thënë se refuzon të dekorohet nga një person si Thaci.
“Pashë në media një liste të gjatë të të dekoruarve dalë nga zyra e Presidentit të Kosovës me rastin e 10 Vjetorit të Pavarësisë. Aty pashë edhe emrin tim. Por, unë REFUZOJ të pranojë dekoratë nga një person si Thaçi. Dekorata e dhënë prej tij nuk më bën nder as mua e as ndonjë luftëtari të UÇK-së. Refuzoj të pranojë dekoratë nga ai i cili shet tokë të Kosovës sot ashtu sic deri më tani i shiti idealet e luftës se UÇK-së”, tha Selimi.
Kujtojmë se Thaci ka dekoruar edhe Fatmir Limajn, por ky i fundit ende nuk është deklaruar nëse do e pranojë apo jo dekoratën nga ish-shoku i luftës apo do e refuzojë atë.
Sigal