Ja vjedhjet që bëhen në emrin e spitalit të Përrenjasit

619
Sigal

Mbi 15 mijë banorëve të zonës së Përrenjasit dhe të komunave të Pogradecit iu mungon shërbimi dhe  ilaçet 

Spitali i Përrenjasit ka 20 vjet që është lënë në harresë. Ky spital edhe pse është më vete varet nga spitali i Librazhdit. Në këtë spital mungojnë ekzaminimet laboratorike dhe për këtë arsye pacientët udhëtojnë deri në spitalin e Librazhdit për të marrë këtë shërbim, sepse nuk kanë besim tek ekzaminimet që bëhen në një laborator fantazmë në Përrenjas (që shtrihet unazës së spitalit, në një ndërtesë private, kati i dytë me qira dhe nuk dihet nëse ka licencë). Sipas burimeve tepër konfidenciale bëhet e ditur se, aty nuk ka mjek laboratori, nuk ka laborant analizash, por është vetëm një mjek që përfiton duke qenë se është i punësuar në shtet. Ky laborator as që ka tabelë orientuese. Madje, sipas disa pacientëve (që shkojnë për t’u vizituar në këtë spital) thuhet për gazetën se dërgohen me forcë ose presion për t’i bërë analizat në këtë laborator pa dëshirën e tyre. Laboratori i ndërtuar në ambientet e spitalit duket sikur është pjesë e tij, por në fakt vepron si privat. Madje, nëse ju hedh një sy kartelave të ekzaminimeve dhe vizitave gjendet shumë kollaj, ku janë bërë këto ekzaminime, si janë bërë ato, kush laborant dhe kush mjek i ka firmosur, këto vjedhje dhe abuzime që bëhen duke përdorur emrin e spitalit të Përrenjasit duhet të jenë inspektorët e kontrollit të shtetit që t’i verifikojnë. Për të zbuluar këtë skemë vjedhjeve mjafton t’u hedhësh një sy kartelave të pacientëve se kush ka qenë shtruar dhe kush jo.

Mungesat në ilaçe

Këto lloj analizash bëhen vetëm në spitalin e Librazhdit, ku dhe furnizimet me ilaçe për spitalin e Përrenjasit bëhen nga ai i Librazhdit. Por nëse do të shkosh në spitalin e Përrenjasit të vetmin ilaç që mund të gjesh është paracetamoli dhe ndonjë serum …dhe asgjë tjetër. Madje, një numër i madh pacientësh shkon për kurime dhe vizita në spitalet e Pogradecit meqenëse ofron kushte dhe shërbim më të mirë.

Shërbimet

Spitali i Përrenjasit është i vetmi institucion shëndetësor që afron shërbim të shumanshëm dhe 24 orë për banorët e zonës së Përrenjasit e më gjerë. Ai afron shërbim për banorët e Bashkisë Përrenjas, komunave Rrajcë, Qukës, Stravaj dhe Hotolisht të nënprefekturës Librazhd si dhe për banorët e komunave të zonës së Mokrës konkretisht të Komunave Proptisht, Velçan, Trebinjë, të nënprefekturës Pogradec. Sipas informacioneve të marra numri i banorëve, të cilëve u shërben në total llogaritet në mbi 50 000, ndërkohe vetëm për zonën rreth e qark rreth 15 mijë banorë. Për vetë pozicionin e tij dhe shërbimet që afron spitali Përrenjasit u jep ndihmën e parë të aksidentuarëve në aksin rrugor nacional Qafë Thanë-Qukës, në rrugët e vështira rurale dhe në kufirin me Maqedoninë që janë të shumta. U jep ndihmën e parë e më pas i shoqëron në dy spitalet Pogradec apo Librazhd apo dhe më tej të sëmurëve që nuk mund të trajtohen në këtë spital. Por ajo çka lë për të dëshiruar është mos furnizimi me medikamente mjekësore.