Ja tri plazhet më të ndotura në Durrës

2805
Sigal

Ndotja në plazh, katastrofike, 10 herë mbi normat e OBSH

E kur sezoni veror po troket më herët se kurrë, ndotja e plazhit në Durrës mbetet katastrofike. Mungesa e ndërgjegjes qytetare, mungesa e masave ka krijuar një situatë, e cila duhet të ndryshojë urgjentisht, pasi sezoni veror 2014, duhet ta gjejë gjithë zonën bregdetare të pastër. Mungesa e një masterplani për zhvillimin e plazhit të Durrësit, ka mundësuar që jashtë të gjitha normave të krijojë një superdendësi ndërtimesh. Alarmi i parë që lind nga ky fenomen është derdhja e papërpunuar e ujërave të zeza, të një popullsie prej gjysmë milioni banorësh në det. Në mungesë të depuratorëve zgjidhjet janë dy, hapja e gropave septike ose derdhje e drejtpërdrejtë e mbetjeve fekale në plazhe. Por që të dyja këto metoda e ndotin njëlloj rërën dhe detin. Kjo gjendje, e cila lokalizohet më së shumti nga qyteti i Durrësit e deri tek “Shkëmbi i Kavajës”, pjesë e Komunës Rrashbull, ka dëmtuar rëndë cilësinë e turizmit si dhe ka komplikuar situatën bakteriale në plazh. Përmes një raporti për sezonin që po troket, Drejtoria e Shëndetit Parësor i ka komunikuar Prefekturës Durrës-Krujë shqetësimin e madh. Çështja e ndotjes bakteriale të ujit të detit mbetet një problem i trashëguar, i cili akoma nuk gjen zgjidhje. Drejtoria e Shëndetit  Parësor në Durrës ka evidentuar edhe për këtë vit zonat e nxehta mjedisore përgjatë plazhit të Durrësit.  Ato quhen të tilla pasi falë ujërave të zeza që derdhen në det krijojnë ndotje bakteriale në shkallë të lartë. Në plazhin e Currilave, “Shkëmbin e Kavajës” dhe në sektorin “Teuta” të Durrësit ngarkesa mikrobiale e ujit të detit është disa herë mbi normat e lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Shkak për këtë situatë janë ndërtimet e shumta dhe mosfunksionimi i  sistemit të ujërave të bardha e të zeza. Edhe një vit më parë kjo drejtori i bëri apel bashkisë të marrë masa konkrete për të minimizuar ndotjen e detit me ujërat e zeza. E vetmja rrugë që u mbetet në dispozicion mjekëve higjienistë është dezinfektimi. Por edhe ajo ka kapacitet të kufizuar. Nëse për rërën e detit kjo metodë është e efektshme, për ujin dezinfektimi i mbetet në dorë jodit dhe kripës që ka deti. Por rezistenca e disa baktereve ndaj këtyre vepruesve natyrorë, zgjat me ditë, duke përbërë rrezik për plazhistët, sidomos për ato më të vegjlit. Mungesa totale e banjave publike në plazh, e shoqëruar edhe me papërgjegjshmërinë qytetare nuk ka bërë gjë tjetër veçse e ka rënduar akoma më tej gjendjen. Në zonat e Shkëmbit të Kavajës, Currilave dhe Hidrovorit, është vënë re një prezencë mikrobike e streptokokëve dhe e stafilokokëve, të cilët janë shkaktarë të infeksioneve të rrezikshme për jetën. Rrethi i Durrësit me 3 gjire detare dhe me një vijë bregdetare me gjatësi 61.8 kilometra është i përfshirë në zonën prioritare për zhvillimin e turizmit me interes të veçantë kombëtar. Është një zonë e lakmueshme për turizmin e diellit dhe të rërës, ku edhe gjenden mbi 45% të kapaciteteve akomoduese turistike të Shqipërisë.