Ja taksat që do paguajnë qytetarët nga 1 janari 2018

1460
Qeveria miraton taksat e reja për shqiptarët
Çfarë do të paguajnë qytetarët nga 1 janari 2018, nga apartamentet tek automjetet dhe cigaret. Pse favorizohen hotelet e luksit 
Qeveria ka miratuar dje paketën fiskale dhe ndryshimet në sistemin e taksave që do të hyjnë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Në paketën e ndryshimeve përfshihet edhe rritja e taksës për banesat, që tashmë do të jetë në bazë të vlerës së pronës dhe jo më si një vlerë fikse. Aktualisht qytetarët paguajnë 15 lekë për metër katror për shtëpitë e ndërtuara para vitit 1993 dhe 30 lekë për metër katror për apartamentet pas vitit 1993. Ndërkohë, një masë më e madhe takse do të paguhet nga ndërtuesit për mospërfundimin në afat të ndërtimit, pasi janë pajisur me lejen përkatëse. 

TVSH për turizmin
Në paketën e re fiskale parashikohet edhe ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për hotelet e luksit. “Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6 % aplikohet për çdo furnizim shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese “Hotel me pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit. Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në projektligjin e miratuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Aty përcaktohet se, “Këshilli i Ministrave ka të drejtë të caktojë, me vendim, që për ndonjë kategori personash të tatueshëm, periudha tatimore të jetë më e gjatë se një muaj, por jo më e gjatë se një vit kalendarik”. “Këshilli i Ministrave ka të drejtë të caktojë, me vendim, që për ndonjë kategori personash të tatueshëm, regjistrat përmbledhës që shoqërojnë deklaratën e TVSH-së, të jenë për një periudhë më të gjatë se muaji, por jo më e gjatë se një vit kalendarik”, thuhet në projekt. Aty përcaktohet se “kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në, rastet e përjashtimit apo kufiri minimal i regjistrimit për kategori të veçanta, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Ngritja e kadastrës fiskale
Në projektligjin e miratuar nga qeveria përcaktohet se “pasuri e paluajtshme janë objektet e ndërtuara mbi/nën sipërfaqen e tokës ose të lidhura me tokën, trualli dhe toka bujqësore, e cila përcaktohet si e tillë në regjistrin e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme”. “Për qëllime të administrimit të taksës mbi pasuritë e paluajtshme krijohet regjistri qendror i bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (kadastra fiskale). Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë është person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për financat. Struktura dhe organika miratohet me urdhër të Kryeministrit. Këshilli i Ministrave miraton rregullat për organizimin dhe funksionimin e saj”, thuhet në projekt. Aty përcaktohet se “ankimi i taksapaguesit në nivel vendor, kundër vendimit apo veprimit të zyrës së taksave, bëhet te struktura vendore e apelimit tatimor, sipas kritereve dhe rregullave të vendosura nga këshilli bashkiak. Taksapaguesi ka të drejtë të ankohet në gjykatë kundër vendimit të strukturës së apelimit tatimor në bashki”. “Këshilli i Ministrave miraton metodologjinë për përcaktimin e vlerës së tatueshme të pasurisë së paluajtshme – ndërtesa”, thuhet në projekt-ligj. 

Taksa mbi ndërtesat
Qeveria përcaktoi se “taksës mbi ndërtesat i nënshtrohen individët, personat fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, pronarë ose përdorues të pasurive të paluajtshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave, përveç rasteve kur në këtë ligj përcaktohen ndryshe”. “Taksës mbi ndërtesat i nënshtrohen personat që kanë aplikuar për legalizim të ndërtesës, sipas ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Taksës mbi ndërtesat i nënshtrohen zhvilluesit, të cilët nuk arrijnë të mbyllin ndërtimin sipas lejes përkatëse, të lëshuar nga autoriteti i planifikimit. Afati i përllogaritjes së taksës fillon nga momenti i mbarimit të afatit kohor të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi. Detyrimi për taksën mbi ndërtesat llogaritet si shumëzim i bazës së taksës me shkallën e taksës mbi ndërtesën. Taksa vendore mbi pasurinë e paluajtshme-ndërtesë llogaritet si detyrim vjetor i taksapaguesit. Pagesa e taksës bëhet çdo muaj apo, për periudha më të gjata, në varësi të kategorisë së taksapaguesit, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave”, thuhet në vendim. Baza e taksës mbi ndërtesat është vlera e ndërtesës, që llogaritet në përputhje me metodologjinë dhe procedurat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Qeveria, në bazë të vjetërsisë së ndërtesës, mund të specifikojë nënkategori përkatëse. Gjithashtu, qeveria detyrohet të përcaktojë rregulla në lidhje me natyrën dhe prioritetin e informacionit që do të përdoret në lidhje me përcaktimin e bazës së taksës mbi ndërtesat, në raste mospërputhjesh të informacionit të marrë nga burime të ndryshme dhe prioritetin e të dhënave që do të përdoren në lidhje me vlerën e tatueshme. 

Lehtësi për hotelet dhe softuerët
Qeveria vendosi të përjashtojë nga taksa për ndërtesat investimet e kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese “Hotel me pesë yje, status special”. Gjithashtu, në projektligjin që do t’u paraqitet për miratim deputetëve thuhet se “strukturat akomoduese “Hotelet me katër dhe pesë yje, status special” përjashtohen edhe nga disa pagesa të përcaktuara në ligjin për tatimin mbi të ardhurat. “Përjashtimi nga tatimi mbi fitimin, i parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special”, thuhet në projekt. Gjithashtu, Këshilli i Ministrave përcaktoi se për personat juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet për prodhimin/zhvillimin e softuare-ve, tatimi mbi fitimin është 5 %. “Këshilli i Ministrave përcakton, me vendim, aktivitetet që përfshihen në fushën e prodhimit/zhvillimit të softuare-ve si dhe procedurat për zbatimin e këtij paragrafi”, thuhet në projekt.

Akciza për cigaret dhe taksa për automjetet
Në ndryshimet e paketës fiskale përcaktohet se do të ketë një rritje edhe të akcizës për disa lloje të duhanit e cigareve, konkretisht të purove. Shkalla e taksimit më 1 janar 2018 do të ndryshojë nga 5.750 lekë/1000 copë në 5.850 lekë/1000 copë. Gjithashtu, në taksën e automjeteve të luksit do të përfshihen jo vetëm makinat 4+1, por edhe ato 6+1. Kjo për faktin se është vënë re një devijim nga pagimi i kësaj takse nga disa përdorues të mjeteve.
Shkalla e taksës
Shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është:
– 0.05% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për banim; 
– 0.15% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike;
– 30 % e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.
Nga taksa mbi ndërtesat përjashtohen:
a – pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore, që përdoren për qëllime jofitimprurëse; 
b – pasuritë në pronësi të shtetit, të kaluara me vendim të Këshillit të Ministrave, nën administrimin e shoqërive publike shtetërore;
c – ndërtesat e banimit, që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara;
ç – banesat sociale në pronësi të bashkive;
d – pasuritë e paluajtshme-ndërtesa, pronë e subjekteve juridike ose fizike, që në bazë të marrëveshjeve me bashkitë përdoren nga këto të fundit si banesa sociale;
dh – ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, në funksion të veprimtarisë së tyre;
e – strukturat akomoduese “Hotel me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit.”.
Kadastra
Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë:
– menaxhon regjistrin qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (kadastra fiskale);
– udhëheq, nga pikëpamja metodologjike, në lidhje me administrimin e taksës mbi pasuritë e paluajtshme;
– përcakton nivelin e vlerësuar të taksës së pasurisë së paluajtshme për ndërtesat si dhe detyrimin e taksës së pronës, me metoda alternative të vlerësimit. 
Këshilli i Ministrave vendos kritere dhe rregulla në lidhje me procedurat dhe elementet që përdoren për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës. 
Njësitë e vetëqeverisjes vendore
1 – Njësia e vetëqeverisjes vendore është autoriteti përgjegjës për funksionet në administrimin e taksës mbi ndërtesën, sa i përket pasurisë (ndërtesë) që është në juridiksionin e saj, si më poshtë vijon: 
– Mbledhjen dhe menaxhimin e informacioneve mbi ndërtesën për qëllime fiskale;
– Përditësimin e të dhënave të regjistrit qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (kadastra fiskale);
– Mbledhjen me forcë të detyrimeve të taksës mbi ndërtesën; 
– Korrigjimin e të dhënave në lidhje me llogaritjen e taksës, në rastet e saktësimit të informacionit për sipërfaqen, vendndodhjen zonale, çmimet e tregut etj.;
– Shqyrtimin e ankimit administrativ të taksapaguesve. 

2 – Taksa mbi ndërtesën, sipas dispozitave të këtij ligji, mund të mblidhet nëpërmjet agjentëve të taksave, të cilët kanë shtrirje territoriale, sistem elektronik të bazës së të dhënave e të gjenerimit të detyrimeve dhe që autorizohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Këshilli i Ministrave përcakton edhe masën e përfitimit të agjentit të autorizuar, mbi të ardhurat e arkëtuara nga taksa e ndërtesave.

3 – Të ardhurat e mbledhura nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme derdhen për llogari të buxhetit përkatës të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në territorin e së cilës ndodhet pasuria, dhe përdoren në përputhje me ligjin “Për financat e vetëqeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Sigal