Ja si vidhen 500 milionë euro nga nafta dhe minierat

548
Sigal

Nëntoka/ Shteti shqiptar humbet miliona nga akciza dhe tvsh e hidrokarbureve dhe mineraleve

Mallrat, të cilat paguajnë akcizë, përbëjnë pa dyshim edhe barrën kryesore të një shteti dhe aq më tepër në vendin tonë, ku shumicën e këtyre mallrave  vjen nga jashtë. Dhe nëse këto mallra futen në mënyrë kontrabandë, shteti ynë humbet miliona euro nga mos vjelja e akcizës dhe e tvsh-ja. Karburantet, nafta dhe nënproduktet e saja janë artikujt, që ngrenë ekonominë e një vendi, ose e falimentojnë atë. Vetëm gjatë një viti nga hyrje-daljet dhe allishverishet, që bëhen me naftën, duke e trajtuar si lëndë të parë,  por që në fakt shitet në karburantet e vendit, si dhe me procesverbalet fiktive të hyrje daljeve, shteti ynë humbet minimalisht në vit rreth 500 milionë euro. Vetëm para pak ditësh, në një bisedë konfidenciale, me disa specialistë të naftës, mësuam mekanizmin e hyrje daljeve të naftës dhe regjistrimin e saj, si lëndë e parë dhe ndihmëse për industrinë nga portet e Durrësit dhe Vlorës, por që në fakt e vërteta qëndronte krejt ndryshe. Skandalet e paimagjinuara dhe sigurisht në bashkëpunim me nëpunësit doganor dhe tatimor. Anije që vijnë bosh dhe ikin bosh, por që në fakt figuron si eksport dhe karburanti shitet në vend, apo edhe anije që në dalje regjistrojnë, fjala bie, 2000 ton dhe në fakt janë 2500 apo 3000 ton. Ka edhe  skandale, ku nafta merret gjoja për t’u pompuar në puse dhe përfundon në pikat e karburantit. Gazeta “Telegraf”, ka disa muaj që ka investiguar e mbledhur materiale dhe pamje fotografike që nga momenti i shkarkimit të anijeve, magazinimin në cisterna dhe deri në shpërndarjen të kësaj  sasie në karburante, kur në fakt me letra figuron si lëndë e parë dhe e papërdorshme. Në vendin tonë ka problem me matjen, regjistrimin elektronik dhe me matës të sasisë së nxjerrë nga nëntoka dhe puset tona. Këto humbje dhe abuzime i shkaktojnë vendit plot 500 milionë euro çdo vit evazion  nga akciza, tvsh, tatim-fitimi etj.. Para pak kohësh, në redaksi ka mbërritur një letër, të cilën ne po e trajtojmë të shkurtuar për shkak të investigimit që jemi, duke bërë prej muajsh të tërë. Mes të tjerash, thuhet: “Përshëndetje zotërinj të gazetës “Telegraf”! Në datën 08/11/2012 përfundoi së shqyrtuari në seancë gjyqësore publike  në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, çështja civile me Nr.Regj.Them ….4 që i përket palëve ndërgjyqëse:

PADITËS: Shoqëria “Bankers Petroleum AlbaniaLTD” me NIPT K 43128401 L, me administrator z. Leonidha Çobo dhe z. Bill Koutsouras.

 TË PADITUR:Drejtoria Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë

Drejtoria e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve

 OBJEKTI: Shpalljen absolutisht të pavlefshëm të Njoftim Vlerësimit për Detyrimet nr.17109/4 Prot datë 04.10.2012 i Drejtorisë Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj, Tiranë dhe e Raport Kontrolli nr.17109/3 dt.04.10.2012 si rrjedhim shpalljen e pavlefshme të vendimit nr. 21815/1Prot datë 12/10/2012 i

Drejtorisë së Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Marrjen e masës së sigurimit të padisë: Pezullimin e ekzekutimit të Njoftim Vlerësimit për detyrimet nr.17109/4 prot. datë 04.10.2012 dhe Raport Kontrolli nr.17109/3 dt.04.10.2012 të Drejtorisë Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj, Tiranë, deri në përfundim të procesit gjyqësor.” Pra, ende edhe sot e kësaj dite gjobat që kapin shifra prej miliona eurosh nuk mblidhen, sepse janë vendosur nga Doganat dhe, meqenëse  akciza kalojë në “vartësi” të Tatimeve, këto gjoba ende dhe sot vazhdojnë të jenë në “bllokuara” në korridoret e gjykatave shqiptare. Kjo dhe shumë të tjera janë ato miliona, të cilat groposin, ose ngrenë shtetin dhe ekonominë shqiptare. Vëmendja e një pjese të politikanëve ishte drejtuar tek ambulantet, personat fizikë, apo edhe ndërtimet, që duken dhe s’kanë nevojë të fshihen, sepse çfarëdo lloj makinacionesh të jenë bërë, në fund do paguhen tek tatimet, përpara se të merret vërtetimi për hipotekë. E megjithatë, në Buxhetin e Shtetit me këtë situatë që jemi, shteti qarkullon nga ndërtimet rreth 70 milionë euro në vit. Ndërsa vetëm nga fshehja dhe allishverishet e karburanteve  dhe minierave humbet 500 milionë euro në vit. Mekanizmi i mineraleve të  minierave është edhe më i lehtë për t’u vënë në kontroll,  mjafton të kontrollohen portet dhe pika doganore, pasi dihet që ky mall është tërësisht për eksport. Në minerale zbriten produktet e këqija dhe nuk vlerësohen me qëllim fitim kuptohet ari, argjendi, që gjenden në mineralet tona. Mjafton të shohim raportin e KLSH-së, për të parë  milionat e grabitura, së bashku me mekanizmin e tyre. Por duhet thënë se, në këtë rrjet janë të përfshirë funksionarë të lartë të qeverisë në ikje, por edhe shumë eksponentë të fuqishëm, ish-drejtorë, që janë bërë të Majtë  dhe deputetë  socialistë,  që sapo janë mandatuar. Në lidhje me skandalet dhe favorizimet e kompanive që kanë qenë afër pushtetit, ka reaguar dje deputeti socialist Erjon Braçe. Ai ka zbardhur mekanizmin e shfrytëzimit të AlbPetrol dhe lidhjeve të tyre me  kompaninë Banker Petroleum. Sikur të mos mjaftonte shkatërrimi i nëntokës, tritoli dhe dëmtimi i shtëpive, kësaj kompanie i shtohet suporti dhe milionat me firmën e drejtuesve të shtetit. Ja faksimilja që drejtori i AlbPetrol, Ferdinant Murati i ka dërguar drejtuesve më të lartë të “Banker Petroleum”.