Ja si u formua grupi “Lira”

1927
Sigal

Nga Nonda KAJNO

Serenatat janë një trashëgimi dashurie dhe mirësie që na lanë prindërit gjyshërit dhe stërgjyshërit

Faktor kryesor që i dha impuls lindjes së grupit të këngëve karakteristike “Lira” është ardhja e bandës “Vatra” nga Amerika në Korçë me drejtuesin e saj zotin Thoma Nasi. Me impulset e bandës “Vatra” u formua në Korçë shoqëria e Arteve të Bukura dhe midis degëve të shumta kjo shoqëri krijoi edhe grupin koral të burrave nën drejtimin e të palodhurit dhe të pasionuarit të këngës korçare, zotit Ilo Mosko. Aktiviteti i grupit “Lira” nuk është ndërprerë për asnjë çast. Gjatë gjithë jetës së tij janë të pallogaritshme shfaqjet e shumta që ky grup ka dhënë. Vlen të përmendim edhe koncertin që ky grup ka dhënë për të ndihmuar poetin Lasgush Poradeci, i cili atë vit ishte shtruar në sanatoriumin e Gracit në Austri. Ky koncert u dha, më 28 shkurt të vitit 1929, ku kishte të ftuar edhe nga Tirana dhe midis të tjerëve edhe princeshat, motrat e Mretit Zog. Me grupin “Lira” kanë punuar personalitete të paharruara në Korçë, si për shembull arbëreshi Paskuale Anibali e më tej Mihal Ciko, Gaqo Avrazi etj. Vlen për të përmendur mbajtjen gjallë të këtij grupi, prej drejtuesit të pasionuar Kostaq Osmanlliu, i cili e drejtoi këtë grup në vitet 1945-1978. Kostaq Osmanlliu punoi dhe e pasuroi traditën edhe të serenatës korçare. Kostaqi është një nga të parët që mblodhi këngët karakteristike. Ishte një natyrë fisnike dhe njerëzit e donin dhe e respektonin. Mbas tij, grupin “Lira” e drejtoi për një kohe të gjatë Jorgaq Nano. Kori në fillim u quajt, Grupi i këngëve karakteristike dhe më vonë, Kori i pleqve. Dhe vërtet, ata që kënduan më bukur serenatat, më me madhështi dhe më me fisnikëri ishte Kori i pleqve. Këta pleq korçarë vinin çdo pasdite për të parë bukurinë e dhjetëra Helenave që iu kënduan serenatë, bukurinë e zemrave dhe i bënë ato të pavdekshme. Shumë prej atyre njerëzve, djemve që krijuan edhe kënduan serenatat, tani prehen në varrezat e qytetit. Por shpirti i tyre nuk ka vdekur dhe nuk do të vdesë kurrë. Një pjesë e mirë e serenatistëve me emër që u kënduan vajzave poshtë dritareve, janë edhe tani në Korçën tonë. Janë në gjendje shumë të mirë për të kënduar, por asnjeri nuk i thërret në aktivitetet që organizon Bashkia Korçë. Serenatat janë një trashëgimi dashurie dhe mirësie që na lanë prindërit gjyshërit dhe stërgjyshërit. Natyrisht që serenatat nuk mund të futen në muze, pasi ato sjellin një rigjenerim të vazhdueshëm, ato janë shpirti i këtij qyteti dhe një populli të emancipuar. Më e bukura, më e mira, më fisnikja. Ne kemi nevojë për serenatat. Kemi nevojë për atë ajër të pastër që fryn nga maja e shpirtrave të së kaluarës që vjen nga zemra e madhe e Korçës, nga shpirti fisnik i qytetit.