Sigal

Nga Shpëtim Zinxhiria

Në Kalimera, më 2 janar u arratisën dy shqiptarë nga burgu Koridalo në Athinë.Pasi kanë prerë kangjellat kànë kapërcyer dy mure të larta dhe me ganxhe kanë kaluar murin e lartërrethues. Me vegla primitive bënë të mundur përgatitjen e planit. Burgu Koridalo, nga u bë edhe arratisja, është një nga burgjet më të mëdha të vendit dhe përmban një të tretën e të burgosurve dhe ka mbi 20 godina burgjesh. Arratisja është bërë në godinën D të burgut më të madh të vendit nga ku gjetën vdekjen dy shqiptarë pak ditë më parë. Ata përfituan nga mungesa e gardianëve në ditët e festave të fundvitit. Arratisja e tyre u zbulua në numërimin e të burgosurve në mëngjes. Bëhet fjalë për dyvëllezër shqiptarë, të cilët sipas gardianëve të burgut janë të rrezikshëm, pasi janë të dënuar për vjedhje me armë. Policia ka filluar ndjekjen e tyre. E gjithë arratisja është filmuar nga kamerat e sigurisë, e cila është realizuar në 8 minuta dhe kapërcimi i murit të lartë rrethues është bërë nën hundën e rojës së burgut. Në Godinën D, nga ku u bë arratisja, janë të burgosur vetëm shqiptarë, për të shmangur çdo përplasje me të burgosur të kombësive të tjera. Ministria e Drejtësisë në Greqi ka filluar hetimet dhe ka bërë të mundur publikimin e fotografive të tyre.Arratisjet nga burgu mungonin që nga viti 2014. Por që nga viti 2000 -2018 janë regjistruar 36 raste arratisjesh nga tëdënuarit, një pjesë e të cilëve ende nuk janë kapur. Arratisja më e madhe me 12 persona është regjistruar më 2013-n.