Ja si krijohen njerëzit e gjithëpushtetshëm

655
Vepror Hasani
Këshilli i Bashkisë Maliq, në shkelje të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”
“Shpesh, kur dëgjojmë lajmet apo lexojmë shypin e ditës, mbetemi të habitur kur mësojmë për njerëz që quhen të “fortë”, të gjithëfuqishëm, të cilët qëndrojnë mbi rregullat e ligjet e vendosura nga shoqëria, – na thotë Eqerem Avdolli, banor i fshatit Vashtmi nga rrethi i Korçës. Njerëzit e mbiligjshëm janë sfidues të ligjit, ata janë vetë ligji. Mes tyre dhe njerëzve të thjeshtë hapet gjithnjë një hendek i madh. Ndërsa njeriun e zakonshëm nuk e lejojnë të bëjë asnjë hap në kundërshtim me rregullat, të mbiligjshmit janë gjithnjë të favorizuar; para tyre e mbyllin jo vetëm një sy, por të dy; bëjnë sikur nuk shohin asgjë. Për njeriun e gjithëfuqishëm të gjitha rrugët janë të hapura, të shtruara me qilimin e nderve dhe të favoreve. Në raste të tilla pyesim veten: si krijohen njerëz kaq të fuqishëm? Kush i bën ata të tillë? Pse nuk e kanë frikë ligjin? Kush janë mbrojtësit e tyre? Të lejuar prej njerëzve që merren me zbatimin e ligjit, që të jenë mbi ligjin, ata arrijnë të shtrijnë vullnetin e tyre mbi të drejtat e tjetrit, të rrëmbejnë prona, të fitojnë gjyqe, të abuzojnë me fonde, të vënë paqen sociale në rrezik dhe të krijojnë konflikte duke dëmtuar kështu të ardhmen e shoqërisë në tërësi. Fenomeneve të tilla u duhet thënë “mjaft” sa më parë.
Epilogu
“E bëra këtë hyrje të shkurtër, – vijon më tej Eqerem Avdolli, – për të ngritur pyetjen: a nuk po ndodh kështu edhe me Këshillin e Bashkisë Maliq, i cili që prej shumë muajve vijon të jetë në shkelje të ligjit “për vetëqeverisjen vendore”, sepse njëri prej anëtarëve të tij, Viktor Adri (Qyllali), përveç detyrës si anëtar i Këshillit, në të njëjtën kohë mban edhe detyrën e kryeplakut të fshatit Vashtimi, kur ligji nuk e lejon një gjë të tillë. Këtë rast, shkelje ligjore e ka konsideruar edhe Prefektura e Korçës, ku në shkresat e saj të disahershme kërkon që “Njësia Administrative, Libonik, Bashkia Maliq, të marrin në konsideratë dhe të vlerësojnë ligjërisht faktin që z. Viktor Adri në mënyrë të kundërligjshme, ushtron njëkohesisht detyrën e kryetarit të fshatit dhe atë të anëtarit të Këshillit Bashkiak”, por edhe kjo kërkesë e Institucionit të Prefektit nuk u mor parasysh. Përse ndodh kështu, është e vështirë të kuptohet. Shqiptarët ende nuk janë mësuar me zbatimin e ligjit, ende vijojnë t’i zgjidhin hallet e tyre “me miq” dhe “me shokë”, ashtu si dikur, kur më i fortë ishte “Maliqi” sesa Ligji. Mesa duket edhe Këshillit të Bashkisë Maliq, nuk i mungojnë Maliq-të. Për ta bërë edhe më të qartë problemin, u konsultova edhe me ligjin nr. 139/2015 “për vetëqeverisjen vendore”. Shkeljet ligjore janë të dukshme, sepse interesat e bashkisë me ato të kryepleqësisë së fshatrave janë jo vetëm të ndërsjellta por edhe të drejtpërdrejta, gjë që mund të çojë në abuzime, madje deri në prishjen e harmonisë sociale, pa folur për shpërdorimin e fondeve etj. Si mund të abuzohet po e shpjegojmë më poshtë”
Kryeplaku i fshati me të drejtë vote në Këshillin e Bashkisë!
“Në nenin 71 të ligjit 193/2015 “Për qeverisjen vendore”, pika 7, ku flitet për “detyrat e kryetarit dhe të kryesisë së fshatit”, thuhet shprehimisht: “Kryetari i fshatit mund të thirret në mbledhjet e këshillit bashkiak ose merr pjesë në to me nismën e tij pa të drejtë vote. Ai ka të drejtë të shprehë mendimin e tij në mbledhje për çështjen që janë të lidhura me fshatin përkatës.” Pra, gjithçka më sipër bën të qartë që kryetari i fshatit (kryeplaku), mund të marrë pjesë në mbledhjet e këshillit të bashkisë, por pa të drejtë vote. Mirëpo z. Viktor Adri (Qyllalli) duke qenë anëtar i këshillit të Bashkisë, votën e tij si këshilltar mund ta përdorë edhe në interes të kryetarit të fshatit Vashtmi, sepse është vetë kryetar i fshatit, dhe këtë gjë mund ta bëjë sa herë që Këshilli i Bashkisë merr në shqyrtim vendimet e marra nga kryepleqësia e fshatit Vashtimi, ose sa herë që Bashkia e Maliqit sjell për miratim në Këshill vendime për fashtin ku Viktor Adri (Qyllali) është kryeplak, si dhe në shumë raste të tjera që do t’i përmendimmë poshtë. Pra, në këtë rast, kemi një kryetar fshati më të drejtë vote, gjë që nuk ndodh në asnjë këshill bashkie, kudo që të ndodhet ai, përveçse në Maliq”.
Këshilltari nuk mund të jetë funksionar në institucionet vartëse të Bashkisë
“Papajtueshmëria e funksionit të këshilltarit të bashkisë nuk është i parashikuar vetëm në rastin që sapo shpjeguam. Ligji “për vetëqeverisjen vendore”, nenin 47, pika c, thotë: “Funksioni i këshilltarit është i papajtueshëm me funksionin e nëpunësit të administratës së bashkisë përkatëse dhe institucioneve vartëse të saj.” Atëherë, duke iu referuar ligjit të mësipërm, kush mund të thotë që kryepleqësitë e fshatrave, përfshi këtu edhe kryepleqësinë e fshatit Vashtmi, nuk qenkan institucione që varen prej bashkive përkatëse?! Askush nuk thotë dot të kundërtën. Është vetë ligji që na vjen në ndihmë edhe në këtë rast. Ja çfarë thuhet në nenin 71, pika 1 të ligjit në fjalë: “Kryetari dhe kryesia e fshatit kryejnë dhe mbështesin funksionet vetëqeverisëse të bashkisë në fshatin e tyre, si dhe kujdesen për zhvillimin ekonomik vendor, përdorimin e burimeve të përbashkëta dhe sigurimin e harmonisë sociale.” Veç sa më sipër kryeplaku i fshatit paguhet edhe nga bashkia prej së cilës varet. Në rastin konkret, Viktor Adri (Qyllalli) merr prej bashkisë Maliq dy paga: edhe si këshilltar, edhe si kryeplak, gjë që bie në kundërshtim të hapur me ligjin”.
Harmonia sociale e rrezikuar
“Vijojmë më tej, sipas nenit 52, të ligjit në fjalë, anëtari i këshillit bashkiak nuk përfshihet në procedura shqyrtimi vendimmarrëse, së paku në 10 raste, ku konflikti i interesit është i pastër. Po përmendim vetëm 3 prej tyre për të kuptuar më qartë situatën në të cilën ndodhemi. Këshilltari nuk merr pjesë: a) kur ka një interes personal të drejtëpërdrejtë ose jo të drejtëpërdrejtë në vendimin për shqyrtim; b) kur bashkëshorti, bashkëjetuesi ose të afërmit e tij deri në shkallë të dytë kanë një interes të drejtëpërdrejtë ose jo të drejtëpërdrejtë në vendimmarrjen në shqyrrtim; c) kur ai ose edhe personat e prashikuar në pikën b, të kësaj pike, kanë një interes të drejtëpërdrejtë ose jo të drejtëpërdrejtë në një çështje objektivisht të njëjtë dhe me të njëjtat rrethana ligjore me çështjen në shqyrtim.” Mirëpo, kush është ai që do ta ndalojë këshilltarin në fjalë të mos marrë pjesë në votim, kur nga vetë këshilli bashkiak i Maliqit është lejuar të jetë në të njëjtën kohë edhe këshilltar edhe kryetar fshati kur ligji nuk e lejon. Sipas ligjit, në raste të tilla, ai duhet të vetëdeklarohet për konfliktin e interesit dhe të mos marrë pjesë në votim, por a mund ta bëjë këtë gjë Viktor Qyllalli, kur ai është në kundërshtim edhe me pikat e tjera të ligjit”. 
Të vendosur për t’i shkuar çështjes deri në fund
“Atje ku nuk vepron ligji, gjithçka duket e pamundur, aq më shumë, kur rastet e konfliktit të interesit mund të jenë të shumta, pasi në një fshat numri i të afërmve për çdo person duke përfshirë edhe ata të edhe rrethit të dytë, siç parashikon ligji, mund të kapin një numër të madh njerëzish. Megjithatë, pavarësisht hamendjeve, të cilat i renditëm për ta bërë çështjen më të prekshme, në këtë rast ka vetëm një rrugë: Viktor Qyllalli duhet të dorëhiqet në një nga dy detyrat e tij: ose kryeplak, ose anëtar këshilli; e kundërta është e paligjshme dhe nuk duhet lejuar. Sigurisht, ne jemi të vendosur të mos heshtim për asnjë çast, deri sa ligji të vendoset”. Me këto fjalë mbylli argumentin e tij Eqerem Avdolli, banor i fshatit Vashtmi, bashkia Maliq.
Sigal