Ja si i falsifikon AKKP-ja pronat e shtetit shqiptar

631
Sigal

Është koha që shteti, të nisë hetimet, të kthejë pronat në origjinë, banditët e “veshur” me pushtet të futen në qelitë e dënimit

Ardhja e demokracisë dhe periudha 23-vjeçare që kemi lënë pas, jo vetëm që nuk po e zgjidh lëmshin e krijuar, por përkundrazi e ka ngatërruar edhe më shumë atë. Nën justifikimin e ‘Katovicës’ drejtuesit e AKKP-së ndër vite janë shkaktarët kryesorë të grabitjes dhe tjetërsimit të pronës së shqiptarëve dhe sidomos të shtetit shqiptar. E theksuam këtë të fundit, pra pasurinë e shtetit, jo vetëm se ajo është pasuria e të gjithë qytetarëve të saj, por edhe për faktin se ajo është vënë në shënjestrën e grabitjeve dhe është trajtuar si mall pa zot. Kjo, pasi vetë zoti kanë qenë Drejtuesit e AKKP-së, të cilët janë emëruar nga partia me qëllimin final për t’i shërbyer liderëve të partisë. Janë me mijëra hektarë tokë dhe miliarda euro që grabiten me një të grisur të faqes së regjistrit apo më keq, të falsifikimit të saj dhe zëvendësimit të pronarit legjitim (shtet apo privat) me një tjetër pronar. Në këtë rast, pronari tjetër do jetë ai që ka urdhëruar “Shefi ”, që është miku i shefit apo familjarëve të tij. Sigurisht, gjërat nuk bëhen kaq lehtë dhe se një pjesë e mirë e atyre që marrin pronat e shqiptarëve duke falsifikuar letrat mendojnë apo kanë menduar se i kanë fshehur gjurmët. Por, njollat e hartave dhe pronave nuk i fsheh dot asnjë gjurmë e asnjë drejtuesi të kthimit të pronave, i cili mendon se gjërat që mbyllen mbase nuk hapen më.  Për kompensim, këta drejtues ose falen nga burgu, kur janë në prag të saj ose gradohen në funksione, të cilat  ata “mendojnë” se do iu shërbejnë për të mbrojtur veten nga zullumet dhe falsifikimet. Kohët e fundit, Kryeministri Edi Rama hodhi idenë se do verifikohen pronat dhe tapitë e shpërndara, duke i kërkuar shteteve fqinj -por sidomos Italisë- të gjithë dokumentacionin për tokat dhe pronat e blera gjatë kohës që Italia bashkëpunonte me Mbretin Ahmet Zogu, para tij dhe gjatë pushtimit. Duhet thënë se, Italia është një nga shtetet më korrekte, ku pronat që ka përdorur për qëllime ushtarake dhe sociale i ka dëmshpërblyer qindarkë për qindarkë. Madje, këto prona quheshin të ekzekutuara apo të blera nga shteti italian vetëm atëherë, kur botoheshin në Fletoren Zyrtare. Të interesuar për këtë deklaratë të Kryeministrit Rama, si dhe mbi bazën e ankesave të shumë qytetarëve, ne i kërkuam arkivave të Ministrisë Mbrojtjes Italiane hartat dhe dokumentet për pronat që shtrihen  nga “21 Dhjetori”, tek fusha e aviacionit, ish-Shkolla e Partisë, uzina “Tirana”, Spitali Ushtarak deri tek mbikalimi. Janë me të vërtetë trondiste faktet, të cilat janë servirur dhe që përbëjnë kulmin e babëzisë së bandave të tokave. Prona, të cilat vetë shteti italian i kohës i ka dëmshpërblyer, janë firmosur nga pronarët, janë derdhur frangat në numrat e llogarive bankare dhe në fund ka dalë edhe në Fletoren Zyrtare, që kjo pronë ka kaluar për llogari të shtetit italian. Atëherë, lind pyetja për këta zotërinj të Agjencisë së Kthimit të Pronave, ku e kanë gjetur kurajën të falsifikojnë dosjet dhe tua kthejnë atyre që i kanë marrë paratë dhe që në rastin konkret kanë marrë edhe ca para nga blerësit e vërtetë, biznesmenë dhe familjarë të pushtetarëve të lartë të shtetit që sapo u larguan më 23 Qershor. Dokumente, ku Ministria e Punëve Botore i drejtohej Këshillit të Ministrave dhe kjo e fundit Mëkëmbësit të Përgjithshëm të Madhërisë së Tij Viktor Emanuelit III. (Për hir të Zotit e Vullnetit të Kombit, Mbret i Italisë dhe i Shqipnisë, Perandor i Etiopisë). Këto të fundit janë fraza të shkëputura nga koka e shkresave që shoqëronin dekretet e shpronësimit dhe pagesat në llogaritë bankare, si dhe gazetën zyrtare, N.Port. datat dhe fletët e hipotekës. Investigimi i shtrirë në pjesën e “21 Dhjetorit”, Zogut të Zi, Shkollës së Partisë, uzinës “Tirana” dhe “Dinamo”, fushës së aviacionit, Spitalit Ushtarak, është një skandal, nga i cili nuk do të shpëtojë nga burgu asnjë që pretendon se është i fortë dhe i mbrojtur. Madje, edhe vetë pronat e kishës katolike janë shpronësuar dhe kisha ka marrë paratë në këtë zonë. Është koha që shteti, shërbimet e specializuara, krimi ekonomiko–financiar i Policisë së Shtetit, të nisin hetimet, të kthejnë pronat në origjinë dhe banditët e “veshur” me pushtet të  futen në qelitë e birucat e vuajtjes së dënimit.