Ja si grabiten pronat e qytetarëve në Sarandë

667
Ridenoncim 
Me qëllimin e mirë, që të mos na gënjejnë me profka dhe premtime boshe, e nderuara “Telegraf”, pasi më keni respektuar dhe ju jam mirënjohës për publikimin e problemit tim, sot lexova një tjetër denoncim tek gazeta juaj nga bashkia Himarë. Them, ju lumtë! Se jeni bërë si tempull, ku gjejmë ngushëllimin tonë. Ju lumtë, si media që jeni pranë nesh! Por dua t’u rikujtoj këtyre pushtetarëve të korruptuar, që pretendojnë luftë kundër korrupsionit dhe fshihen pas kurrizit të deputetit sikur e kanë mik dhe bëjnë presion tek titullarët e institucioneve, sa dhe ata kanë gjetur belanë dhe mallkojnë veten, se prona e blerë nuk ka mundësi të tjetërsohet. Ndaj po ju shkruaj me besimin në publikimin tuaj: E nderuara redaksi e gazetës “TELEGRAF”! Nëpërmjet faqeve të gazetës suaj dua të denoncoj publikisht, pasi këtë e kam bërë edhe në organet e drejtësisë, por prej një muaji nuk po marr përgjigje, grabitjen e pronës sime, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara nga Hipoteka e Sarandës. Unë quhem Xhelal Isufi, banor i lagjes Nr:1 në Sarandë dhe denoncoj Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Sarandës, për falsifikim të dokumenteve, duke më grabitur mua pasurinë dhe favorizuar qytetarin Sofokli Imeraj. Sipërfaqja e truallit të shtëpisë që kam blerë është me dokumente të rregullta dhe zë një hapësirë prej 275 metra katror, shtëpi dhe truall i blerë nga shtetasja, Nafsika Llambraqi me aktin noterial Nr 607 rep. dhe 468 kol. Kontratën e shitblerjes e kam regjistruar në Hipotekë të Sarandës me nr. 12/171. Pa u futur në detaje të lodhshme për lexuesin, dua të denoncoj publikisht falsifikimin e bërë nga Hipoteka e Sarandës mbi dokumentet e mia, duke pakësuar sipërfaqen e truallit tim dhe duke ja kaluar shtetasit Sofokli Imeraj, i cili ka ndërtuar një hotel në anën perëndimore të banesës sime. Hoteli është mbivendosur në truallin tim dhe ka zënë një sipërfaqe prej 27. 5 metrash katror dhe ka dalë jashtë truallit të blerë, në një sipërfaqe prej 90 metrash katror. Po cilat janë falsifikimet, që dalin nga ballafaqimi i dokumenteve?

1- Nëse krahasojmë pronën time me hartën e dalë nga hipoteka më 2002, del konkluzioni se ka një mbivendosje në pronën time prej 40 metra katror, nga të cilat 15 metra katror është e zënë me ndërtim dhe pjesa tjetër është e lirë. Në këtë dokument, të hartës së Sofokli Imeraj, ka një pikëpyetje, që është shënuar nga punonjësi i hipotekës, për të cilën nuk është vënë shpegim se, pse është vënë kjo pikëpyetje.
2- Të njëjtat të dhëna edhe përmasa tregon edhe harta hipotekore e dalë më 2006.
3- Në vërtetimin tim të pronësisë Sofokli Imeraj, nuk figuron fare si kufizues me pronën time.
4- Nëse krahasohet harta e pronësisë sime me hartën e Sofokli Imeraj të dalë nga hipoteka më 06- 12 – 2014 me regjistrues Ardiana Shehu, prona e Sofokli Imeraj mbivendoset në pronën time në një sipërfaqe prej 27. 5 metrash katror, nga e cila 15 metra katror me ndërtim. 
5- Nga dokumentet e dala nga hipoteka më 2002 dhe 2006, prona e Sofokli Imeraj rezulton me një sipërfaqe prej 105 metrash katrorë dhe me një distancë prej 1. 5 metrash nga shtëpia ime, ndërsa nga dokumenti i dalë në 2014 prona ka një distancë prej 2 metrash larg murit tim dhe një sipërfaqe të ndryshuar. Pra ka ndryshime me bazë falsifikimet në dëmin tim dhe favorizimin e Sofokli Imeraj nga ana e drejtuesve të sotëm të hipotekës së Sarandës. Këto falsifikime vërtetohen edhe nga vendimet e Këshillit Bashkiak, gent-planet dhe gjithë dokumentacioni deri tek leja e ndërtimit që bashkia nuk e ka, por hipoteka e ka (kjo si ka mundësi dhe kush ja dha lejen e ndërtimit këtij personi?) Por edhe këtu mund të them, se në gent-plan bëhet fjalë për një sipërfaqe ndërtimore prej 60 metra katror dhe është falsifikuar për 80 metra katror, ndërsa numri i kateve nga dy është tjetërsuar në tre, pavarësisht se në arkivin e urbanistikës së bashkisë nuk ka leje ndërtimi.
Pra të nderuar gazetarë, nga i gjithë dokumentacioni, të cilin pjesërisht jua shkrova për mos ta mërzitur lexuesin, del qartë falsifikimi i dokumenteve zyrtare nga ana e Hipotekës së Sarandës, në favor të disa qytetarëve dhe grabitjen e pronës së të tjerëve. 
 Xhelal Isufi
Sigal