Ja si fshihen 9.6 milionë euro energji elektrike e harxhuar

588
Përparim HALILI

KESH, HEC-e, OSHE, OST dhe 83 n/stacione, nuk faturojnë 9.6 milionë euro energji që e harxhojnë vetë
Kryeministria ka 7 vite pa paguar, PD ka 11 vite, PS ka 13 vite, 2134 institucione dhe 48 bashki prej 10-15 vitesh
Me një pakt të përbashkët, institucionet e sektorit të energjisë elektrike, kanë vendosur që energjinë e harxhuar prej tyre, të mos e faturojnë por ta bëjnë matje faktike si sasi për secilin dhe, pasi krijojnë reale total të harxhimit e trajtojnë si… “humbje në rrjet” 

Ndërsa qytetarët e varfër prangosen, u sekuestrohen prona dhe lihen në errësirë për 1 kilovat energji elektrike të papaguar ose rilidhje ilegale për të pasur pakëz dritë për fëmijët që duhet të mësojnë, apo për ngrohjen dhe trajtimin me 1 gotë çaj të të sëmurëve rëndë, institucionet dhe shërbimet shtetërore nuk paguajnë prej vitesh asnjë “qindarkë” energji elektrike, megjithëse harxhojnë miliona kilovatë energji elektrike për kondicionerë në verë e në dimër, për kompjuterët ku 90% të kohës “punojnë” në “FB” dhe për ndriçim zyrash, sallonesh e korridoresh. Nuk e kemi fjalën për bosët e politikës, të pushtetit e të bizneseve të lidhur me ta, të cilët harxhojnë miliarda lekë energji elektrike në resortet e tyre turistike verore dhe dimërore, në restorante, PUB-e, hotele, motele, ferma bagëtish e sera, në firma ndërtimi, në linja prodhimi e vila dhe paguajnë fatura mujore sa 1 banesë me 3 llamba ndriçimi. Është fjala për reformën “anti-popullore” në energji, e cila ka cilësuar si “arritje” edhe rastet, kur familjeve ekstremisht të varfra iu është ndërprerë energjia, madje edhe në ceremoni mortore, ndërsa vetë shteti nuk paguan energjinë elektrike! Janë shumë institucione e shërbime publike, të cilët konsumojnë energji elektrik,e por nuk e paguajnë atë dhe, “çuditërisht”, mbi linjën e furnizimit të tyre nuk përdoret “pinca” e shkëputjes së energjisë elektrike! Mirëpo, skandali me konsumin dhe mospagimin e energjisë elektrike, ka mbërthyer, jo vetëm institucionet dhe shërbimet publike që nga kryeministria, spitalet, shkollat, çerdhet, dy partitë kryesore politike PS e PD dhe kopshtet e fëmijëve, prefekturat dhe këshillat e qarqeve, komisariatet e policisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes, Azilet e të moshuarve dhe bashkitë, por edhe vetë sektorin e prodhimit, shpërndarjes, kontrollit dhe shitjes së energjisë elektrike në Shqipëri! Çfarë ndodh? 
Krimi/88 qendra energjie elektrike, fshehin 9.6 milionë euro harxhim energji elektrike
Burime të gazetës “Telegraf”, kanë bërë me dije, se sektori i energjisë elektrike në 92 qendra prodhimi, institucione dhe qendra shërbimi të energjisë elektrike përbë në vetvete një paradoks. Këto ente shtetërore siç quhen, prodhojnë, shpërndajnë e kontrollojnë ecurinë e shitjes së energjisë elektrike, por vetë… nuk e paguajnë energjinë që konsumojnë! Bëjnë kërcënime ndaj konsumatorëve për të paguar energjinë, bëjnë ndërprerje energjie, vendosin gjoba, bëjnë denoncime në prokurori e gjykata për popullin që nuk paguan 1000, 2000 e 300 mijë lekë energji, ndërkohë që në zyrat dhe shërbimet e tyre harxhojnë miliona lekë dhe nuk paguajnë! Sipas informacionit që na është dërguar, rezulton se institucione dhe shërbime të sektorit të energjisë elektrike si KESH, HEC-et shtetëror, OSHEE, Enti Rregullator i Energjisë (ERE), Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) dhe 83 N/Stacione elektrike në qytete, rajone e zona, nuk e faturojnë energjinë elektrike që konsumojnë, duke përdorur një marifet që fsheh konsumin që ato bëjnë! Me një pakt të përbashkët mirëkuptimi, institucionet dhe shërbimet e sektorit të energjisë elektrike, që nga kupola e menaxhimit të prodhimit (KESH), HEC-et që e prodhojnë, transmetimi, rregullatori dhe shitja tek konsumatori, kanë vendosur kështu: Energjinë që harxhojnë, të mos e faturojnë, por ta bëjnë matje faktike si sasi për çdo institucion e shërbim, të krijojnë vlerën reale në total dhe me një procesverbal informal (ilegal), ta quajnë “humbje rrjeti”. Mund të duket çudi, por vetëm në dy vitet e fundit, kjo vlerë ka shkuar në 9.6 milionë euro energji të harxhuar, e pa faturuar dhe e papaguar, por të quajtur… “humbje në rrjet”! Sa harxhojnë në muaj, 107 kondicionerët e zyrave të KESH? Sa harxhojnë punimet për shërbime, riparime e investime që kryen KESH në terren? Sa harxhojnë zyrat e Entit Rregullator të Energjisë (ERE)? Sa harxhojnë zyrat dhe shërbimet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST)? Sa harxhojnë zyrat, riparimet, shërbimet dhe investimet e OSHEE? Sa energji harxhojnë HEC-et? Sa energji elektrike harxhojnë 4979 kabinat dhe 88 n/stacionet elektrike në lagje, qytete, zona? Asnjë nga këto institucione e shërbime nuk rezulton tek ketë faturim dhe pagesë energjie elektrike! Përse? Përgjigjet që vijnë prej tyre janë i njëjti tekst: Nuk paguajmë, mbasi ne jemi prodhuesit dhe shitësit! Mirë që CEZ nuk paguante, mbasi ishte shërbim privat dhe harxhonte energjinë që blinte nga KESH, por edhe ai për efekt bilanci, hartonte fatura për sasinë e harxhuar në objekte, zyra e punime terreni! Ndërsa 92 institucionet dhe shërbimet shtetërore që nga prodhimi e deri tek shitja, nuk e faturojnë energjinë që harxhojnë, sikur ta kenë mall privat! Dhe askush nuk u kërkon llogari! Nuk ka asnjë faturë harxhimi energjie elektrike për 51 mijë e 329 ndërhyrjet që janë bërë në 3 vitet e fundit prej këtyre institucioneve e shërbimeve për rikonstruksione, defekte, riparime e investime në kabina, shtylla tensioni të lartë, rrjeti ajror e nëntokësor lokal e qendror! Energjia e konsumuar nga ekipet e shërbimeve është marrë publikisht me lidhje të bëra në rrjetin, shtyllat, kabinat, kasetat e ndriçimit rrugor, në kasat e pallateve, por asnjë matje dhe asnjë faturim nuk është bërë për sasinë e harxhuar gjatë punimeve të kryera prej institucioneve shtetërore që operojnë në sektorin e energjisë elektrike! 
Sigal