Ja si do të rekrutohen punonjësit e rinj

633
Sigal

Udhërrëfyesi i qeverisë për 5 prioritetet e rekomanduara nga KiE

Zbardhet në fletoren zyrtare udhërrëfyesi për 5 prioritetet e rekomanduara nga Komisioni Evropian. Në tetor 2013, Komisioni Evropian publikoi Raportin e Progresit ku identifikon ndërhyrjet e nevojshme dhe jep rekomandimet përkatëse. Strategjia e Zgjerimit 2013-2014 përcakton 5 prioritete kyçe si parakusht për fillimin e negociatave të anëtarësimit, të cilat janë:

1. Të vijohet zbatimi i reformës në administratën publike, me qëllim rritjen e profesionalizmit dhe depolitizimin e administratës publike;

2. Të merren masa të mëtejshme për të përforcuar pavarësinë, efiçencën dhe llogaridhënien e institucioneve gjyqësore;

3. Të merren masa të vendosura në luftën kundër korrupsionit, përfshi krijimin e një vijimësie rezultatesh konkrete (track record) me hetime kryesisht, procedime penale dhe dënime;

4. Të merren masa të vendosura në luftën kundër krimit të organizuar, përfshi krijimin e një historiku solid (track record) me hetime kryesisht, procedime penale dhe dënime;

5. Të merren masa efikase për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshi mbrojtjen e romëve dhe politikat antidiskriminim, si edhe të zbatohen të drejtat e pronësisë.

Në adresim të këtyre kritereve dhe në kuadër të nismës së Dialogut të Nivelit të Lartë (DNL) për Prioritetet Kyçe ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Evropian1, u mor angazhim për përgatitjen e një “Udhërrëfyesi” për zbatimin e reformave të nevojshme për 5 prioritetet kyçe për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

 Reforma në administratën publike

Në lidhje me reformën në administratën publike, një nga objektivat kryesorë është zbatimi i ligjit “Për nëpunësin civil”, ku hapi i parë është miratimi i akteve nënligjore të nevojshme. Një tjetër zhvillim në kuadrin ligjor është miratimi i ligjit “Kodi i Procedurave Administrative”, si edhe i akteve nënligjore në zbatim të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”. Masa do të merren për të përmirësuar procedurën e rekrutimit, emërimit dhe ngritjes në detyrë në shërbimin civil, si edhe për të shtrirë më tej sistemin HRMIS (sistemi informatik për menaxhimin e burimeve njerëzore). Në fokusin e kësaj reforme është edhe funksionimi i duhur i Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), pajisja e saj me mjetet e nevojshme dhe burimet njerëzore si edhe planifikimi i përshtatshëm. Një tjetër objektiv i reformës është forcimi i kapaciteteve administrative dhe koordinimit të Departamentit të Administratës Publike, i nevojshëm për zbatimin e ligjit të ri për shërbimin civil.

Plani i punës i qeverisë:

Ligji për Nëpunësin Civil

Zbatimi i ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil” dhe legjislacionit dytësor – Miratimi i akteve nënligjore në zbatim, nga Janar 2014- Shtator 2014, ku janë parashikuarndër të tjera dhe: Krijimi i një mekanizmi monitorimi për zbatimin e ligjit: Ngritja e një mekanizmi për raportim të dhënash online për të gjitha institucionet e administratës publike; Kryerja e inspektimeve çdo dy muaj për zbatimin e ligjit të ri për shërbimin civil, si edhe rezultatet të raportohen te Kryeministri; Ndryshimi dhe harmonizimi i të gjitha ligjeve relevante me ligjin e ri për shërbimin civil, duke realizuar këto masa: Identifikimi i të gjitha ligjeve relevante që do të ndryshohen dhe harmonizohen me ligji e ri për shërbimin civil; Përgatitja e projektndryshimeve për ligjet relevante që do të harmonizohen me ligjin e ri për shërbimin civil, etj..

 Kodi i Procedurave Administrative

Miratimi i ligjit “ Kodi i Procedurave Administrative” për procedurën e përgjithshme administrative (Përgatitjet për zbatimin gradual të ligjit dhe krijimi i indikatorëve të matshëm të progresit), nga shkurti – maj 2014, ku përcaktohen: Prezantimi i projektligjit nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Delegacionin e BE-së në Tiranë; Dorëzimi i projektligjit për miratim pranë Këshillit të Ministrave; Përgatitjet për zbatimin normal të ligjit “Kodi i Procedurave Administrative” (me asistencën e projektit të IPA 2012). “Mbështetje për reformën në shërbimin civil”, duke realizuar këto masa renda 1 viti nga data e miratimit të draftit: Shqyrtimi i legjislacionit administrativ dhe vlerësimi i përputhshmërisë së tij me nevojat e ligjit të ri, si edhe asistimi në hartimin e akteve nënligjore, nëse nevojitet, etj..

 Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”

Zbatimi i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, hartimi dhe miratimi i akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji nga 5 shkurti -Korrik 2014, ku ndër të tjera parashikohen: Ndryshimi dhe harmonizimi me këtë ligj i të gjithë legjislacionit ekzistues për organizimin dhe funksionimin e çdo institucioni në varësi të Qeverisë dhe Ministrive, duke realizuar këto masa:Identifikimi i të gjithë legjislacionit që ka nevojë për ndryshime dhe harmonizim; Përgatitja e projektndryshimeve përkatëse që garantojnë harmonizimin me ligjin.

 Gjykata Administrative

Garantimi i zbatimit të ligjit për Gjykatën Administrative në 2014-n dhe në vazhdimësi, ku parashikohen: Garantimi i funksionimit të gjykatave administrative; Plotësimi i vendeve vakante me gjyqtarë në gjykatat administrative të shkallës së parë në Gjirokastër, Vlorë, Korçë dhe Shkodër, sipas dekretit të Presidentit nr. 7818/2012 (testimi selektiv); Plotësimi i strukturës organizative të gjykatave administrative me numrin e nevojshëm të punonjësve në administratën gjyqësore, përfshi asistentët ligjorë (hartimi dhe miratimi i Urdhrit të Ministrit të Drejtësisë); Përmirësimi i infrastrukturës së gjykatave administrative; Trajnimi i personelit të gjykatave administrative (gjyqtarët dhe administrata gjyqësore).

 Rekrutimi dhe emërimi

Përmirësimi i procedurës së rekrutimit, emërimit dhe ngritjes në detyrë në shërbimin civil, Prill 2014 dhe në vazhdim, ku parashikohen: Zbatimi i legjislacionit të ri për shërbimin civil (DAP do të mbështetet në këtë proces nga projekti IPA 2012 “Mbështetje për reformën në administratën publike) nëpërmjet: Përmirësimit të metodave aktuale të testimit duke zhvilluar rekrutimet në grup; Ngritjes së një komisioni përzgjedhës permanent, transparent dhe të paanshëm; Krijimit të Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues të Shërbimit Civil ( TND); Zhvillimit të karrierës dhe ngritjen në detyrë; Përmirësimit të natyrës së konkurseve; Lehtësimit të lëvizshmërisë së nëpunësve civilë në vijimësi.

 Fuqizimi i mjeteve për një administratë publike efektive

Përmirësimi dhe shtrirja e sistemit informatik të menaxhimit të burimeve njerëzore (SIMBNJ/HRMIS) Shkurt 2014 e në vazhdimësi.

 Sigurimi i mirëfunksionimit të Shkollës Shqiptare të Administratës Publike ASPA

Pajisja e ASPA-s me mjetet dhe burimet e nevojshme, mbështetje nga buxheti i shtetit, burime njerëzore dhe planifikim i duhur nga 30 qershor 2014 – Dhjetor 2014, ku parashikohen: Rikonstruksioni i godinës së ASPA-s dhe kompletimi i mjediseve të trajnimit me pajisjet dhe mjetet e TI për zhvillimin e aktiviteteve trajnuese; Përditësim dhe plotësim i analizës së nevojave për trajnim. Hartimi i një metodologjie për vlerësimin e aftësive dhe hartimi i një raporti vlerësues; Hartimi i strategjisë së trajnimit 2014 – 2020, në kuadër të Strategjisë së Reformës në Administratën Publike; Hartimi i kurrikulës së trajnimit për TND, bazuar në një analizë të nevojave për trajnim të këtij; Përgatitja e planit të trajnimit të vazhduar 2014, duke përcaktuar grupet e synuara, trajnimet e detyrueshme dhe periudhën e zhvillimit; Zhvillimi i programeve të trajnimit sipas planit të trajnimit; Vendosja e marrëdhënieve; Krijimi i sistemit e-learning për trajnimin. Digjitalizimi i materialeve të trajnimit për ASPA.

Strategjia e reformës në administratë

Rishikimi dhe miratimi i Strategjisë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike (me asistencën e SIGMA-s) nga Prill 2014 – Fundi i 2014-ës, ku parashikohen:

Ngritja e grupeve ndërministrore dhe ndërinstitucionale të punës, përgjegjëse për strategjinë RAP; Analizimi i fushave që duhen shtuar në draftin e Strategjisë, përcaktimi i sferës së veprimit të saj, si edhe konceptimi i një procesi gjithëpërfshirës për hartimin e saj; Diskutimi dhe miratimi i objektivave të strategjisë, si edhe përpilimi i masave dhe aktiviteteve të saj; Përcaktimi i arritjeve dhe zhvillimi i treguesve për matjen e arritjeve; Organizimi i procesit të konsultimit dhe përgatitja e draftit përfundimtar të Strategjisë; Dërgimi i projektstrategjisë për miratim në KM.

 Forcimi i institucioneve të pavarura mbikëqyrëse të administratës publike

Sigurimi i pavarësisë dhe kapaciteteve administrative të institucioneve të pavarura (Avokati i Popullit, KSHC, KLSH)me afat nga 1 qershor 2014- Gjatë 2014, ku parashikohen: Miratimi i ligjit të ri “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”; Garantimi i pavarësisë institucionale në aktet nënligjore që Qeveria pritet të nxjerrë në zbatim të ligjit për shërbimin civil; Garantimi i pavarësisë ekonomike të KLSH-së; nëpërmjet miratimit të buxhetit vjetor të propozuar nga ky institucion; Forcimi i kapaciteteve të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, që do të zëvendësojë KSHC-në, nëpërmjet miratimit të strukturës organizative në zbatim të ligjit nr. 152, datë 30.05.2013 ”Për nëpunësin civil”; Dorëzimi i aplikimeve (kandidatët për KMSHC); Përzgjedhja e kandidatëve; Propozimi i strukturës, rregullores së brendshme dhe buxhetit; Miratimi i strukturës, rregullores së brendshme dhe buxhetit nga Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil; Sigurimi i pavarësisë nëpërmjet miratimit të një buxheti financiar që të përballojë nevojat e institucionit gjatë implementimit të ligjit të ri për shërbimin civil.