Ja si do punësohen të rinjtë shteteve ballkanike pas diplomimit

560
Sigal

Banka Botërore dhe Ministria austriake e Financave, projekt për punësimin e të rinjve

Banka Botërore, në bashkëpunim me Ministrinë Austriake të Financave, Institutin Vjenez për Studime Ekonomike Ndërkombëtare dhe Rrjetin për Zhvillim Ndërkombëtar, organizuan një dialog të nivelit të lartë për politikat e “Punësimit të të Rinjve, në Evropën Juglindore”. Ministrat e Punës, Politikave Sociale dhe Rinisë, dhe zyrtarë të lartë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, IRJ e Maqedonisë, Kosova, Mali i Zi, dhe Serbia, u mblodhën së bashku me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, qendrave kërkimore dhe përfaqësues të të rinjve për të diskutuar mënyrat e përmirësimit të perspektivave të punësimit në rajon dhe për të çliruar potencialin e brezit të ri. Një video për punësimin e të rinjve që u shfaq në konferencë, e theksoi këtë situatë emergjente. “Nuk kam ndonjë ambicie të tepruar në lidhje me karrierën time. Do të isha shumë i kënaqur nëse puna që do të bëja, do më krijonte mundësi të mbaja veten dhe familjen”,- tha në video Dušan Nikoliæ, student në Universitetin e Beogradit. Gazmend Januzi, teknik ndërtimi nga Sarajeva, tha: “Për mua do të ishte mirë të gjeja një punë të përhershme me sigurime”. “Shkalla e punësimit të të rinjve është veçanërisht e ulët. Për më tepër, një përqindje e madhe e të rinjve të papunë nuk kërkojnë as punë, as nuk studiojnë. Modeli është komplikuar edhe më shumë nga rënia ekonomike në vazhdim. Si pjesë e përpjekjeve për rimëkëmbje, me shumë rëndësi do të jenë përpjekjet për të shtruar themelet për një rrugë rritjeje më përfshirëse ku të rinjtë të luajnë një rol thelbësor në zhvillimin socio-ekonomik”,- tha Vladimir Gligorov, ekonomist i lartë në Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare. Diskutimi preku politikat makroekonomike, tregjet dhe stimujt, si edhe aftësitë. Aty u vunë në dukje fushat që kishin nevojë për analiza të mëtejshme, zhvillim politikash dhe veprime. “Adresimi i punësimit të të rinjve kërkon një axhendë shumësektoriale. Ajo që mund të funksionojë varet sigurisht nga konteksti i vendit, por padyshim ne mund të mësojmë shumë nga përvoja e rajonit dhe më gjerë. Dhe ne duhet të veprojmë tani, me qëllim që të mos lihet pa shfrytëzuar potenciali jashtëzakonisht i madh i forcës së punës së Europës Juglindore. Sfida e vendeve të punës kërkon përmirësimin e klimës që firmat të lulëzojnë dhe të krijojnë vende pune. Megjithatë, duhet gjithashtu të sigurojmë që punëtorët të jenë të përgatitur si duhet për të qenë në gjendje të përfitojnë nga mundësitë për punë. Reformat kërkojnë këmbëngulje, por në fund të shpërblejnë për këtë këmbëngulje”, deklaroi Ellen Goldstein, Drejtore e Bankës Botërore për Vendet e Evropës Juglindore. Duke ju drejtuar pjesëmarrësve në Dialogun e Politikave, Harald Vvaiglein, Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë Austriake të Financave, tha: “Ne e mirëpresim forumin e sotëm të nivelit të lartë për “Punësimin e të rinjve në Evropën Juglindore” me politikanë nga rajoni dhe me ekspertë ndërkombëtare, për të diskutuar mënyrën e ecjes përpara, në lidhje me një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë. Shkëmbimi i njohurive dhe praktikat më të mira duhet të synojnë arritjen e zgjidhjeve për papunësinë e të rinjve. Ne presim që zyra e Vjenës e Grupit të Bankës Botërore të shërbejë si platformë për një dialog intensiv midis profesionistëve, shkencëtarëve, dhe ekspertëve kombëtare dhe ndërkombëtare”.