Ja shkeljet – Punonjësit e ALUIZNI-t Lezhë në prokurori. KLSH tregon si abuzonin

526
Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurori, 2 ish arkiviste, 1 juriste, 3 ish juriste dhe 2 hartograf specialistë të Drejtorisë Rajonale të Aluizni-t Lezhë

Nga auditimi u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish të dispozitave ligjore në fuqi, duke cënuar interesin publik, që konsistojnë në regjistrime e tjetërsime të pronave nga shteti në persona privatë në mënyrë të paligjshme.

Janë paditur për shpërdorim detyre : E K, me detyrë ish-arkivist, E.L me detyrë ish-arkivist, F. Z, me detyrë specialist jurist, E.J me detyrë jurist, E.Z me detyrё hartograf, K.M ish-juriste, B. RR ish-juriste dhe N.N me detyrё hartograf

Sipas këtij institucion janë bërë regjistrime të pallateve me shmangie pagesa detyrimesh financiare, janë regjistruar prona në zonën e Ishull Lezhë, të cilat kane qënë këneta, kanale, ranishte me sipërfaqe 537926 m2(53.79 ha), duke i tjetërsuar në kundërshtim me ligjin tek persona privatë nga forma “shtet”.

Regjistruar vendime gjykate në Malin e Renxit, duke rregjistruar rrugë, shkëmb dhe rezervuar me sipërfaqe 295 ha, si dhe në 74 raste mbivendosje, nuk janë zbatuar rregullat e caktuara, por janë lejuar të kryejnë transaksione e krijuar konflike sociale. Gjithashtu janë regjistruar objekte të legalizuara pa u kryer pagesat sipas ligjit, etj.

Nuk është administruar dokumentacioni dhe në arkivin e institucionit nuk gjenden 1045 praktika (referenca pronash), si dhe nuk është nxjerrë përgjegjësia ndaj personave përgjegjës, apo ndjekur ky problem në organet kompetente.

Shkeljet
ZVRPP Lezhë nuk ka marrë masat e nevojshme për ndjekjen e problemit në rrugë administrative e ligjore deri në kallzim penal, për përcaktimin e përgjegjësisë ndaj personave përgjegjës, për mungesën e 1045 praktikave dokumentare (referenca), pasi nuk janë zbatuar kërkesat ligjore të marrjes dhe dorëzimit të detyrës nga punonjësit e arkivës, në kundërshtim me ligjin nr. 9154, datë 06.11.2003 “Për Arkivat”, Rregulloren nr. 184, datë 8.4.1999 “Për Punën e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme” me ndryshime dhe Rregulloren e ZQRPP nr. 2079, datë 11.06.2007.

– Në 5 raste, sipas dokumentacionit në ZK nr. 2568, fshati Mali i Rrencit Lezhë, në emër të trashëgimtarëve të familjes I, rezultoi se sipas vendimit nr. 55, datë 28.02.2002 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit Pronave Qarku Lezhë, është njohur sipërfaqja 395 ha dhe kthyer 100 ha. Nga Gjykata e Shkallës së Parë, Rrethit Gjyqësorë Lezhë me vendimin nr. 227, datë 16.07.2002, në mungesë të të paditurit KKK Pronave dhe Avokaturës së Shtetit, në pjesën vendimore ka vendosur ndryshimin e vendimit, për mënyrën e kompesimit, duke u kthyer në natyrë pronësinë 5 paditësve me sipërfaqe prej 295 ha.

Në sipërfaqet e regjistruara në ZVRPP Lezhë, ndodhen pasuri në zërin kadastral rrugë, shkëmb, rezervuar, ledh dhe “ranishte”, etj., që nuk përshkruhen në vendimin e KKKP, apo në vendimet e gjykatave respektive, ndërkohë që sipas tyre janë njohur dhe kthyer zëri kadastral “pyll dhe kullota”. Në lidhje me këtë pasuri del se nga bashkimi i tyre në pasurinë nr. 1073, në zërin kadastral “pyll”, përbëhet sipas këtyre zërave kadastral: shesh, sipërfaqe 209 m2, në zërin kadastral rrugë, me sipërfaqe 650 m2, në zërin kadastral ranishte, sipërfaqe 8.37 ha, në zërin kadastral rezervuar, sipërfaqe 6442 m2, në zërin kadastral shkëmb sipërfaqe 2587 m2, pasuri si ledh, etj, veprimet e regjistrimit të këtyre pasurive janë në kundërshtim me ligjin nr. 7843, datë 13.07.1994 i ndryshuar dhe nenin 193 të Kodit Civil.

– Në 24 raste me sipërfaqe 332097 m2(33,2 ha) në zonë e Ishull Shëngjin, kanë regjistruar pasuri të llojit “Tokë Bujqësore”, që nuk figuron si e tillë në regjistrat përkatës deri 1.08.1991, për rrjedhojë ZVRPP Lezhë nuk duhet të regjistronte pasuri të llojit “arë”, duke e tjetërsuar nga pronësia “shtet” tek poseduesi i AMTP-së, pasi këto sipërfaqe në parcelat përkatëse rezultojnë të jenë të llojit pyll, kënetë apo ranishte, veprim në papajtueshmëri me ligjin nr. 33, datë 29.04.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, ligjin nr. 9948, datë 07.07.2008 , të ligjit nr. 8337, datë 30.04.1998 dhe ligjin 7501, datë 19.07.1991, i ndryshuar dhe konkretisht:

– Janë përfituar në ZK nr. 1987 fshati Ishull Shëngjin, me referencë nr. 6060, regjistruar tokë bujqësore arë me sipërfaqja 26.500 m2, parcela nr. 79, sipas AMTP nr. nr. 4064, datë 28.04.1995, në zërin kadastral “arë”, ndërsa sipas Njësisë së Menaxhimit dhe zërit kadastral para vitit 1991, ndodhet në zërin kadastral “pyll”, pajisur me çertifikatë datë 10.07.2015 për sipërfaqen 26.500 m2. Gjithashtu del se nuk janë verifikuar elementët e formës dhe të përmbajtjes së AMTP-së, pasi qytetari ka përfituar më tepër 10.000 m2 se norma ligjore për frymë.

– Në ZK nr. 31266 qyteti Shëngjin, me referencë nr. 883, T.M sipas AMTP-së nr. 2514/1, datë 13.09.2001 ka përfituar sipërfaqen 5473 m2 e ndarë në 2 parcela, duke ndryshuar nr. e pasurisë dhe zërin kadastral nga ranishte në arë, si dhe dokumentacioni bën fjalë për në fshatin Ishull Shëngjin, ndërsa regjistrimi është kryer në ZK nr. 3126 qyteti Shëngjin.

– ZVRPP Lezhë në 1 rast në ZK nr. 2568, rezulton se është regjistruar objekt “Hotel 2-3-4-5 kate + P dhe një kat nëntokë”, me investitor shoqëria “P… E…” shpk, sipas vendimit të KRRT-së Këshilli i Qarkut Lezhë nr. 35, datë 07.04.2011, me sipërfaqe të sheshit 6000 m2, sipërfaqe ndërtimi 1567 m2, si dhe kanë shmangur pagesën prej 630 mijë lekë, dëm ekonomik për 78 regjistrime. Miratimi i kësaj leje nga Këshilli i Qarkut pa u miratuar në KRRTRSH në zbatim të nenit 70 të ligjit nr. 8405, datë 10.09.1998, “Për Urbanistikën” vjen në kundërshtim me vendimin e KRRTRSH nr. 18, datë 21.07.2009, pasi kjo zonë është futur në zonë të mbrojtur të studimit të bregut të Drinit.

– Në 9 raste janë konstatuar regjistrime në regjistrat e hipotekës të lejeve të ndërtimit, për të cilat nuk janë regjistruar sipërfaqet e përbashkëta, duke shmangur pagesat e detyrueshme në vlerën 12, 295 mijë lekë dëm ekonomik, veprimet e mësipërme vijnë në kundërshtim me nenin 50, “Regjistrimi i mjediseve të përbashkëta në ndërtesa”, të ligjit nr. 33/2012, datë 21.3.2012, “pika 2 , neni 48 regjistrimi i lejes së ndërtimit pika 1,2, 4, me kërkesat e nenit 13, të ligjit nr. 8402, datë 10.09.1998, të ndryshuar.

– Me referencë nr. 7041, ka regjistruar, në emër të investitorit “AR” shpk, leje legalizimi nr. 8169, datë 25.10.2016 të objektit “godinë banimi 7 + 1 kat bodrum” Ishull Shëngjin Lezhë, me sipërfaqe totale për banim 5004 m2, për aktivitet 782.9 m2, numri i kateve mbi tokë 7 kate. Ky objekt ka qenë i trajtuar me leje ndërtimi nga komuna Shëngjin, është trajtuar me leje legalizimi për efekt të shmangies nga subjekti “ Á R”shpk të pagesave të taksës së ndikimit në infrastrukturë në vlerën 6,443,415 lekë dëm ekonomik, janë regjistruar 128 njësi dhe apartamente të individualizuara, por nuk del që të jenë regjistruar sipërfaqet e përbashkëta për 1033.5 m2 të barabarta në vlerë prej 722,394 lekë, që përbën dëm ekonomik për buxhetin e shtetit .

– ZVRPP Lezhë në 74 raste, ka evidentuar pasuri me mbivendosje, por në asnjë rast nuk është regjistruar mbivendosje në kartelat e pasurisë së paluajtshme dhe në Seksionin “E” të kartelës, nuk është vendosur shënimi “Ndalohen veprimet mbi pasurinë deri në zgjidhjen e problemit të krijuar nga mbivendosja”, veprim në kundërshtim me ligjin nr. 33, datë 210.03.2012, duke sjellë pasoja të rënda sociale në të drejtën e pronësisë së qytetarëve.

– Ka një pamjaftueshmëri e nivel të ulët të performancës së punës e shprehur në administrimin e praktikave dhe kërkesave në proces të pa përfunduara të cilat arrijnë mbi 670, ndërsa të ardhura të përfituara pa dhënë shërbimin e faturuar arrijnë 6,417.5 mijë lekë, që kanë sjellë si pasojë mungesën e transparencës ndaj publikut, mos administrimin në arkiv të dokumentacionit, mbajtjen e praktikave të aplikimeve nga specialistët për afate të gjata.

– Në 7 raste kanë regjistruar pasuritë e paluajtshme për poseduesit e AMTP-ve përkatëse, të cilët kanë përfituar më tepër në total tokë me sipërfaqe 186483 m2, se sasia takuese bazuar në përbërjen familjare tëdatës 1.08.1991 dhe normën e përcaktuar për frymë,

– Familja bujqësorë “P D S”, ka poseduar 2 AMTP, ka përfituar më tepër tokë bujqësore me sipërfaqe 76757 m2[93757(sasia e tokës që ka marrë)-17200 (sasia takuese)], veprime këto në papajtueshmëri me ligjin nr. 33, datë 21.03.2012, me ligjin 7501, datë 19.07.1991, “Për Tokën”, i ndryshuar dhe VKM 255, datë 02.08.1991, i ndryshuar, UKM nr. 2, datë 13.06.2013.

– Në 1 rast, kanë regjistruar në kartelën e pasurisë së paluajtshme 5 pasuri me sipërfaqe totale prej 17825 m2 dhe kanë kryer transaksione, duke lëshuar çertifikata pronësie për disa nga këto pasuri, ZK 1986 Ishull Lezhë, të cilat janë regjistruar sipas AMTP nr. 1508, e cila është pa datë dhe nuk është origjinale, por fotokopje(e pa lexueshme), e pa noterizuar dhe e pa konfirmuar nga pushteti lokal, ndërsa në ZVRPP Lezhë nuk ndodhet AMTP origjinale.

– Në 5 raste kanë regjistruar pasuritë: pasuria nr. 5/115, truall+ndërtesë me sipërfaqe 7870 m2, investitor shoqëria “M C” shpk; pasuria nr. 3/68, truall+ndërtesë me sipërfaqe 1320 m2, investitor shoqëria “I A.S.” shpk; pasuria nr. 4/183, truall+ndërtesë me sipërfaqe 2014 m2, investitor shoqëria “F” shpk; pasuria nr. 5/126, truall+ndërtesë me sipërfaqe 1676 m2, investitor shoqëria “A V C” shpk; pasuria nr. 6/296, truall+ndërtesë me sipërfaqe 1848 m2, investitor shoqëria “N” shpk, ZK 8632, regjistruar pasurinë nr. 6/281, volum 21, faqe 228, ZK 8632, truall+ndërtesë me sipërfaqe 2062 m2, lëshuar certifikatë pronësie për shoqërinë ”L-A” shpk, konstatohet se, regjistrimi i pronës është bërë në mungesë dhe me parregullsi të dokumentacionit tekniko ligjor, pasi Leja e Përdorimit nuk është lëshuar nga Kryetari i Bashkisë por nga një Drejtor jashtë kopetencave ligjore, si dhe mungon deklarata e përputhshmërisë lidhur me sipërfaqet e cila kofirmon kryerjen e punimeve në perputhje me normat e standardet e sigurisë në fuqi.

– Në 10 raste, kanë regjistruar Leje legalizimi duke mos verifikuar elementët e përmbajtjes së Aktit Administrativ, në lidhje me sipërfaqen e parcelës ndërtimore, që sipas përcaktimeve ligjore nuk duhet të kalonte 300 m dhe është përfituar padrejtësisht 1905 m2.

Kanë kryer regjistrimin e pasurisё në ZK 8631 tё qytetarit N F Gj, nr. 11/335, vol 20 faqe 36 nga pasuri me pronar shtet nё seksionin C të kartelës, nё pasuri të fituar me AMTP me sipërfaqe 21200 m2. AMTP e lëshuar, ёshtё fotokopje dhe e pa firmosur nga pronari N F Gj. Nё dosje gjendet njё deklaratë noteriale, fotokopje e pa noterizuar nga deklaruesi N F Gj, i cili deklaron se gabimisht janë regjistruar nё pronësi tё familjes sё tij 2 pasuri të llojit arë me sipërfaqe 10500 m2 . Qytetari deklaron se heq dore vullnetarisht nga kjo pasuri, por rezulton se pasuria me datë 13.05.2015 ka kaluar nё ndarje dhe jo mbyllje. Pra, rezulton se qytetari N F Gj e posedon kёtё pasuri dhe nuk qëndron fakti i heqjes dorë, duke përfituar padrejtësisht 10500 m2 tokë arë më shumë .
Sigal