Ja sa blihet një provim në universitetet publike

600
Në redaksinë e Gazetës “Telegraf”, prej disa ditësh po vijnë denoncime të shumta nga studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, të cilët informojnë për korrupsionin që bëhet prej pedagogëve me notat e provimeve. Sot, po publikojmë një nga 114 mesazhet elektronike të dërguara prej studentëve të këtij universiteti. Në këtë mesazh, denoncohen emrat e disa prej pedagogëve që kërkojnë lekë, më së shumti euro për çdo notë kaluese ose notë të lartë provimi në lëndët që ata japin. Në mesazhin denoncues, bëhen të ditura tarifat financiare që çdo pedagog ka vendosur dhe zhvat “në mes të ditës”, si çmim “tavan e dysheme” për notën kaluese dhe notën që dëshiron në provim, duke llogaritur pagesën me euro, me lekë, ose me dollarë. Ky korrupsion dihet nga të gjithë por nuk ndalet, duke u trajtuar si “garë” mes profesorësh për të shitur notat e provimeve, ndërkohë që studentët detyrohen të paguajnë kur nuk mësojnë, por edhe kur kërkojnë notë provimi më të lartë se ajo që meritojnë. 

Në të dy rastet, ata paguajnë pastaj futen në provim dhe nota kaluese, ose nota që “prenotojnë” sipas çmimit, u vendoset në proces verbalin e provimit, pasi “sekseri” të ketë dorëzuar “procesverbalin e kryerjes së pagesës” së bërë, sipas tarifës së vendosur prej pedagogut, plus përqindje “komisionin” e sekserit. Çmimet nuk janë vendosur me dëshirën e dy palëve pedagog-student, që në gjuhën e tregut quhen “shitës-blerës” notash, por janë vendosur si çmim i paracaktuar nga pedagogët dhe sekserët! Në këtë “treg të zi” notash që ka shpërthyer publikisht në Universitetin e Elbasanit, janë ngritur “tezgat e shit-blerjes” së notave të provimeve në pothuajse të gjitha lëndët mësimore, që jepen në këtë universitet shtetëror. Mjafton të paguash tarifën që kanë caktuar pedagogët dhe kalon provimin, ose të “shitet” notë e lartë për efekt mesatareje! Ky treg notash në universitetin e Elbasanit ka edhe dy “pamje” të tjera të rënda; Studentët detyrohen të paguajnë, mbasi pedagogët bëjnë presione me ngelje të shpeshta në provime. Po kështu, përveç tarifës së caktuar për provimin, duhet të shkosh edhe në kurset private me pagesë po me “tarifa fikse” që bëjnë pedagogët e lëndëve ose familjarët e tyre “profesorë”, ndryshe nuk kalon në provim!
Sigal