Ja pse nuk transferohet në varësi të bashkisë Ndërmarrja e Ujësjellësit!

852
Sigal

Flet për “Telegraf”, Kryebashkiaku, Vangjush Dako: “Qeveria dështoi për furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm në Durrës”

Prej një qershorit të 2011, Ndërmarrja e Ujësjellës – Kanalizimeve në Durrës, me vendim qeverie duhet t’i kalonte për menaxhim pushtetit lokal, në kuadër të decentralizimit. Situatën problematike të furnizimit me ujë të pijshëm gjatë sezonit veror në Durrës e ka komentuar, edhe Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i cili e ka konsideruar situatën e rënduar pas shpërthimeve të tubacioneve në disa nyje, pasojë e mungesës së investimeve dhe keqmenaxhim nga drejtuesit e ndërmarrjes.
Deklarata
Kreu i Bashkisë, Vangjush Dako, deklaroi se bashkia nuk do ta marrë asnjë herë në dorëzim ndërmarrjen problematike të Ujësjellësit, nëse varësia e saj do të jetë nga Këshilli Bashkiak dhe jo nga bashkia. “Është Këshilli Bashkiak ai që e merr në pronësi transferimin që kërkon qeveria të na bëjë. Nuk është vetëm një njësi, Bashkia e Durrësit, por janë 13 njësi aksionere të kësaj ndërmarrjeje. Me këtë mënyrë transferimi nuk jemi dakord që ta marrim ne në varësi UKD”. Kryetari i Bashkisë së Durrësit nënvizon se, duhet kryer riorganizimi i ndërmarrjes aktuale të Ujësjellësit, si ndërmarrje operative që punon për ofrimin e shërbimit të përditshëm të furnizimit me ujë. “Nëse vendos Këshilli Bashkiak atëherë, Bashkia nuk mund të jetë vetëm financuese e saj, por kërkon të drejta të plota administrative. Paratë për Ujësjellësin t’i gjejë bashkia, drejtuesit t’i miratojnë të djathtët, punëtorët t’i menaxhojë Këshilli Bashkiak, fondet për të gjitha projektet dhe problematikat t’i gjejë bashkia”, kjo është e pamundur tha Dako.
Konflikti
Pikërisht kjo klauzolë, e cila bashkinë e bën financuese të projekteve dhe menaxhuese të problematikës, së furnizimit më ujë të pijshëm, por jo ndërmarrje në varësi të saj, ka bërë që Bashkia ta kundërshtojë marrjen në dorëzim të saj. Këshilli Bashkiak drejtohet nga të djathtët dhe menaxhimi nga kjo strukturë ka bërë që Kreu i Bashkisë, Vangjush Dako të kundërshtojë marrjen në varësi të bashkisë së UKD. “Janë disa pika që ne kërkojmë, por mbi të gjitha, faljen e të gjitha detyrimeve që ka ndaj KESH-it, kërkojmë ndryshimin e statusit të kësaj ndërmarrjeje dhe zgjedhja e bordit drejtues që përcakton titullarin e kësaj ndërmarrjeje të bëhet nga bashkia dhe jo nga Këshillat Bashkiakë të 13 njësive vendore. Kjo ndërmarrje do investime shumë të mëdha sepse rrjeti i ujësjellësit është i amortizuar e mbi të gjitha uji që vjen nuk plotëson kërkesat e këtij qyteti që për çdo vit shënon rritje të popullsisë. Një tjetër problem madhor, me të cilin përballet kjo ndërmarrje është kostoja e lartë, me të cilin uji mbërrin në Durrës. Kostoja e ujit është shumë e lartë. Investimet janë me pikatore. Për sa kohë që uji në Durrës do të vijë me stacionet e pompimit kostoja e ujit do të jetë shumë e lartë e konkretisht tre herë më e lartë se në Tiranë e në qytete të tjera.
Qeveria nuk mbajti premtimin
Çështja e furnizimit me ujë dhe kanalizimet është parashikuar si një funksion i vetë bashkisë që në vitin 2000 në Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore. Por pavarësisht propozimeve, në Durrës kjo ndërmarrje jo vetëm që ka shkaktuar konflikte dhe polemika nuk ka kaluar në varësi të bashkisë. “Në 7 vjet nuk është mbajtur premtimi për furnizim me ujë të pijshëm 24 orë në zonën e bregdetit dhe kjo është e pamundur sepse është e pamundur. Kostoja e ujit është shumë e lartë, sepse uji mbërrin nga 42 km, prej burimit në Durrës, ndërsa investimet në këtë drejtim kanë hartën elektorale të bastioneve të PD. Nuk ka perspektivë afatgjatë”, tha Dako. Durrsakët vuajnë prej shumë vitesh për ujë të pijshëm. Megjithëse, vitet e fundit ka përmirësim, sërish situata lë për të dëshiruar në zona të caktuara.

Propozimi
Kryetari i Bashkisë propozon që “Ndërmarrja duhet të ndahet në dy pjesë në një ndërmarrje që të merret vetëm me furnizimin, pra të sjellë ujin në depo dhe të jetë ndërmarrje me kapital shtetëror dhe një ndërmarrje tjetër kjo e sotmja të merret me shpërndarjen menaxhimin, e cila të jetë private. E njëjta skemë që u ndoq në rastin e furnizimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike. Vetëm kështu mund të ketë zgjidhje afatgjatë të Ujësjellësit në Durrës”.

Bashkia vë kushte për transferimin e UKD
Sipas Kryetarit të Bashkisë së Durrësit kjo ndërmarrje nuk do të transferohet pa u plotësuar disa kushte ose propozime me gjithë tentativat e tyre për t’i negociuar ato, pasi skema e qeverisë nuk ofron asnjë mundësi që ajo ta kryejë me sukses këtë punë. “Qeveria nuk ja jep Bashkisë së Durrësit, Ndërmarrjen e Ujësjellësit, në varësi, ashtu sikundër shërbimin urban, pastrim – gjelbërimin, dekorin, shërbimin funeral, komunalen e plazhit, por varësinë ia lë Këshillit Bashkiak. Madje, kjo ndërmarrje ka edhe një problematikë të mbartur në vite për shkak të jorentibilitetit, e cila ka një kosto të jashtëzakonshme financiare”, deklaroi Dako. Ndërkaq, disa kërkesa të tjera për Bashkinë e Durrësit që duhet të plotësohen nga ana e qeverisë janë, një proces transferimi i drejtë, i hapur dhe transparent i Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve tek njësitë e qeverisjes vendore përbërëse, përfshirë edhe Bashkinë e Durrës, përsa i takon implikimeve financiare, teknike e sociale të këtij transferimi. Po kështu, skema e re e menaxhimit është bashkëpunimi mes Bashkisë së Durrësit dhe të gjitha komunave e bashkive fqinje.