Ja pse banorët e Tërpanit në vend të makinave përdorin gomarët

523
Sigal

BERAT/Zona me 5 mijë banorë ka 23 vjet që mbahet me premtimin e rregullimit të rrugës, e cila ka dalë jashtë funksionit

Dikur thuhej se njerëzit shisnin gomarët dhe blinin biçikleta, ndërsa në Komunën e Tërpanit ka kohë po ndodh ndryshe: Atje njerëzit po shesin makina dhe po blejnë gomarë për të qenë të sigurt, gjatë kalimit të rrugës automobilistike, e cila ka 23 vjet që mbahet me premtime. Ndërkohë që gomarët kanë që nga koha e austro-hungarezëve që bëjnë garë me njëri – tjetrin në këtë rrugë. Sepse që nga ajo kohë, askush nuk ka vënë dorë për rregullimin e saj.

Të udhëtosh për në Komunën e Tërpanit të del shpirti! Kjo komunë përbëhet nga 10 fshatrat dhe njihet si një nga zonat me kulturë dhe tradita. Kjo zonë ka 23 vjet që nuk njeh rrugë të shtruara, por vetëm rrugë për të udhëtuar gomarët. Rruga ekzistuese që është ndërtuar që në kohën e austro- hungarezëve dhe më pas u rindërtua nga italianët, tashmë është kthyer në një rrugë, ku mund të udhëtojnë vetëm gomarët, pasi makinat nuk kanë mundësi për të kaluar në këtë rrugë që lidhë qendrën e komunës me qytetin e Beratit. Kjo trevë, e cila ka pesë mijë banorë, merret vetëm me blegtori dhe pemëtari, të cilat janë pjesë e jetesës së tyre. Në këto male banorët e zonës shprehen: “Jemi të zhgënjyer, sepse prej 23 vjetësh nga të gjitha qeveritë, të majta apo të djathta edhe atë rrugë që ndërtuan të huajt nuk e mbajtën, por e lanë të shkatërrohet fare. Tashmë kjo rrugë 20 kilometër është kthyer në një rrugë, ku vetëm gomarët udhëtojnë”.

Vështirësitë

Banorët shprehen se ata janë të detyruar që të shtojnë numrin e gomarëve dhe të mushkave, për të kryer punët e ditës, pasi makinat në këtë zonë nuk kanë mundësi të lëvizin, se rruga është tejet e shkatërruar dhe përpos kësaj rritja e çmimit të karburantit, i ka shtuar hallet e tyre, sepse një litër naftë ka shkuar dy mijë lek. Por edhe gropat nëpër rrugë kanë sjell prishjen e makinave dhe riparimi i tyre i vazhdueshëm kushton, prandaj banorët e zonës kanë vendosur që më mirë të blejnë gomar e mushka, sepse këto kafshë të paktën nuk kanë as goma që mund t’u prishen e mbi të gjitha nuk duan as karburant për të ecur, pasi e shumta që ato duan janë patkonjtë. Edhe të sëmurët, sipas tyre, transportohen me gomarët, furnizimet ushqimore dhe ato blegtorale i kryejnë po me gomarë, të cilët udhëtojnë 20 kilometër për të mbërritur në qytet. Servet Pulaj, 67 vjeç, u shpreh për “Telegraf” që: “Ne jemi për t’ju bërë lapidar gomarëve, të cilët na janë kthyer në mjetë jetese në të gjitha sferat. Këtë gjendje e kanë krijuar qeveritarët tanë, të cilët e kanë parë komunën tonë me syze kartoni”. Ndërsa banorët e kësaj zonë shprehen se nuk është vetëm mungesa e rrugës për ta pengesë, por edhe mungesa e shkollave. Një shkollë të mesme që ata kishin iu mbyll me pretekstin se nuk kishte nxënës. Tashmë nxënësit e zonës kanë marrë arratinë nëpër Shqipëri, për të mbaruar të vetmen shkollë të mesme. “Jemi të detyruar që fëmijët tanë t’i dërgojmë emigrantë brenda vendit për të mësuar. Po i largojmë fëmijët në moshë shumë të vogël nga shtëpia, për mungesë shkolle. Fëmijët tanë janë shpërndarë në Berat, Patos, Kuçovë apo rrethe të tjerë, atje ku ne kemi njerëz të afërm për të mbaruar shkollën e mesme. Kjo është një tmerr i vërtet që po na bëjnë qeveritarët tanë ne si popull i kësaj zone. Të gjitha prodhimet e nën produkteve të qumështit mbeten stoqe pasi nuk kemi mundësi që t’i shesim nëpër tregjet. Kjo vetëm për mungesë të rrugës”, tha Servet Pulaj.

Kryetari i Komunës

Kryetari i Komunës, Ëngjëll Veliaj, shprehet për gazetën: “Ne si komunë disa herë e kemi bërë prezente gjendjen në këtë zonë si në Qarkun e Beratit, Prefekturë dhe në Qeveri, por deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Rruga që lidhe komunën me qendrën e qytetit është bërë e pakalueshme. Banorët e kësaj zonë kanë bizneset e tyre, të cilët jetojnë me to, por mungesa e rrugës ka bërë që ato të falimentojnë pasi produktet që ata prodhojnë u mbeten stoqe. Ka 23 vjet që në këtë komunë nuk është bërë asnjë investim. Kjo ka bërë që shumë fermer apo banorë të zonës të braktisin vendlindjen dhe të shkojnë në rrethe të tjera për një jetë më të mirë”, tha Veliaj.