Ja milionat që u zhvaten çdo ditë shqiptarëve

647
Sigal

Konkurrencë e paligjshme me 670 pajisje pirate të shërbimit “WIRELESS” në Tiranë e rrethe, 10.000 metër katrore truall pronë shtetërore e zaptuar me kabinat telefonike, ja 35 qytetet ku ka krijuar e ka lënë mjedise të shkatërruara

 “ALBTELEKOM”, pas punimeve ka kryer për interes të biznesit të tij në mjediset publike të Tiranës, ka mbushur me baltë e zhavorr kanalet e hapur, ka lënë pa pllaka trotuaret e shkatërruar, ka lënë pa kapakë pikat shpërndarëse nëntokësore (pusetat), ka lënë pa kangjella trotuaret, ka lënë pirgje me baltë e pemë të prerë dhe është larguar

Ka shkatërruar edhe 11 mijë e 789 e 435 metër linear kufizues betoni trotuaresh. Ka “asgjësuar” edhe 8 mijë e 324 metër katrore shkurre dekorative. Ka shkulur e gjymtuar edhe 822 pemë dhe 1597 metër linear kangjella hekuri ndarës të rrugës me trotuaret. Për gjithë këto dëmtime të shkaktuara gjatë punimeve të kryera për interesa të biznesit të vet, “ALBTELEKOM” nuk ka paguar asnjë qindarkë rehabilitim të mjediseve të dëmtuara

Në zyrat e Entit Rregullator të Telekomunikacionit (ERT), na thanë, se “ALBTELEKOM” i ka vendosur pa leje pajisjet “WIRELESS” në mjediset publike të Tiranës dhe në qytete të tjerë të Shqipërisë, vendosja e tyre në mënyrë pirate përbën shkelje ligji dhe vjedhje shërbimi.

 Është një “gropë e zezë” ekonomike-financiare në Shqipëri me emrin “ALBTELEKOM”, brenda të cilës prej 11 vitesh aktivitet privat, po zhvillohet pa asnjë kontroll e pa asnjë ndëshkim ligjor një biznes-pisnes i qelbët korruptiv me shërbime abuzive e marifete korruptive, të lejuara nga shteti shqiptar. Kjo kompani, prej 11 vitesh privatizim po zhvat pasuritë kombëtare, taksat dhe financat personale të shqiptarëve. Ata që kanë pasur dhe kanë lidhje me kompaninë “ALBTELEKOM”, kanë denoncuar abuzimet me tarifat e larta abuzive e monopol të çmimeve të shërbimit. Kanë denoncuar vjedhjet në fatura me impulse dhe vlera fiktive të shtuara deri në 40-70% mbi shpenzimin real. Kanë denoncuar çmimet e rritura të internetit mbi tarifën e kontratës dhe faturat fiktive të internetit edhe pa pasur shërbim interneti. Kanë denoncuar pagesën edhe kur nuk kanë pasur shërbimin telefonik fiks të munguar me orë e ditë me radhë, pa llogaritur defektet e shpeshta, përgjimet dhe një tjetër shërbim zhvatës pjesë e kësaj firme me emrin “Eagle Mobile”, që të vjedh me bisedat në kartat rimbushëse e në kartat me kontratë. Në asnjë rast, kjo kompani nuk po preket nga shteti. As drejtësia nuk nis asnjë procedim penal për 194 mijë e 540 denoncimet e bëra nga konsumatorët familjarë në 8 vitet e fundit dhe për asnjë prej 8670 denoncimeve të bëra prej operatorëve privatë, kontraktues me “ALBTELEKOM”. Kjo “eksperiencë” vjedhjesh dhe abuzimesh e “ALBTELEKOM” me aktivitetin në Shqipëri, ka fillesën qysh në vitin 2004, kur në pazare me bosët e pushtetit e të politikës shqiptare majtas e djathtas, bleu këtë shërbim për 120 milionë euro pa garë, duke zhvatur po me “bekimin” dhe pazaret e shtetarëve shqiptarë ndërtesat dhe pajisjet në qendër, në rrethe e fshatra. Duke përfituar faturat e pa mbledhura të vitit 2002-2004 prej konsumatorëve privatë e shtetërorë në vlerën 54 milionë dollarë. Duke zhvatur llogaritë bankare gjendje të ish-kompanisë shtetërore “ALBTELEKOM” në vlerën 11.7 milionë dollarë, 510 milionë lekë, 4.5 milionë euro etj., letrat e të cilave u zhdukën 1 javë pas blerjes.  Ky avaz vazhdon. Dje, në gazetën “Telegraf”, ka mbërritur një informacion lidhur me një përfitim gjigand të “ALBTELEKOM” nga buxheti i shtetit shqiptar, tipik vjedhje e realizuar në heshtje. Është fjala për punimet që “ALBTELEKOM” ka kryer në 7 vitet e fundit, nëpër rrugët brenda “hartës” urbane të qytetit të Tiranës, për zgjerim rrjeti kabllor nëntokësor elektrik, telefonie fikse, interneti, mobile etj. Për të instaluar shërbimet me rrjet nëntokësor, “ALBTELEKOM” ka kryer punime fizike në rrugët dhe trotuaret e Tiranës. Kjo kompani, pasi ka kryer punimet sipas interesit të biznesit të vetë në rrugët kryesore, dytësore e nëpër shesh-pushimet në blloqe banimi në territorin e të 11 njësive bashkiake të Tiranës. Por nuk ka bërë rehabilitimin e tyre, duke gërmuar, shkatërruar e ikur. “ALBTELEKOM”, pas investimeve private që ka bërë për biznesin e tij në mjediset publike të Tiranës, ka mbushur me baltë e zhavorr kanalet e hapur, ka lënë pa pllaka trotuaret e shkatërruar, ka lënë pa kapakë pikat shpërndarëse nëntokësore (pusetat), ka lënë pa kangjella trotuaret, ka lënë pirgje me baltë e pemë të prerë dhe është larguar. Kujtojmë, që Ligji Nr. 8934, datë 05. 09. 2002 “Për Mjedisin” në Nenin nr. 3, pika 31, sanksionon kështu: 31. “Parimi “Ndotësi paguan”, nënkupton koston që paguan ndotësi për përmirësimin e një mjedisi te ndotur prej tij dhe detyrimin për kthimin e tij në një gjendje te pranueshme”. Këtë gjë, ALBTELEKOM”, nuk e ka bërë asnjëherë në 1357 ndërhyrjet fizike që ka kryer në 11 vitet e aktivitetit privat në të 12 qarqet e Shqipërisë, duke shkatërruar për interes të biznesit të tij dhe duke u larguar pa hequr as mbeturinat e duke lënë pas gërmadha! Sipas ligjit, si çdo biznes tjetër privat edhe “ALBTELEKOM” duhej t’i rikthente rrugët dhe trotuaret në gjendjen që ishin pa kryer punime. Por nuk e ka zbatuar këtë detyrim ligjor, duke i krijuar buxhetit të shtetit shqiptar në dëm kolosal për rikonstruksionet e mjediseve të dëmtuara. Kujtojmë që bashkia e Tiranës, në vitet 2005-2011 e ka gjobitur  “ALBTELEKOM” në 45 raste shkatërrimesh me 51 milionë lekë, por këto gjoba nuk janë ekzekutuar, madje janë zhdukur edhe nga regjistrat e penalitetit të organeve ligjzbatuese. Gjithashtu, bashkia Tiranë në vitet 2007-2010 ka depozituar 31 kallëzime penale në prokurori për ndërhyrje të paligjshme të “ALBTELEKOM” në mjediset e Tiranës, me pasojë shkatërrimin edhe të rrjeteve të tjera të ujërave të bardha, të zeza, të ndriçimit e madje edhe të disa zonave muzeale. Por asnjë “fjalë” nuk i është thënë këtij biznes-pisnesi as nga drejtësia. Tashmë, jemi përballë një skandali të fshehur të “ALBTELEKOM”, bërë me punimet në rrugët, trotuaret dhe mjediset e gjelbra të Tiranës. Sipas informacionit të ardhur nga Bashkia Tiranë, gjatë punimeve për riparim dhe instalim rrjetesh nëntokësore, “ALBTELEKOM” ka shkatërruar gjithsej mbi 220 mijë, 571 e 239 metër katrorë bulevard, rrugë e trotuare. Ka shkatërruar edhe 11 mijë e 789 e 435 metër linear kufizues betoni trotuaresh. Ka “asgjësuar” edhe 8 mijë e 324 metër katrore shkurre dekorative. Ka shkulur e gjymtuar edhe 822 pemë dhe 1597 metër linear kangjella hekuri ndarës të rrugës me trotuaret. Për gjithë këto dëmtime të shkaktuara gjatë punimeve të kryera për interesa të biznesit të vet, “ALBTELEKOM” nuk ka paguar asnjë qindarkë rehabilitim të mjediseve të dëmtuara. Këtë rehabilitim e ka kryer bashkia, duke harxhuar 11.8 milionë euro nga financat e saj, që na fakt janë taksa të paguara prej biznesit dhe qytetarëve të Tiranës dhe financime të buxhetit të shtetit, po nga taksat e shqiptarëve. Bashkia e Tiranës, ia ka përcjell faturën e këtyre punimeve “ALBTELEKOM”, por nuk ka asnjë përgjigje. Nëse ka një mbledhje që duhet bërë urgjent prej Këshillit Bashkiak të Tiranës, duhet bërë për detyrimin e “ALBTELECOM” për kthimin e 11.8 milionë eurove që i detyrohet bashkisë për punimet rehabilituese, që bashkia u ka bërë dëmeve të shkaktuara në mjedis nga “ALBTELEKOM”. pa llogaritur koston e dëmtimeve që ka shkaktuar e ka lënë pa rehabilituar në 35 qytete të tjera të vendit e që janë një tjetër  faturë e madhe…

———————————

 “ALBTELECOM”, vjedhje dhe konkurrencë e paligjshme me 670 pajisje pirate të shërbimit “WIRELESS” në Tiranë dhe rrethe

 Nëpër rrugët dhe mjediset e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Korçës, Beratit, Fierit, Shkodrës, Vlorës etj., konstaton një abuzim tjetër me shërbimet e “ALBTELECOM”. Kjo kompani private e futur në tregun shqiptar edhe me shërbimin “internet”, ka gjetur një mënyrë të sofistikuar përfitimi me abuzim. Konkretisht, jo vetëm në qendër të Tiranës, por edhe në 11 qytetet kryesore, mbi kabinat telefonike, “ALBTELEKOM” ka instaluar edhe pajisjen e shërbimit “WIRELESS”, sidomos në zonat më të populluara me lokale barë-kafe, shkolla, qendra argëtimi ka instaluar pajisjen e shërbimit “WIRELESS” edhe në shtyllat elektrike të ndriçimit publik, mbi reklama biznesesh, ngjitur në mure rrethues vilash, në trungje pemësh, në fasada pallate e objektesh të tjerë. Janë 670 pajisje të shërbimit “WIRELESS”, të instaluara në mënyrë të paligjshme, pa licencim, pa leje, pa siguri teknike, me qëllimin për të kryer një shërbim interneti ambulator e jo fiks, të cilin ua shet konsumatorëve të zonës. Interesimit të gazetës “Telegraf”, bërë dje në zyrat e Entit Rregullator të Telekomunikacionit (ERT), iu përgjigjën se këto pajisje të vendosura prej “ALBTELEKOM” në mjediset publike të Tiranës dhe në qytete të tjerë të Shqipërisë, nuk janë të miratuar për t’u vendosur, por janë vendosur pa leje dhe kjo përbën shkelje ligji dhe vjedhje shërbimi. Këto pajisje të shërbimit “WIRELESS”, janë të ndaluara të vendosen në mjedise publike, mbasi përbëjnë cenim të konkurrencës së ndershme. “ALBTELEKOM” nuk ka asnjë të drejtë të vendos ato në mjedise publike, por brenda mjediseve të shërbimit internet, si gjithë operatorët e tjerë.

——————————————————

“ALBTELEKOM”, ka grabitur 10 mijë e 960 metër katror truall, pronë shtetërore, me kabinat telefonike

 Mos u çuditni, por kompania “ALBTELECOM”, ka futur në “historikun” e saj të biznesit në Shqipëri edhe një vjedhje tjetër skandaloze. Ajo ka zaptuar sipërfaqe trotuaresh, rrugësh kombëtare e mjedisesh rrëzë pallateve në Tiranë dhe në krejt qytetet e tjerë të vendit, madje edhe në plazhe e zonat komunale, mbi të cilët ka vendosur kabinat e shërbimit telefonik fiks. Nga investigimi ynë, rezulton se këto kabina janë ndërtuar mbi sipërfaqe trualli pronë shtetërore, pa leje, pa blerje të truallit, pa marrje me qira të tij. Ato janë vendosur në fasada muresh të shkollave, spitaleve, hyrjeve të pallateve, në trotuare, madje edhe përbri hyrjes së selisë së kryeministrisë e përballë hyrjes së Kryesisë së Kuvendit, apo në postbllokun e parlamentit e në derën kryesore të Bibliotekës Kombëtare! Sipas ligjit, vendosja e tyre në sipërfaqe dhe në mjedise publike e kulturore është e ndaluar kategorikisht. Po kështu, ndalohet kategorikisht të vendosen mbi trotuare. Por ka edhe një detyrim tjetër ligjor, që e ndalon “ALBTELEKOM” të vendos kabinat telefonike mbitokë. Sipas kontratës së blerjes, në kapitullin “Investime”, kjo kompani ka detyrimin kontratual, që gjithë rrjetin e shërbimit ta ketë nëntokësor duke mos lënë “asnjë fije teli”, apo pajisje mbi tokë.

—————————————–

Ja 35 qytete, ku “ALBTELECOM” ka lënë mjedise të shkatërruara

 1.      Berat

2.      Kukës

3.      Vlorë

4.      Tepelenë

5.      Kuçovë

6.      Poliçan

7.      Burrel

8.      Ballsh

9.      Patos

10.  Peqin

11.  Librazhd

12.  Cërrik

13.  Elbasan

14.  Maliq

15.  Devoll

16.  Shkodër

17.  Malësi e Madhe

18.  Laç

19.  Fushë-Krujë

20.  Krujë

21.  Kamzë

22.  Shijak

23.  Gjirokastër

24.  Selenicë

25.  Delvinë

26.  Himarë

27.  Lushnjë

28.  Bulqizë

29.  Urë-Vajgurore

30.  Rubik

31.  Rrëshen

32.  Klos

33.  Rrogozhinë

34.  Gramsh

35.  Ersekë

Përparim HALILI