Ja masakra me 18 pronat e sindikatave në Qarkun e Korçës

943
Vijon nga numri i kaluar
Shteti duhet të veprojë urgjent, për të zbardhur, ndalur dhe ndëshkuar masakrën e bërë me këto pasuri kombëtare që janë tjetërsuar në qejfe, llogari bankare, biznese, pallate e vila të agallarëve të sindikatave 
Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve-Korçë
Sipas regjistrit të hipotekës Korçë është transkriptuar në Nr. 15/20, datë 20.02.2001 në emër të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH). Për objektet e kampit është regjistruar e drejta e parablerjes në emër të subjektit R. Demko, për sipërfaqen 4632.8 m2, ku 666 m2 janë ndërtesë. Objektet janë marrë me qira nga Firma e Ndërtimit “KOTEKO” sh.p.k, përfaqësuar nga Th. Kote dhe R. Kote, për një periudhë deri në 31. 12. 2020. Objekti është dhënë me qira nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë. Aktualisht objekti quhet “Q. B-Hotel KRISTAL” dhe administrohet nga 2 qiramarrësit. Nuk ka as inventar, as informacion nga KSSH për pasuritë e luajtshme të ish-kampit të punëtorëve.
Salla e Lojërave-Korçë
Sipas hipotekës Korçë, rezulton se është në pronësi të BSPSH dhe KSSH. Pas verifikimit dhe inventarizimit në ish-Sallën Lojërave në Qytetin e Korçës” u konstatua: Ndërtesa funksionon pjesërisht si sallë bilardoje dhe pjesërisht është e lirë. Kjo pronë pretendohet të merret nga ish-pronarët e vjetër dhe aktualisht është në proces gjyqësor. Pasuri të luajtshme nuk u konstatuan dhe nuk ka asnjë informacion apo inventar nga BSPSH e KSSH.
Shtëpia e Kulturës-Maliq
Sipas hipotekës Korçë, konstatohet se me nr 192/9, datë 20.5.1995 është regjistruar një Akt-Marrëveshje midis BSPSH dhe KSSH, nëpërmjet të cilës kjo pronë është e ndarë midis KSSH 50% dhe BSPSH 50%. Ndërtesa ekzistuese është me 2 kate. E gjithë ndërtesa është restauruar dhe është në pronësi të Bashkisë Maliq, transferuar në bazë të Ligjit 8744, datë 22.2.2001. Nuk ka asnjë informacion ose inventar nga sindikatat për fatin e pasurive të luajtshme.
Shtëpia e Kulturës-Pojan
Sipas hipotekës Korçë objekti është shitur prej Qendrës Administrative të objekteve kulturore të sindikatave KSSH dhe është regjistruar në emër të M. Korkuti. Më tej prona është transkriptuar në Nr.185/7 dhe Nr 204/7.
Kinoklubi në Plasë
Objekti ekzistues është me dy kate. E gjithë ndërtesa është restauruar. Objekti është shitur dhe aktualisht është në pronësi të A. Belortaja dhe Dh. Triminos. Objekti është hipotekuar në emër të sipërpërmendurve me vërtetim pronësie Nr. 61/9, datë 02.06.2005. Sipërfaqja e ndërtimit është 450 m2 dhe trualli 1320 m2. Pasuri të luajtshme nuk u identifikuan dhe nuk ka as inventar as informacion nga sindikata.
Shtëpia e Pushimit të Punëtoreve-Dardhë
Nuk figuron e regjistruar në hipotekën e Korçës. Objekti është me 3 kate. Aktualisht funksionon si hotel dhe restorant. Ky objekt është dhënë me qira nga BSPSH-së dhe disponohet nga F. Rakipi. Pasuri të luajtshme të kësaj shtëpie pushimi nuk gjenden, janë zhdukur pa inventar.
Salla e Kulturës Mborje-Drenovë
Sipas hipotekës Korçë, ky objekt është shitur dhe transkriptimi i fundit është bërë në vitin 1994, në emër të V. J. Samara. Objekti nuk ekziston fare. Trualli është bosh dhe i rrethuar.
Salla e Kulturës-Vashtmi, komuna Libonik
Nuk eksiton në hipotekën e Korçës. Objekti është ndërtesë me 1 e 2 kate, i shitur për llogari të D. Dumalit. Pasuritë e luajtshme janë zhdukur dhe nuk ka procesverbal nga sindikata.
Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve-Voskopojë
Sipas hipotekës Korçë, konstatohet se ky objekt është regjistruar në vol. 8, fq. 228 zona kadastrale Voskopojë, me sipërfaqe 28 mijë e 774 m2 truall. Kjo pasuri është me ka mbivendosje në hipotekë. Me VKKP për sipërfaqen 1500 m2, BSPSH është pajisur me certifikatë pronësie. Aktualisht ekziston vetëm trualli, pasi objektet e këtij kampi janë tërësisht të rrafshuara. Sipërfaqja e këtij trualli është 28 mijë m2.
Kampi i Pionierëve-Voskopojë
Sipas hipotekës Korçë, rezulton se është ndarë në disa pasuri brenda BSPSH e janë dhënë me qira. Kontratat e qirasë janë bllokuar në datë 27. 03. 2008 me urdhër të krye-regjistruesit Korçë. Në territorin e këtij kampi gjenden 3 objekte ekzistuese me nga 2 kate, të dhëna me qira prej BSPSH, përfaqësuar nga Gëzim Kalaja për “Hotel Park Voskopoja” shpk, përfaqësuar nga A. Liço dhe A. Vrahoriti, me afat qiraje 20 vite, 2008-2028. Përveç objekteve ekzistuese, në sipërfaqen e këtij kampi janë bërë dhe ndërtime të reja (vila të vogla druri private). Nuk ekziston asnjë pajisje pasuri e luajtshme e këtij kampi, nuk ka asnjë dokument nga BSPSH.
Salla e lojërave-qyteti Ersekë
Sipas hipotekës Ersekë, ky objekt i Konfederatës së Sindikatave (KSSH) është shitur nga sindikata tek person privat, por regjistrimi në hipotekë është pezulluar si shitje e paligjshme me Urdhrin Nr. 1/21. 06. 2007 të krye-regjistruesit Ersekë. Objekti gjendet në katin e parë të një pallati 4-katësh, në qendër të të qytetit. Objekti është ndarë në tre ambiente dhe administrohet: Ambienti i parë, administrohet nga B. Çabej, funksionon si sallë bilardoje. Ambienti i dytë është kthyer në sallë lojërash fati. Ambienti i tretë është marrë me qira nga “FAF” (Shoqëria e Parë e Zhvillimit Financiar) dhënë me qira nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) e cila nuk ka inventar e as procesverbal për pasuritë e luajtshme. P.H.

( Vijon )
Sigal