Ja kush e merr mandatin e Armando Prengës në Lezhë

633
Me kërkesën e prokurorisë për heqjen e mandatit për deputetin e PS-së, Armando Prenga, loja e mandateve në qarkun Lezhë bëhet interesante.
Sipas Kodit Zgjedhor (neni 164, pika 1-3) mandati i kalon kandidatit pasues në listë. Kandidati pasues në listë është Kastriot Piroli, një zyrtar lokal në administratën e Lezhës, i cili ka qenë gjithashtu i dënuar nga gjykata me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Dënimin dhe kryerjen e të paktën dy muajve burg e ka pranuar edhe vetë kandidati rreth dy vjet më parë kur u diskutua problemi i dy mandateve të lira në listën shumë-emërore. E fundit në listën e kandidatëve të PS Lezhë është Mirela Neli, e cila bashkë me Mejreme Delishin kanë dhënë tashmë dorëheqje që prej shtatorit 2013 kur i hapën rrugë mandatit të ish deputetit tjetër të dorëhequr, Arben Noka.
Në këto rrethana, bazuar në Kodin Zgjedhor, hyn në lojë pika 4 e nenit 164, sipas të cilës “në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë”.
Pra nëse shteron lista e kandidatëve të PS Lezhë atëherë mandati i kalon partisë aleate në koalicion (më 2013) me herësin më të lartë. Referuar të dhënave të KQZ partia tjetër me herësin më të lartë është LSI me 2940 vota, ndjekur nga PSD me 1017 vota. Për pasojë, mandati i lirë pritet ti kalojë kandidatit të dytë të listës shumë-emërore të LSI Lezhë, ish deputetit të Partisë Agrare rreth një dekadë më parë, Petrit Gjoni.
Nëse një ish deputet i PD, tashmë “i pavarur” përfshihet në procesin e largimeve zëvendësimi tek lista e PD do ishe më e thjeshtë.
Teorikisht mund të ndodhë që PS të konsumojë edhe “kohën shtesë”, kalimin e mandatit tek personi i dënuar, i cili ka kohë dy muaj të provohet nëse ka qenë i dënuar apo jo, aq sa është edhe mandati real kohor i këtij parlamenti.
Nëse PS aplikon këtë praktikë, kosto publike do të jetë e madhe dhe me siguri, premtimi për dekriminalizimin do të marrë një goditje tjetër. Nëse mandati kalon tek LSI, më shumë se një emër dhe një votë, debat do të shkarkojë parimi, sipas të cilit, për herë të parë në historinë 27 vjeçare të zgjedhjeve, mandati i një partie i kalon partisë tjetër politike. Siç, për të njëjtën arsye për herë të parë dhe të vetme në historinë e zgjedhjeve demokratike në Evropë, pati vetëm një kandidat në garë… , në zgjedhjet e fundit në Bashkinë e Kurbinit..!!
A ka sens që kjo të ndodhë? A kishte sens që në lista të kishte të inkriminuar? A ka sens fakti që prokuroria po investohet vetëm në 4-5 muajt e fundit të parlamentit dhe të mandatit 4 vjeçar kur dosjet dhe të dhënat i ka pasur atyre prej ditës së parë? Përse askush nuk mban përgjegjësi dhe nuk kërkon, të paktën, ndjesë publike?
Si është e mundur që Lezha të shndërrohet simbol negativ, në një kohë që të “zgjedhurit” nuk janë produkt i Lezhës por i njohjeve personave të liderëve politikë në Lezhë? A do kemi situatë të njëjtë me 18 qershor?
Shenjat janë e mbeten pesimiste, në një vend ku të përjashtuarit dhe ata me CV problematike vijojnë të kenë mbështetje të fuqishme partiake dhe imunitet mbrojtjes nga shefat e tyre politikë.
ISP do vijojë ta monitorojë këtë proces nga afër, i mbështetur nga fondacioni gjerman Konrad Adenauer, me qëllimin që dekriminalizimi të bëhet sa më funksional, që partitë të mbajnë premtimet e dhëna përpara bashkësisë ndërkombëtare, që legjislacioni e kushtetuta të gjejnë zbatim dhe së pari, që deputetët e rinj, në mos më të mençur dhe më të aftë, të paktën të mos i kemi individë me probleme kriminalizimi në karrierën e tyre promovuese në shtet dhe politikë.
‘Ky shkrim u hodh ne facebook me 16 shkurt 2017
Sigal