Ja kush e çeli sezonin turistik në Pogradec

596
Bardhyl BERBERI
“Varfëria, thotë njëri prej tyre, ku nuk të çon!” Ata, jo vetëm lypin, por kanë ngelur dhe analfabetë që i shtohen çdo ditë fatkeqësisht kësaj “ushtrie”.
Në verë, Pogradecit i dyfishohet popullsia nga pushuesit e shumtë të huaj dhe vendas, që vijnë për të pushuar. Njëkohësisht, ky mbipopullim me pushues, sjell një numër të madh lypësish. Por ka disa ditë që lypësit kanë pushtuar qytetin turistik dhe të thonë me qesëndi: “Ja po e çelim ne sezonin turistik”. Ata kanë pushtuar qytetin turistik, madje po u bëhen si ferrë nëpër këmbë njerëzve, deri sa iu shkëputin ndonjë monedhë. Ata i has kudo, nëpër shëtitore, tek pikat kyçe të qytetit, në parkun e madh, në kafe, bare dhe restorante, i ndesh madje edhe nëpër korridore institucionesh, ku hapin dyert e zyrave, si pa të keq dhe kërkojnë lëmoshë.

Madje i ndesh nëpër pavijone spitali dhe në hyrje të varrezave të qytetit, në pikat turistike të Drilonit dhe gjetkë. Lypësit janë kudo. Ata kanë pushtuar Pogradecin. Gjahu i majmë i tyre ngelen autobusët e turistëve të huaj. Shpesh herë i sheh që grinden për zonat që mbulojnë nëpër kënde të ndryshme të qytetit. Por lypësit janë të gjitha moshave nga më të moshuarit; burra dhe gra, deri tek fëmijë të vegjël, romë nga 6 vjeç e deri në 16 vjeç. Por, ka dhe lypsa të moshuar, madje një pjesë prej tyre muzikantë shëtitës, të cilët interpretojnë pjesë muzikore përgjatë shëtitores së liqenit.

Dikush bën biznes me lypësit 
Në krye të rrugës “Rinia” ishin dy lypsa të vegjël, të cilët që nga dialekti që flisnin, dukeshin që nuk ishin pogradecarë. Njëri prej tyre ishte 11 vjeç, quhej Tani, ndërsa tjetri 13 vjeç dhe quhej Ilir. Të dy thanë që janë nga Elbasani dhe vijnë me “profesorin” e tyre. Ai i sjell me furgon nga Elbasani. Vishen të gjithë me bluza sporti dhe profesori iu thotë, se nëse i pyet ndonjë polic rrugës kur ndalon furgoni, gjatë ndonjë kontrolli, thoni se jemi klasë sportive dhe shkojmë që të luajmë futboll në Pogradec. Por, sapo mbërrijnë në Pogradec, ata veshin rrobat e tyre zhele-zhele. Madje, ndonjëri fashon krahun për keqardhje. Ata punojnë gjatë gjithë ditës, deri në orët e vona të natës, kur nisen në drejtim të qytetit të tyre. “Profesori”, siç e quajnë lypësit, iu jep në drekë nga një hamburger, ndërsa kur shkojnë për në shtëpi, nga një 200 lekë të reja. Kur i pyet lypësit, të thonë se mesatarisht fiton secili nga 20 mijë lekë të vjetra në ditë. Dje, thotë Renato, erdhën turistë gjermanë dhe mua më dha një grua e shëndoshë 20 euro. Avdiu thotë, se ai turisti që i kishte kërkuar lëmoshë i kishte dhënë vetëm 5 euro, këto ishin prej autobusit, ndërsa gjatë ditës, ne fitojmë lekë të tjera. Ata i qëndrojnë besnikë profesorit, nuk na japin emrin e tij, madje nuk pranojnë as të dalin në fotografi.

Të ardhurit
Por, përveç lypësve të vegjël që vijnë të organizuar nga Elbasani, ka dhe lypsa të tjerë. Tasim Minaj është nga Elbasani dhe thotë, që ka mbi 20 vjet që lyp në Pogradec. “Fitoj mirë, thotë ai, rreth 20 mijë lekë të vjetra në ditë, madje ai thotë, se iu del përveç ushqimit të mirë, edhe ndonjë birrë në darkë. Për të fjetur fle jashtë në park. Kur bie shi, vihemi në siklet, pasi shkojmë tek ndonjë pallat në ndërtim e sipër.” Por, lypësit vendas janë të mërzitur në verë, se siç thonë ata, po na i marrin tregun lypësit jabanxhinj. Ama, ka dhe lypës të tjerë. Janë shumë orkestrantë nga rrethe të tjera, që shëtitin nëpër rrugë dhe parqe, duke ekzekutuar pjesë të ndryshme orkestrale dhe njëkohësisht këndojnë këngë të njohura.

Lypës përtej kufirit 
Genua, një lypës pogradecar më tha se. po na i marrin punën këta jabanxhinjtë që vijnë nga Korça dhe Elbasani… Kështu që ne shkojmë në Ohër apo Strugë për të lypur madje ka shumë lypsa që shkojnë deri në Selanik dhe Kostur apo Follorinë për të lypur. Ata i marrin prindërit e tyre që bëjnë punë sezonale ndërsa fëmijët i lëshojnë për të lypur. Varfëria, thotë njëri prej tyre, ku nuk të çon! Ata, jo vetëm lypin, por kanë ngelur dhe analfabetë që i shtohen çdo ditë fatkeqësisht kësaj “ ushtrie. Ismail Shuli për gazetën “Telegarf “ thotë se ka shtatë fëmijë të gjithë lypës dhe analfabetë “ndërkohë që si unë dhe bashkëshortja ime kemi mbaruar arsimin tetëvjeçar. Nuk e kuptoj se ku po shkojmë …” 
Sigal