Ja kriteret për të përfituar statusin e special të “Hoteleve me 4 ose 5 yje”

780
Vendimi i Qeverisë/ Mbi përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe të dokumentacionit për subjektet që aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”
Objekti i vendimit të ri të Këshillit të Ministrave u bë me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, në të cilin është saktësuar përcaktimi i kritereve, i procedurave dhe i dokumentacionit që duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, strukturës që do të merret me shqyrtimin e aplikimeve si dhe i procedurës që do të ndiqet deri në paraqitjen e propozimit në mbledhjen e qeverisë. Çdo aplikues, krahas kushteve të përcaktuara në nenin 33/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, duhet të plotësojë edhe disa kritere të tjera për kualifikim.
1 – Kriteret e përgjithshme të kualifikimit që duhet të plotësohen nga aplikuesi janë, si më poshtë vijon:
a) Të investojë në ndërtimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, siç janë të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi dhe struktura e ndërtuar të certifikohet si e tillë nga struktura përgjegjëse, sipas nenit 45, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar.

b) Të ketë lidhur kontratë të vlefshme gjatë gjithë kohëzgjatjes së statusit, me një operator menaxhues të strukturave akomoduese me 4 ose 5 yje, status special, i cili plotëson kriteret e mëposhtme ose, në rastin kur aplikuesi do të menaxhojë vetë këto struktura, ai duhet të paraqesë dokumentacionin që vërteton plotësimin e këtyre kritereve:
i- Nëse aplikon për statusin special për 4 yje, të ketë investuar në ndërtimin dhe/ose menaxhon të paktën 5 (pesë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 4 dhe/ose 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese dhe nëse aplikon për statusin special për 5 yje të ketë ndërtuar dhe/ose menaxhon të paktën 5 (pesë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese;

ii- Këto struktura akomoduese janë në pronësinë direkte të aplikuesit dhe/ose operatorit menaxhues ose administrohen nga ata nëpërmjet kontratave të menaxhimit, të qirasë, të kontratave frachising apo të ngjashme me to; si dhe

iii- Strukturat akomoduese ndodhen në të paktën 3 vende të Bashkimit Evropian; apo 

iv- Në rastet kur strukturat akomoduese nuk ndodhen në të paktën 3 vende të Bashkimit Evropian, atëherë aplikuesi duhet të ketë investuar në ndërtimin dhe/ose menaxhon të paktën 8 (tetë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 4 apo 5 yje (sipas rastit) nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese, të cilat ndodhen në destinacione ndërkombëtare të turizimit.
c) Të mos ketë qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale të kryera me dashje.
ç) Të ketë përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni vendas/i huaj për taksat dhe tatimet.
d) Të ushtrojë veprimtarinë sipas legjislacionit në fuqi vendas/i huaj dhe të mos jetë objekt i procedurave të falimentimit dhe/ose likuidimit, apo i ndonjë procedure tjetër të ngjashme, e cila mund të cenojë ndërtimin dhe/ose operimin e strukturës akomoduese.
2. Kriteret e veçanta ekonomike dhe financiare të kualifikimit që duhet të plotësohen nga aplikuesi janë, si më poshtë:
a) Vlera e parashikuar e investimit është të paktën 8 000 000 (tetë milionë) euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe të paktën 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje;
b) Të ketë pasur xhiro të paktën 40% të vlerës së investimit në 3 (tri) vitet financiare të fundit të marra së bashku.
3. Në rast se aplikuesi është një SPV, atëherë do të duhet që të gjitha kriteret e kualifikimit të përcaktuara në këtë kre/pikë të plotësohen nga kompania mëmë. Në këtë rast, kompania mëmë është përgjegjëse solidare me detyrimet kontraktuale të SPV-së që rrjedhin nga statusi special.
4. Në rast se aplikuesi është një Joint Venture ose Consortium, atëherë të gjitha kriteret e kualifikimit të dhëna në këtë kre/pikë duhet të plotësohen nga të gjitha kompanitë e Joint Venture ose Consortium-it së bashku. Në këtë rast, të gjitha kompanitë pjesë e Joint Venture ose Consortium-it janë së bashku përgjegjëse në mënyrë solidare me detyrimet kontraktuale të Joint Venture ose Consortium-it, të cilat rrjedhin nga statusi special.
III. PROCEDURAT QË NDIQEN PËR DHËNIEN E STATUSIT “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 4 OSE 5 YJE, STATUS SPECIAL”
1. Çdo subjekt, që aplikon për marrjen e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, duhet të ndjekë procedurat dhe të plotësojë dokumentet dhe kriteret që përcaktohen në këtë vendim.
2. Me paraqitjen e aplikimit, subjekti duhet të paguajë tarifën e aplikimit, si më poshtë vijon:
a) Aplikuesit që aplikojnë për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 4 yje, status special, duhet t’i paguajnë autoritetit tarifën e aplikimit prej 200 000 (dyqind mijë) lekësh.

b) Aplikuesit që aplikojnë për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special, duhet t’i paguajnë autoritetit tarifën e aplikimit prej 300 000 (treqind mijë) lekësh.

c) Tarifa e aplikimit paguhet në llogarinë bankare të autoritetit, siç përcaktohet në dokumentet për paraqitjen e aplikimit. Tarifa e aplikimit që është paguar nuk kthehet.
3. Autoriteti është përgjegjës për pritjen e aplikimit, shqyrtimin e tij si dhe ndjekjen e të gjitha procedurave të përcaktuara në këtë vendim për propozimin e statusit.
4. Vlerësimi i aplikimit për dhënien e statusit bëhet nga Komisioni, në ministrinë përgjegjëse për turizmin.
5. Komisioni është përgjegjës për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për pritjen e aplikimeve, përfshirë por pa u kufizuar, në përgatitjen e dokumenteve që detajojnë kërkesat dhe kriteret kualifikuese për aplikuesit, komunikimet dhe njoftimet me aplikuesit, shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimeve, si dhe çdo veprim tjetër të nevojshëm, deri në lidhjen e marrëveshjes së zhvillimit ndërmjet autoritetit dhe aplikuesit të suksesshëm.
6. Komisioni përbëhet nga 7 (shtatë) anëtarë, përfaqësues të strukturave përkatëse në ministrinë përgjegjëse për turizmin ose institucione në varësi të saj dhe asistohet nga sekretariati teknik. 
7. Nuk mund të marrin pjesë në këtë komision personat që kanë konflikt interesi me aplikuesit, sipas kuptimit të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar.
8. Anëtarët e komisionit kanë detyrimin të ruajnë konfidencialitetin e përmbajtjes së aplikimeve.
9. Mbledhjet e komisionit zhvillohen sa herë që ka të paktën një aplikim, dhe komisioni mblidhet brenda 10 (dhjetë) ditëve nga dita e paraqitjes së këtij aplikimi.
10. Komisioni merr vendime me shumicë të thjeshtë (50+1) dhe në mbledhjet e tij duhet të marrin pjesë të paktën 5 (pesë) anëtarë. Në rast të ndarjes në mënyrë të barabartë të votave, vota e kryetarit të komisionit merr vlerë përcaktuese. Votimet bëhen të hapura dhe abstenimi nuk lejohet.
IV. APLIKUESIT, ELEMENTET PËRBËRËSE DHE DOKUMENTACIONI PËR APLIKIMIN
Çdo investitor, shqiptar ose i huaj, që kërkon të aplikojë për marrjen e statusit, “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, ka të drejtë që të aplikojë për të përftuar njërin nga këta dy statuse. Aplikimi përbëhet nga tërësia e dokumenteve të përcaktuara si dhe dokumente të tjera që kërkohen nga komisioni, nëpërmjet të cilave vërtetohet plotësimi i kushteve dhe i kritereve të përcaktuara në këtë vendim. Dokumentacioni i aplikimit depozitohet pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin në gjuhën shqipe ose/apo në gjuhë të huaj. Dokumentet që disponohen në gjuhë të huaj duhet të paraqiten të shoqëruara me përkthimin në gjuhën shqipe të noterizuar dhe duhet të jetë origjinal ose kopje e noterizuar e tij dhe çdo dokument duhet të përmbajë nënshkrimin e personit/personave të autorizuar që paraqesin aplikimin.Këto dokumente përbëhen nga:
a) të dhënat bazë që kërkohen në lidhje me aplikimin;
b) kërkesat e kritereve të përgjithshme për kualifikim;
c) kërkesat e kritereve të veçanta ekonomike dhe financiare për kualifikim;
ç) formularët, si më poshtë vijon:
i. Formulari i aplikimit;
ii. Formulari i njoftimit të pranimit të aplikimit;
iii. Formulari i refuzimit të aplikimit;
iv. Formulari i ankesës;
v. Formulari i sigurimit të marrëveshjes;
vi. Formulari i kryerjes së pagesë së tarifës.
6. Subjektet që aplikojnë për marrjen e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, duhet të dorëzojnë pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin informacion të përmbledhur lidhur me:
Të dhënat e subjektit aplikues dhe të kontakteve të tij; përmbledhjen ekzekutive në lidhje me veprimtarinë e aplikuesit; jetëshkrimin e drejtuesve dhe të stafit të kualifikuar, të cilët do të menaxhojnë strukturën akomoduese; propozimin e projektit teknik në lidhje me strukturën akomoduese, që duhet të përmbajë, të paktën: projekt-idenë; projektin arkitekturor; të dhëna për standardin turistik që do të zbatohet; për cilësinë e infrastrukturës dhe vlerat e investimit; planin e zbatimit, planin operacional dhe metodat për funksionimin dhe mirëmbajtjen e investimit; grafikun, fazat dhe afatet e realizimit të investimit; dhe të dhëna në lidhje me të drejtën e pronësisë mbi pronën ku parashikohet ndërtimi i strukturës akomoduese me 4 ose 5 yje status special, apo të drejtën e përdorimit të pronës përgjatë gjithë kohëzgjatjes së statusit (kontratë shitblerjeje, dhurimi, shkëmbimi, qiraje, enfiteoze, huapërdorjeje apo të tjera si këto).
7. Subjekti aplikues, së bashku me informacionin përmbledhës, duhet të dorëzojë dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Dokumentacionin që vërteton plotësimin e të gjitha kritereve të kualifikimit, të përcaktuara në pikat 2.1. dhe 2.2., të kreut II, të këtij vendimi;
b) Vërtetimet se aplikuesi është i regjistruar sipas ligjeve në fuqi dhe se ai nuk është objekt i ndonjë procedure falimentimi dhe/ose likuidimi, apo ndonjë procedure tjetër të ngjashme, e cila mund të cenojë ndërtimin dhe/ose operimin e strukturës akomoduese; 
c) Vërtetimet se aplikuesi nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për vepra penale që lidhen me veprimtarinë profesionale.
ç) Vërtetimet se aplikuesi ka përmbushur detyrimet në lidhje me pagesat e taksave dhe të tatimeve;
d) Vërtetimet se aplikuesi ka përmbushur detyrimet për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore;
dh) Deklaratën e aplikuesit, me anë të së cilës merr përsipër dhe garanton vërtetësinë e të dhënave dhe të dokumenteve të paraqitura në aplikim, nuk ka pengesë ligjore për të ushtruar veprimtarinë, si dhe njeh e pranon kriteret dhe detyrimet lidhur me aplikimin për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”;
e) Autorizimin me shkrim nga ana e aplikuesit, me të cilin komisioni, autoriteti apo çdo person a entitet i caktuar prej tyre, autorizohen për të kryer të gjitha verifikimet e nevojshme të të dhënave të paraqitura në materialet e aplikimit;
ë) Vërtetimin e pagesës së tarifës së aplikimit; 
VI. PROPOZIMI PËR DHËNIEN E STATUSIT “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE 4 OSE 5 YJE, STATUS SPECIAL”
Ministri përgjegjës për turizmin shqyrton raportin përmbledhës të komisionit dhe nëse është dakord me vendimmarrjen e komisionit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, i propozon Këshillit të Ministrave dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese 4 ose 5 yje, status special” aplikuesit. Në rast se komisioni vendos për mosvijimin e procedurave të propozimit për dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese 4 ose 5 yje, status special”, ministri përgjegjës për turizmin refuzon vijimin e procedurave dhe njofton aplikuesin mbi arsyet e kësaj vendimmarrjeje. Kundër vendimit të ministrit përgjegjës për turizmin mund të bëhet ankim në gjykatë. Paraqitja dhe shqyrtimi i ankimeve bëhet sipas rregullave dhe afateve të parashikuara në ligj për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative.
VII. Marrëveshja e zhvillimit me investitorin
1. Pas dhënies së statusit nga Këshilli i Ministrave (hyrjes në fuqi të vendimit përkatës), aplikuesi njoftohet autoriteti kontraktues që brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit të nënshkruajë marrëveshjen e zhvillimit me autoritetin. 
2. Marrëveshja që do të nënshkruhet duhet, detyrimisht, të përmbajë, si më poshtë vijon:
a) Objektin e marrëveshjes dhe statusin e akorduar investitorit;
b) Vlerën e projektit;
c) Kohëzgjatjen e marrëveshjes dhe afatet e realizimit të projektit;
ç) Asistencën që mund të japë autoriteti për marrjen e licencave dhe të lejeve të nevojshme;
d) Detyrimet e ndërsjella të palëve;
dh) Ndalimet e tjetërsimit të pronësisë së strukturave të ndërtuara apo të pjesëve të tyre;
e) Të drejtën e autoritetit ose të çdo autoriteti tjetër publik të ngarkuar nga legjislacioni në fuqi për të monitoruar ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 ose 5 yje, status special dhe operimin e saj;
ë) Të drejtën për shtyrjen e afatit apo zgjidhjen e marrëveshjes;
f) Pasojat nga mosrespektimi i detyrimeve të ndërsjella, përfshirë heqjen e avantazheve si pasojë e shfuqizimit të statusit; si dhe
g) Ligjin e zbatueshëm, mekanizmat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe gjykatën kompetente.
3- Në rast se investitori nuk nënshkruan marrëveshjen me autoritetin, brenda afatit 30 (tridhjetë)-ditor nga data e njoftimit sipas pikës 1, të këtij kreu, procedura e humbet vlefshmërinë.
4. Përpara nënshkrimit të marrëveshjes, investitori duhet të bëjë sigurimin e marrëveshjes e cila përfundon pas përfundimit të kohëzgjatjes së rregullt të marrëveshjes.
Sigurimi i marrëveshjes bëhet, si më poshtë vijon:
a) Për hotelet me 4 yje 10% e vlerës 8 milionë euro (800 mijë euro); dhe 
b) Për hotelet me 5 yje 10 % e vlerës 15 milionë euro (1.5 milionë euro).
5. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, në Buletinin e Njoftimeve Publike publikohet njoftimi për lidhjen e saj. Marrëveshja është e vlefshme për një periudhë kohore 10 (dhjetë) vjeçare dhe nuk mund të tjetërsohet nga titullari i saj te një subjekt tjetër.
8. Marrëveshja zgjidhet menjëherë, në rastet kur autoriteti dhe/ose institucionet e ngarkuara nga ai për monitorimin e marrëveshjes konstatojnë se:
a) investitori falimenton ose ka kaluar në procedurë likuidimi;
b) në përfundimin e punimeve të strukturës akomoduese, autoriteti kontraktues verifikon që ato nuk përmbushin kriteret dhe kushtet e duhura për statusin special me (4 ose 5) yje;

c) marrëveshjes i ka përfunduar afati i vlefshmërisë;
ç) investitori në shkelje të marrëveshjes e transferon marrëveshjen te një subjekt tjetër;
d) janë paraqitur të dhëna të rreme apo dokumente të falsifikuara në lidhje me kërkesat dhe dokumentacionin e nevojshëm për marrjen e statusit, të cilat provohen në çdo kohë;

dh) kushtet për të cilat investitori e ka përfituar statusin nuk qëndrojnë më dhe ai nuk ka marrë masat për t’u rikthyer në ato kushte apo kushte të ngjashme të pranueshme për autoritetin brenda 6 (gjashtë) muajve nga njoftimi i këtij të fundit; si dhe

e) investitori braktis ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 ose 5 yje, status special apo në rast se investitori braktis veprimtarinë turistike që zhvillon tek kjo strukturë akomoduese, sipas përcaktimeve të bëra në marrëveshje.
Sigal