Ja e vërteta e përçarjes së ushtarakëve dhe mungesës së SHKURSH

999
Zyhdi Kroi: Ushtarakët në lirim nuk gjejnë gjuhën e përbashkët. Të ndarë në dy kampe akuzojnë njëri-tjetrin për shkatërrim të vlerave dhe integritetit të tyre
Po të drejtohem në emër. Keni shkruar dhe hedhur akuza kundër personit tim në media pa asnjë të drejtë. Më keni konsideruar, si mua dhe kryetarin e SHKURSH, Thoma Kondurin, kundërshtarë të vetmuar të bashkimit të ushtarakëve. Keni përmendur pa kursim emrat: Zydiu dhe Thomai. Unë nuk e di qëndrimin e tij, por jam i detyruar t’u përgjigjem shpifjeve tuaja me të njëjtën gjuhë. Po filloj nga fundi: 

Që autori i shkrimit qenka zv/president i Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve dhe kryetar i Shoqatës së Ushtarakëve të Tiranës. Me sa duket, ju qëndroni në dy karrige, sepse bëhet fjalë për dy shoqata me emërtime të ndryshme. Prandaj replikën po e bëj me ju. Po ju citoj TELLALL, sepse i tillë është roli që keni marrë përsipër në shërbim të padronëve tuaj. Unë në opinionet e shfaqura në shtyp, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve nuk kam përmendur emra, pra më lind e drejta t’iu përgjigjem me të njëjtën monedhë, sepse i gjithë përshkrimi juaj i ngjan thirrjeve të tellallit që i përcjell opinionit pazaret e padronit. Në shkrimin në fjalë pretendoni të na jepni “përgjigje koncize, por jo shteruese”. Gaboni rëndë me ato që i quani përgjigje, sepse në të vërtetë, ju shpifni e mashtroni me fjalorin e një rrugaçi që ju dhe soji juaj iu servirni kolegëve që kanë punuar një jetë me ju dhe ata që u frymëzojnë. Unë Zyhdi Kroi me grupin nismëtar në 1996, në një situatë të tensionuar politike, tre ditë para zgjedhjeve të turpshme të 26 majit. Në muzeun Kombëtar mblodhëm përfaqësuesit e 32 rretheve nga 36 të tillë, në Konferencën e Ushtarakëve në rezervë të Shqipërisë (SHKURSH), prezantuam programin, statutin dhe zgjodhëm organet drejtuese të saj, ndërsa ju rrinit skutave të frikësuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Juve nuk e njihnit historinë ë bashkimit të ushtarakëve të liruar, por pyetni ata që keni rrotull jush se kanë qenë pjesëmarrës në konferencë, madje disa prej tyre janë zgjedhur edhe në organet drejtuese të shoqatës. Ne arritëm të ngremë e bashkojmë rreth 13 mijë ushtarak të liruar në një shoqatë të vetme. Është absurde dhe mashtrim i njerëzve të sojit tuaj që me shkrimin tuaj na akuzojnë neve sikur e kemi përçarë krijesën (shoqatën) tonë që e ngritëm me shumë mundim e sakrifica e me përkrahjen e fuqishme të kolegëve, i ngritëm mijëra ushtarak, jo vetëm brenda Shqipërisë, por krijuam degë në Athinë e SHBA me kolegët tanë emigrant. Prandaj po ju përgjigjem hapur e troç se përçarës të vërtetë të ushtarakëve të liruar të integruar në SHKURSH janë mendjet e trullosura si ju dhe ata që janë rreth jush. Kujtoj që disa prej tyre mbi dhjetë vjet kanë qenë të zgjedhur në organet drejtuese të shoqatës. Atyre u mungoi guximi e kurajua, por edhe vizioni për të përcaktuar pakënaqësitë dhe propozimet, për t’i korrigjuar ato. Ndaj fantazma që po krijoni me të pakënaqurit nuk mund të ngrihet në nivelin e një shoqate dhe aq më tepër që ju keni frymëzim politik, por edhe këtë djallëzi tuajën kolegët e kanë nuhatur. Ju zoti Tellalli na quani (Zyhdiu e Thomai) kundërshtarë të vetmuar të bashkimit tuaj imagjinar, por harroni apo nuk doni ta pranoni se veç Zyhdiut e Thomait (SHKURSH), janë edhe tre shoqata të tjera: Skënderbegasi, ajo e Forcave Ajrore dhe e Forcave Detare. Pra të katërta këto shoqata kanë mbi 20 vjet aktivitet dhe në të janë të anëtarësuar thuajse të gjithë ushtarakët e liruar. Juve keni frikë t’u thoni njerëzve përgjigjet që u kanë dhënë kryetarët e nderuar të tyre dhe si e braktisën takimin me ju. Na përmendni sikur keni në rrethin tuaj shumë shoqata, por edhe SHKURSH i ka seksione sipas armëve e shërbimeve, por nuk i reklamojmë si gjoja shoqata. E thënë qartë e troç , ju na thoni lëreni shtëpinë e madhe 21 vjeçare dhe hajdeni strehohuni në koliben tonë që nuk ka themele e çati. Zoti Hysni, ju merakoseni për mendjet tona të trazuara, por ju kujtojmë se këto mendje që ju i quani të trazuara, në korrik të vitit 1992 iniciuan krijimin e një shoqate me ushtarakë të liruar pa asnjë mbështetje politike. Pyetni kolonelët Ismet Vorfi , Llukan Garo, Novruz Sako etj, që pushteti i Berishës që ju i shërbeni ende, përveç kontrollit të banesave e thirrjes në zyrat e policisë, të ndjerin Ylber Dhrami e dënuan me 15 ditë burg. Po ky regjim 36 oficerëve u hoqi titullin dhe gradat ushtarake, e midis tyre përmend gjeneralët e shquar Qazim Kapisyzi, Muharrem Kokomani, Dilaver Poçi, Maliq Sadushi etj. Ne i kemi pasur anëtarë të shoqatës nga fillimi e në vazhdim, sepse ata mbartin vlerat më të pasura të LANÇ e të ushtrisë shqiptare. Është kjo arsyeja që me qindra anëtar të SHKURSH, janë edhe pasardhës të veteranëve. Mbase e keni harruar por po ua sjell në kujtesë, se kur ushtarakët e liruar dilnin në protesta të vazhdueshme për të drejtat e tyre ekonomike (vetëm në vitet 1998-2000 kemi bërë 23 të tilla), e kur policia na shpërndau dhunshëm, madje unë (Zyhdiu) me zëvendësin tim (Bari Zani), u dënuam me 18 muaj heqje lirie, ju dhe ata që ju frymëzojnë nuk u kujtuat të paktën të solidarizoheshit me ne. Por u gënjeu mendja, o të mjerë sikur Berisha e kishte inatin me ushtarakët e liruar e, siç duket, të njëjtin fat pësuat edhe ju. Ju zoti Hysni i ktheheni disa herë teorisë së bashkimit, madje përmendni tentativën e vitit 2011, kur unë dhe ju përgatitëm një platformë bashkimi. Ju thoni se Zyhdiu ka qenë dakord. Po, kam qenë dakord dhe jam dakord, por kur unë theksova që në material të thuhej, se anëtarët e AKUSH të bashkohen në shoqatën SHKURSH, të afrohen zgjedhjet, garoni dhe kush të fitojë ta marrë drejtimin e SHKURSH, ju këtë paragraf, me pretekstin se do na prishë punë e zëvendësuat me: “modalitetet e bashkimit të përcaktohen gjatë bisedimeve dypalëshe”. Mendja juaj e sëmurë sajon çudira, sikur SHKURSH e ka postuar tërësisht Zyhdiun. Përsëri ju them se mashtroni hapur, sepse unë kam një titull honorifik që më jep të drejtë të marrë pjesë në të gjithë mbledhjet e organeve drejtuese të shoqatës dhe ashtu kam bërë, më vlerësojnë dhe respektojnë maksimalisht për kontributin e dhënë që nga krijimi i shoqatës, anëtarësimi në CIOR e në vazhdim. Ju dhe soji juaj pretendoni, se po krijoni Federatën Mbarëkombëtare të Ushtarakëve Shqiptarë. Kjo është marrëzia e radhës nga ana juaj, pjellë e megalomanisë që ju karakterizon, sepse nuk i dini kuptimin këtij togfjalëshi, prandaj uleni hundën, konsultohuni me një gjuhëtar për të mësuar përmbajtjen e saj. Në vazhdim thoni se unë jam bërë zëdhënës i Thomait. Sa poshtë keni rënë, Zyhdiu është vetëm zëdhënës i vetes dhe askujt tjetër, ruan karakterin dhe integritetin që kam pasur tiparin dallues gjatë gjithë karrierës, nuk shitet! Unë e ju zoti Hysni ndryshojmë rrënjësisht në shumë drejtime, në formim, karrierë, karakter, integritet. Unë kurrë nuk kam bërë kompromise në dëm të interesave të ushtarakëve. Pra, unë nuk veproj ashtu si ju. Ne nuk jemi kundërshtarë të vetmuar, por jemi pjesë e mijëra ushtarakëve që refuzuan t’i bashkohet stanit tuaj. Prandaj ajo që keni sajuar, sido që t’ia vini emrin, dështoi që në fillim. Pompoziteti tuaj i shtuat sharje, fyerje e, madje na quajtët agjentë. A thua se jemi ne fajtor të dështimeve tuaja të njëpasnjëshme. Thomai dhe Zyhdiu i kanë argumentuar kundërshtitë, por ju nuk i lexoni ose nuk i pranoni. Ndërsa termi “mëkatar” ju shkon për shtat ju dhe sojit tuaj, për të larë mëkatin që na atribuoni ne. Po ju kujtoj se ato pensione të parakohshme dhe suplementare që i merrni janë fryt i iniciativës të SHKURSH dhe kontributit personal të Zyhdiut, si anëtar i dy grupeve të punës që hartuan dy ligje themelore që mbrojnë ushtarakët dhe interesat e tyre ekonomike. Nuk presim mirënjohje nga ju për të larë “mëkatin”. Po përmendim dhe dy betejat e fituara në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa AKUSHI juaj i drejtoi kësaj gjykate një paçavure për aktin normativ dhe ajo me të drejtë e rrëzoi atë. 

Paturpësia juaj vazhdon më tej. SHKURSH edhe pa qenë pjesë e fantazisë tuaj, ju i bëni agjendën e punës të drejtuesve të saj, na këshilloni ku të shkojmë, çfarë të bisedojmë. Pse ju zvarranikë bëheni xhelozë e nxirrni vrer kur shoqata jonë promovon botimet e veta brenda dhe jashtë Shqipërisë. SHKURSH ka emrin e vet, imazhin dhe shumë arritje, pra ka një histori të suksesshme dhe këtë e kemi materializuar në dy botime të veçanta. 
Kolonel (P) Zyhdi Kroi
President Nderi i SHKURSH
Sigal