Ja 18 abuzimet me garën për librin shkollor, që “PEGI” i ministres Nikolla të fitonte mbi 50% të titujve

597
Skandalet me librin shkollor 2015-2016, nuk qëndrojnë vetëm në faktin e krijimit të një shtëpie botuese monopol, me të drejtën e dhënies së hartimit, përfaqësimit, prodhimit, shpërndarjes dhe shtypjes së mbi 50% të titujve të librave shkollorë, siç ka ndodhur faktikisht me shtëpinë botuese “Pegi”, klienten e preferuar të ministres Nikolla për titujt e librave të vitit mësimor 2015-2016. Përveç këtij skandali monopolist të librit shkollor, që fatkeqësisht sa shpëtoi nga “kthetrat” e ish-këshilltarit të ish-kryeministrit në detyrë deri më 9 shtator 2013, u fut në “kthetrat” e një shtëpie botuese tjetër që ka si pronarë një të përkëdhelur të ministres Nikolla. Siç dihet, “industria” e librit shkollor në Shqipëri është një biznes i lakmuar dhe u “gjuajtur”” nga shumë shtëpi botuese, por që historikisht në këto 23 vite ka përfunduar në duart e atyre që janë të afërm e ortakë të ministrave të arsimit, ose krerëve të lartë të shtetit. shkollore.
Skandali me urdhrin për futjen në veprim të distributorit, që të favorizohej “Pegi” i ministres
Skenari që edhe librat shkollorë të vitit mësimor 2015-2016, të bëheshin “gjah” i shtëpisë botuese “Pegi”, klientes së ministres së Arsimit ka një hile, të futur në mënyrë antiligjore dhe me “mjeshtëri”, nga ata që e kanë hartuar udhëzimin enkas për të abuzuar. Në Udhëzimin 11/1, datë 15. 04. 2015, Prot. 2986/1, futet në funksion “distributori”. Në pikën 1, të paragrafit II- të këtij udhëzimi me titull: “Pjesëmarrja në konkurs”, përcaktohet kështu: “Çdo shtëpi botuese dhe/ose distributor, ka të drejtë të marrë pjesë në konkursin për tekstet shkollore të reja, nëse e ushtron veprimtarinë e saj/tij në përputhje me legjislacionin në fuqi…”. Në fakt, vetë kjo pikë e udhëzimit të lëshuar prej ministres Nikolla është jashtë ligjit, mbasi distributorët nuk mund të futen në konkurrim për librin shkollor pa vendim qeverie dhe se lejimi i tyre, bëhet me ndryshim procedure konkurrimi. Në rastin konkret, të futjes së ‘distributorit” në konkurrim kur nuk lejohet, në bazë të Nenit Nr. 47, të Ligjit 69/2012 procedura ndryshon vetëm me VKM e jo jo me urdhra të lëshuara nga ministrja, të cilat në fakt nuk janë akte ligjore, por zbatim aktesh ligjore siç e përcakton ligji dhe nëse e përcakton ligji!
Udhëzimi përcaktonte titujt e librave, por jo të dhënat teknike të tyre
Në asnjë vend nuk thuhet se sa do të jenë faqet e secilit libër, gjë e cila ndikon edhe në planifikimin e kostos së tij. Është dhënë vetëm letra që duhet të përdoret, por në asnjë nga dokumentet zyrtar nuk është përcaktuar se sa do të jetë maksimumi i faqeve që duhet të përmbajë ky libër. Në udhëzim thuhet: “Botuesi propozon çmimin e tekstit shkollor të ri që paraqet në konkurs, ministria vlerëson çmimin e propozuar dhe vendos çmimin për çdo tekst shkollor që do të miratohet për përdorim në institucionin arsimor”. Çudi, apo djallëzi, që përcaktimi i çmimit të tekstit lihet në dorë të botuesit, pa vendosur ministria asnjë kriter e mbi të gjitha, nuk jepet formula e përllogaritjes së çmimit, që të jetë e njëjtë për të gjithë. Skandali vazhdon me faktin, që në faqen 34 të “Standardeve të teksteve shkollore” të vitit mësimor 2015-2016, por që janë kopjuar nga standardet e librave të vitit 2006(!), thuhet kështu: “Para certifikimit, teksti shkollor të provohet/të testohet gjerësisht, të paktën për një vit shkollor, në praktikën mësimore të klasave të ndryshme dhe në kontekste të ndryshme socio-demografike (fshat-qytet, popullsi me arsim të mirë, ose të mjaftueshëm). Faza e testimit të ndiqet dhe të vlerësohet shkencërisht. Rezultatet përkatëse të verifikohen dhe të merren parasysh në redaktimin e variantit përfundimtar të tekstit shkollor. Pas “pilotimit”, teksti shkollor mund të certifikohet nga MAS, n.q.s botuesi ka plotësuar shumë mirë vërejtjet e bëra nga mësuesit dhe nga publiku. Në Udhëzimin Nr. 11/1, dt. 15.04.15, thuhet se pas shpalljes së fituesve, lidhja e kontratave “MAS-Botues”, do të bëhet më 10 korrik 2015. Si është e mundur, që kontrata e “rregullsisë së librave” lejohet të lidhet në datën 10 korrik 2015, kur “Standardet” e hartuara po nga vetë kjo Ministri, përcaktojnë me detyrim, që libri quhet i rregullt pas një viti testimi shkencor e praktik në shkolla?
Sigal