Izraeli nderon familjen e ministrit Panariti për strehimin e hebrenjve

56
JERUZALEM – Ministri Edmond Panariti ka marrë pjesë sot në ceremoninë e ndezjes së flakës dhe vendosjen e kurorës në altarin përkujtimor të holokaustit si dhe në gdhendjen e emrit të familjes në memorialin e muzeumit.
Autoritetet në Izrael kanë zhvilluar një ceremoni nderimi për familjen e ministrit shqiptar të Bujqësisë, Edmond Panariti, për kontributin që kanë dhënë në shpëtimin e hebrenjve gjatë luftës.
Në një njoftim për shtyp, ministria e Bujqësisë bën të ditur se, ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, në ditën e dytë të vizitës së tij në Izrael u ftua në muzeun e holokaustit Yad Vashem në Jeruzalem, për të marrë pjesë në ceremoninë e nderimit të familjes Panariti me titullin “The righteous among the nations”, për kontributin e dhënë në shpëtimin e hebrejve gjatë Luftes së dytë Botërore.
Ministri Panariti në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast theksoi se, si rrallë vende të tjera, shumë familje shqiptare strehuan dhe mbrojtën nga shfarosja familjet hebreje.
“Populli shqiptar ndihet krenar që mbrojti nga mizoria naziste familjet hebreje. Shpirti i ndihmës, solidaritetit dhe tolerancës është një nga virtytet më të spikatura të popullit shqiptar”, tha ministri
Panariti gjatë fjalës së tij në ceremoninë e zhvilluar në muzeun e holokaustit Yad Vashem në Jeruzalem. Familja e ministrit Panariti strehoi dhe mbrojti nga persekutimi nazist nje familje hebreje nga Selaniku gjatë Luftës së dytë Botërore.
Një ceremoni zyrtare për këtë qëllim do të zhvillohet dhe në Tiranë më 23 korrik 2015, thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë së Bujqësisë.