Italiani që qëlloi mbi imigrantët, kishte motive racore

691
Një 28-vjeçar italian qëlloi nga makina dhe plagosi gjashtë emigrantë afrikanë brenda dy orëve, në një qytet të vogël në Italinë qendrore. Ministri i Brendshëm i Italisë tha se ai ishte simpatizant i të djathtës ekstreme. Të gjithë viktimat e sulmit ishin imigrantë nga Afrika Nën-Sahariane dhe janë midis moshave 21 dhe 33-vjeçare, tha policia. Katër të plagosur dolën nga spitali pasi u trajtuan. Dy të plagosur ende në spital janë në gjendje serioze, por nuk kanë rrezik për jetën, thanë zyrtarët lokalë. Duke folur për gazetarët në Maçerata, ministri i Brendshëm italian tha se i armatosuri ishte motivuar “nga urrejtja racore”. “Është e qartë se sulmuesi ka tendenca të ekstremit të djathtë, fashiste dhe naziste, që shfaqen jo vetëm në sjelljen e tij, por edhe në historinë e formimit të tij”, tha ai. I dyshuari, i identifikuar nga autoritetet si Luca Traini, një 28-vjeçar italian pa histori kriminale, kishte një flamur italian të lidhur në qafë kur u arrestua disa orë më vonë në Maçerata. Autoritetet thanë se gjashtë të plagosurit – pesë burra dhe një grua – mesa dukej ishin viktima të rastësishëm në pjesë të ndryshme të qytetit me 43 mijë banorë, në rajonin qendror Marke të Italisë. Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, miq të Trainit thanë se ai kishte qenë i angazhuar me partitë ekstremiste italiane, si ato neofashiste “Forza Nuova” dhe “CasaPound”. Traini kishte kandiduar për post në bashkinë e qytetit, si kandidat i partisë “Lega Nord” në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar në Korridonia, konfirmoi partia, por kandidati i saj për kryetar komune humbi zgjedhjet.
Sigal